Shkelja e dyfishtë e Kushtetutës nga Qeveria në detyrë përbën shqetësim
Presidenti Hashim Thaçi ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese se vendimi i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia për shpalljen e Prizrenit “zonë karantinë” është jokushtetues.
Presidenti ka thënë se edhe pse është kohë pandemie, rendi kushtetues dhe ligjor janë të pacenueshëm.
Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se në asnjë rrethanë, askush nuk mund ta shkelë Kushtetutën e Kosovës, duke cenuar atë dhe duke shkelur në mënyrë flagrante të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve tanë.
“Shkelja e dyfishtë e Kushtetutës nga Qeveria në detyrë përbën shqetësim të jashtëzakonshëm dhe është precedent i rrezikshëm për institucionet e Kosovës. Kjo qasje e papërgjegjshme dhe shpërfillëse ndaj aktit më të lartë juridik e zbeh kredibilitetin e të gjitha institucioneve shtetërore dhe demokratike në vendin tonë. Si president i vendit e dënoj ashpër edhe gjuhën e kërcënimeve mbi institucionet e pavarura, siç është Gjykata Kushtetuese. Veprimet e tilla janë të papranueshme”, ka thënë Thaçi.
Ai ka ftuar Qeverinë e Kosovës, partitë politike dhe të gjitha institucionet e Kosovës që t’i respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të mos e pengojnë punën profesionale të saj.
“Refuzimi i zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Qeveria aktuale paraqet tendencë të qartë për përmbysjen e rendit tonë kushtetues”, ka deklaruar Thaçi.
/Epoka e re/