Shkelja e të dhënave personale, AIP shqipton gjobë ndaj kompanisë KESCO
Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), ka shqiptuar gjobë ndaj Kompanisë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike Sh.A (KESCO).
AIP ka bërë me dije se gjoba ka të bëj me mosndërmarrjen e masave të nevojshme të sigurisë në ruajtjen e të dhënave personale gjatë shpërndarjes së faturave për qytetarët.
Në njoftimin për medie të AIP-së është thënë se gjoba ka ardhur pasi disa qytetarë janë ankuar për shkelje të të dhënave personale nga kjo kompani në procesin e shpërndarjen së faturave.
“Agjencia për Informim dhe Privatësi ka pranuar disa ankesa nga qytetarët (subjektet e të dhënave) lidhur me veprimin se KESCO ka shpërndarë faturat mujore për shpenzimin e energjisë elektrike duke mos i aplikuar masat e sigurisë dhe duke i lënë qasje personave të paautorizuar në të dhënat personale të konsumatorëve. Gjatë shqyrtimit të ankesave, AIP ka konstatuar se KESCO ka dështuar të zbatojë masat e sigurisë për të mbrojtur të dhënat personale të qytetarëve, duke shkelur kështu detyrimet e saj ligjore”, është thënë në njoftimin e agjencisë.
AIP ka treguar se paraprakisht ishte ndërmarr një fushatë vetëdijesuese për këtë çështje.
“Veprimi i Agjencisë për shqiptimin e gjobës ndaj KESCO është ndërmarrë pas fushatës ndërgjegjësuese që Agjencia ka zhvilluar në muajin shkurt të vitit 2024, me të gjitha kompanitë që bëjnë shpërndarjen e faturave, me ç ‘rast ka kërkuar zbatimin e detyrimeve ligjore që këto kompani kanë ndaj konsumatorëve. Me qëllim të përgatitjes së kushteve, Agjencia ka kërkuar nga Kompanitë që deri më 30 qershor 2024, të ndërmarrin të gjitha masat për të siguruar mbrojtjen e të dhënat personale. Siguria e të dhënave personale është një e drejtë themelore e qytetarëve dhe mbrojtja e këtyre të dhënave duhet të jetë prioritet për çdo kompani që i përpunon të dhënat personale”, është thënë në njoftim.
Agjencia për Informim dhe Privatësi ka bërë me dije se do të vazhdojë mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit nga kompanitë private dhe institucionet publike për të siguruar mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve.