Shkëlqim Devolli takon senatorë dhe kongresmenë amerikanë në Washington DC, bashkëpunimi ekonomik temë kryesore
Sipërmarrësi Shkëlqim Devolli është duke qëndruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një vizitë të karakterit ekonomik.
Ai sot gjatë ditës ka takuar në Washington DC dy politikanë dhe afaristë të suksesshëm, kongresistin demokrat, Kevin Hern, dhe senatorin republikan, Pete Ricketts.
Afaristi kosovar, në takime të ndara në Kongres dhe në Senat, i ka njoftuar përfaqësuesit amerikanë për bizneset e Devolli Corporation në Kosovë, rajon dhe Evropë, si dhe afarizmin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Duke qenë se të dy këta politikanë kanë hyrë në politikë pas sukseseve që kanë pasur si biznesmenë, temë e takimeve ka qenë edhe rritja e bashkëpunimit të deritashëm ndërmjet tregut amerikan dhe atij kosovar, si dhe mundësitë për bashkëpunime të reja tregtare.
Kongresisti Hern ka në pronësi të veten rreth 25 restaurante McDonald’s, si dhe për shumë vjet ka shërbyer në pozita të larta udhëheqëse në këtë kompani, që është një ndër brendet më të njohura në botë. Ai ka qenë i përfshirë edhe në sektorin bankar, të teknologjisë, atë të patundshmërive dhe botimeve sportive.