Shkelja e Ligjit për kontrollin e duhanit, Peci: Janë shqiptuar 460 gjoba
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), Faton Peci në një konferencë për medie pas mbledhjes së qeverisë është shprehur i vendosur se nuk do të ketë asnjë tolerim për ata që e shkelin Ligjin për kontrollin e duhanit.
Ai ka sqaruar se inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) kanë zhvilluar mbi 3 200 inspektime dhe kanë shqiptuar 460 gjoba.
Peci ka thënë se bashkë me inspektorë të AUV-it ditëve të fundit ka inspektuar edhe tregjet ilegale të tregtimit të shtazëve e shpezëve, për çka tha se do të veprohet konform ligjeve e mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve.
“AUV-i ditëve të fundit ka marrë veprime për parandalimin e pirjes së duhanit në vendet e ndaluar, jemi në implementimin e këtij ligji në lokalet e ndryshëm, hotele, kafiteri”.
“Janë bërë mbi 3 200 inspektime e janë shqiptuar 460 gjoba. Nga këtu përçojmë mesazhin që të respektohet ligjin që të ruajmë shëndetin publik”, ka thënë ai.
Më tutje, ai ka thënë se këtë vit Kosova ka shënuar rekord të të mbjellave sidomos sa i përket drithërave.
“Viti 2023 është rekord i të mbjellave në sektorin e dritharëve, do të risimin nivelin e kontrollit deri në 100 për qind”, ka thënë Peci në një konferencë për medie.