Shkëmb Manaj ka një porosi për Lëvizjen Vetëvendosje
Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Shkëmb Manaj ka deklaruar se kjo parti duhet ta ketë rolin e saj duke u bazuar në peshën e saj politike, duke u bazuar në kuadrot e saj si dhe në përvojën e saj si partia me e vjetër në vend.
Deklarata e Manajt vjen në kohën kur Lëvizja Vetëvendosje si parti fituese e zgjedhjeve nacionale të 6 tetorit dhe Lidhjes Demokratike e Kosovës, si parti e dytë, nuk po arrijnë të gjejnë gjuhë të përbashkët për formimin e koalicionit qeverisës. E gjithë kjo për shkak të mos pajtimeve rreth ndarjes së postit të presidentit, për marrjen e të cilit po këmbëngulë partia e Isa Mustafës.
“LDK duhet të jetë pjesë e qeverisjes së re, për t’u kthyer në rrënjët e saj, në rrethana dhe kohë të reja, për të ndërtuar shtetin e së drejtës, ku sundimi i ligjit është alfa dhe omega e zhvillimit demokratik dhe ekonomik të shoqërisë dhe shtetit tonë”, ka shkruar Manaj në profilin e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë pa ndërhyrje i Shkëmb Manajt:
Lidhja Demokratike e Kosovës – 30 vjet angazhim, luftë, sakrificë, histori të bujshme.
LDK – 30 vjet traditë!
Në këtë përvjetor, LDK duhet të mbyll një kaptinë të historisë së saj 30 vjeçare të shtetformimit dhe të shtetndërtimit dhe duhet të hap një faqe të re të historisë moderne të Kosovës evropiane, me një lidership te të gjitha gjeneratave, të urtë, punëtorë dhe evropian, ashtu siç ishte Presidenti historik, dr. Ibrahim Rugova dhe themeluesit tjerë e veprimtarët e saj të shquar.
LDK duhet të jetë pjesë e qeverisjes së re, për tu kthyer në rrënjet e saj, në rrethana dhe kohë të reja, për të ndërtuar shtetin e së drejtës, ku sundimi i ligjit është alfa dhe omega e zhvillimit demokratik dhe ekonomik të shoqërisë dhe shtetit tonë.
LDK duhet ta ketë rolin e saj duke u bazuar në peshën e saj politike, duke u bazuar në kuadrot e saj si dhe në përvojën e saj si partia me e vjetër në vend.
Miqtë tonë, e duan Kosovën shtet të fortë, demokratik dhe partner të sigurtë në agjendën e përbashkët të ruajtjes së paqes dhe sigurisë si dhe të promovimit të vlerave të përbashkëta propërendimore.
Prandaj, LDK është këtu dhe vazhdon te ketë rolin e saj prijëtar në zhvillimin dhe forcimin e Republikës tash e 30 vjet me radhë !
Urime ky përvjetor jubilar për të gjithë veprimtarët këtu dhe në mërgatë!
Nderime për të gjithë ata themelues e veprimtarë të shquar që shkrinë jetën e tyre për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës!