Shkarkohet zëvendësministrja që bombardimet e NATO-s i quajti gjenocid (Dokument)
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shkarkuar zëvendësministren e Drejtësisë, Vesna Mikiq, e cila kishte thënë se bombardimet e NATO-s ishin gjenocid ndaj shtetit dhe popullit serb.
Kryeministri ka thënë se deklarimet e tilla janë të papranueshme dhe përkojnë me gjuhën e urrejtjes, që sanksionohen me Kushtetutë dhe ligj.
“Në Qeverinë dhe institucionet e Republikës së Kosovës, nuk kanë vend individët, pavarësisht përkatësisë etnike, që denigrojnë vlerat e përbashkëta euro-atlantike. Aq më tepër kur shteti i Kosovës është krijuar pikërisht në bazë të këtyre vlerave. Deklarata e zëvendësministres në Ministrinë e Drejtësisë, Vesna Mikiq, se bombardimet e NATO-s ishin gjenocid ndaj shtetit dhe popullit serb, janë të papranueshme dhe përkojnë me gjuhën e urrejtjes, që sanksionohen me Kushtetutë dhe ligj. Prandaj, sot kam liruar nga detyra zëvendësministren Mikiq”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/