Shkëlqimi dhe rënia e Andy Murrayt
Ish-numri 1 në botë dhe 3 herë fituesi i grand slam, britaniku Andy Murray, 15 vjet pas debutimit të tij në ATP (pasi kishte mbushur 16 vjeç) tashmë po përjeton makthin e tij më të madh.
Një vit më parë ai ishte sërish numri 1 në botë, por 12 muaj pa zhvilluar asnjë ndeshje i kanë kushtuar shumë, pasi tashmë e sheh veten për herë të parë në karrierën e tij jashtë 800 tenistëve më të mirë në botë. Një makth për britanikun, që edhe pse ka bërë disa herë përpjekje për t’u rikthyer në fushë me ritëm të plotë, sërish është tërhequr.
Fitorja ndaj Stanislas Wawrinka në turneun e Eastbourne në qershor të këtij viti dha përshtypjen se kampioni i dikurshëm ishte rikthyer, por kjo ishte vetëm një iluzion. Murray nuk ka luajtur në 4 grand slam e fundit (US Open 2017 dhe Australian Open, Roland Garros e Wimbledon 2018), duke mbetur në renditje me vetëm 20 pikë.
Ndaj, për britanikun do të duhet të rinisë sërish gjithçka nga e para edhe pse tashmë rilindja duket e vështirë, duke qenë se është 31 vjeç dhe nuk ka më forcën e dikurshme dhe frikën se mos dëmtohet sërish.