Shkencëtarët ndryshojnë ADN-në e drithit për të ulur rrezikun e kancerit

16 prill 2023 | 21:22

Qeveria britanike pritet të japë miratimin për prodhimin e grurit të ndryshuar gjenetikisht. Vendimi vjen pasi shkencëtarët njoftuan se kanë prodhuar me sukses drith të përshtatur gjenetikisht, për të pakësuar sa më shumë praninë e një përbërësi që mund të shndërrohet në faktor rreziku për kancer nga ushqimet e gatuara.

Në një fushë në Hertfordshire, jo shumë larg Londrës, po kultivohet drithë nga Rothamsted Research, një ndër institucionet më të vjetra në Evropë për kërkime në fushën e bujqësisë.

Drithi është produkt i një studimi të ri nga shkencëtarët për të parë nëse munden të ndryshojnë genin që prodhon një përbërës të quajtur asparaginë.

Ky element gjendet natyrshëm tek bimët, dhe është thelbësor për shëndetin e tyre, pasi rregullon mënyrën e ruajtjes së hidrogjenit.

Por, kur drithi përpunohet për t’u bërë miell dhe shndërrohet në një produkt të pjekur, si p.sh. bukë, asparagina shndërrohet në një element tjetër të quajtur akrilamidë, e cila bëhet karcinogjene në doza të mëdha.

Shkencëtarët kishin patur njohuri për akrilamidën, pasi ajo përdoret në procese industriale, por deri në vitin 2002 nuk dihej se ajo mund të shfaqet natyrshëm në ushqimet me niseshte që piqen fort.

“Pra, ajo që po përpiqemi të bëjmë është të pakësojmë sasinë e asparaginës që gjendet në grurë. Kjo do të thotë se do të ketë më pak akrilamidë që do të formohet në bukë dhe më pak kur buka të theket, si dhe në gjëra si biskotat apo nënproduktet e drithit”, thotë Profesor Nigel Halford, i cili drejton studimin në Institutin Kërkimor “Rothamsted”.

Deri më tani studimet që lidhin akrilamidën me pasoja konkrete negative, si kanceri, janë bërë vetëm nëpërmjet eksperimenteve tek kafshët. Në këto studime janë përfshirë doza shumë më të mëdha të arkilamidës se sa do të merrnin njerëzit nga ushqimi dhe në një periudhë shumë më të shkurtër. Gjithashtu, ka procese si duhanpirja që i jep trupit të njeriut katër herë më shumë akrilamidë se sa mund të marrë nëpërmjet ushqimit.

“Kur flasim për rrezikun afatgjatë nga ushqimi, kjo lidhet më shumë me gjëra si kanceri, pasi akrilamida në ushqime kalon përmes një procesi në trupin tonë dhe shndërrohet në një tjetër kimikat, i cili ndërvepron me ADN-në tonë dhe atëherë qelizat fillojnë të bëhen kancerogjene”, shpjegon Profesor Nathan Davies, nga Instituti për Shëndetin e Mëlçisë dhe Aparatit Tretës, në Kolegjin Universitar të Londrës.

Procesi i ndryshimit të genit bëhet në laborator dhe shkencëtarët theksojnë se është i ndryshëm nga procesi i modifikimit gjenetik. Deri më tani, bimët e modifikuara gjenetikisht nuk lejohen në Bashkimin Evropian apo në Britani.

“Konsumatorët dhe shumica e njerëzve mendojnë se një bimë e modifikuar gjenetikisht, ka ndoshta një gen të shtuar nga një specie tjetër. Bimët e ndryshuara gjenetikisht, nuk kanë gene të shtuara. Këto janë bimë pa gene të huaja, pa gene të shtuara nga specie të tjera”, thotë Profesor Halford.

Drithi që po rritet në këtë fushë në Angli do të testohet pasi të korret në muajin tetor. Studimi po financohet ndërkohë jo vetëm nga qeveria britanike, por edhe nga disa kompani të mëdha të farërave./VOA

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj ka…