Shkencëtarët presin ta prodhojnë më shpejt se kurrë vaksinën për koronavirusin
Një virus i ri vdekjeprurës. Mijëra njerëz të infektuar. Asnjë kurë. Asnjë vaksinë. Këtë, e kemi parë edhe më herët.
Në pesë vitet e shkuara bota është përballur me ebolën, zikën, një tjetër koronavirus të quajtur Mers dhe tani edhe virusin që njihet thjeshtë si 2019 nCoV. Ai ka infektuar deri më tani mijëra njerëz dhe i ka marrë jetën më shumë se 100 të tjerëve. Por ndryshe nga shumë viruse të tjera, ku për vaksinat për të mbrojtur njerëzit janë dashur vite të zhvillohen, kërkimi për një vaksinë që do të ndihmojë në ndaljen e këtij të fundit nisi vetëm pak orë pasi virusi u identifikua.
Zyrtarët kinezë e publikuan kodin e tij gjenetik shumë shpejt. Ky informacion ndihmon shkencëtarët të përcaktojnë se nga vjen virusi, si mund të ndryshojë dhe si mund të vijojë përhapja.
Por edhe si të mbrohen njerëzit kundër tij. Me avancimet teknologjike dhe angazhimin më të madh të qeverive nga bota për të financuar kërkimin për këto sëmundje, laboratorët e kërkimit mund të veprojnë më shpejt. Në San Diego të ShBA-së, shkencëtarët po përdorin një teknologji të re për të prodhuar një vaksinë të mundshme që planifikon ta testojë tek njerëzit në fillim të verës. Nëse ato do të kenë sukses, do të vijohet me testime më të gjera në kinë deri në fund të vitit.
Është e pamundur të parashikohet nëse kjo epidemi do të ketë marrë fund deri atëherë, por nëse planet e këtij laboratori do të shkojnë siç pritet, kompania thotë se ajo do të jetë vaksina më e shpejtë e re që është prodhuar dhe testuar ndonjëherë në një situatë epidemie. Herën e shkuar që një virus i ngjashëm u shfaq, rasti i sarsit në 2002, kina vonoi ti tregonte botës se çfarë po ndodhte. Dhe kur nisi puna për vaksinën, epidemia thuajse kish mbaruar. Edhe të tjerë laboratorë po punojnë në kërkim të vaksinës dhe do ti takojë Organizatës Botërore të Shëndetësisë të vendosë se cila prej tyre do të testohet e para tek njerëzit, në ditët e ardhshme./tch/