Shkatërrohet grupi i trafikut ndërkombëtar të kokainës, në pranga 5 shqiptarë

21 janar 2025 | 15:58

Policia e Shqipërisë është angazhuar në megaoperacionin ndërkombëtar “ICARO.AL”, i iniciuar nga autoritetet italiane kundër një grupi kriminal që trafikonte kokainë me automjete nga Amerika e Jugut për ta shitur në Itali dhe në shtete të Evropës Qendrore.

Deri tani, në kuadër të këtij megaoperacioni janë vënë në pranga 12 shtetas dhe po hetohen 8 të tjerë ku 5 shtetas shqiptarë janë arrestuar në Shqipëri si pjesëtarë të këtij grupi, me qëllim ekstradimin.

Në kuadër të megaoperacionit “ICARO.AL”, strukturat për hetimin e krimit të organizuar në DPPSh, ato të drejtorive vendore të policisë së Tiranës dhe Elbasanit, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Forca Kombëtare e Sigurisë Njësia Tiranë, si dhe Guardia di Finanza, në bashkëpunim me SPAK-un, kanë venë në pranga shtetasit: Igli Dervishi, 30 vjeç, banues në Elbasan; Shkëlqim Pashja, 44 vjeç, banues në Elbasan; Ervin Dema, 40 vjeç, banues në Elbasan; Edmond Zhuja, 41 vjeç, banues në Shkodër dhe Genti Berisha, 28 vjeç, banues në Tiranë.

Më tutje, “euronews.al”, ka shkruar se si rezultat i sigurimit të informacionit nga strukturat e policisë shqiptare, dhe shkëmbimit të tij me homologët spanjollë është vënë në pranga në Spanjë shtetasi shqiptar me precedent penal, Gerardo Pashja alias Astrit Pashja, 48 vjeç.

Gjithashtu, gjatë zhvillimit të këtij megaoperacioni, në Shqipëri, është identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasi M. M., 28 vjeç, i cili kërkohet dhe për vepra të tjera penale.

Në koordinim me partnerët, po punohet për lokalizimin dhe arrestimin e këtij shtetasi, Këta shtetas akuzohen nga Gjykata e Breshias, Itali, se të organizuar si grup, kanë trafikuar lëndë narkotike Kokainë nga Amerika e Jugut, nëpërmjet automjeteve të modifikuara për fshehjen e lëndës narkotike dhe e kanë shitur atë në qytete të Italisë dhe në shtete të Evropës Qendrore.

Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët, për të finalizuar ekstradimet e shtetasve të arrestuar. Materialet procedurale i kanë kaluar SPAK-ut për veprime të mëtejshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është shprehur e pikëlluar pas…