Shkencëtarët thonë: Pandemia mund të përfundojë më 2022
Shkencëtarët kanë filluar të flasin për fundin e pandemisë duke monitoruar rrjedhën e virusit. U bënë dy vite me shpërthimin e krizës shëndetësore që vuri njerëzimin përballë të dhënave, masave dhe kufizimeve të rrepta.
Shkencëtarët pohojnë se në vitin 2022, virusi do të humbasë formën e tij pandemike dhe do të bëhet më sezonal siç është rasti me virusin e gripit.
Rritja e nivelit kolektiv të imunitetit, shpërndarja e pritshme e barnave dhe vaksinat janë rruga e daljes nga tuneli i errët i pandemisë.
Shitja e barnave për koronavirusin, që do të ndodhë pas disa muajsh, përkthehet si një shenjë shprese.
Njerëzit, siç kanë thënë shkencëtarët në të kaluarën, do të mësojnë të jetojnë me koronavirusin pasi sëmundja nuk do të zhduket.
Pyetja është se si do të ekzistojë koronavirusi në të ardhmen pa ngritur alarmin e komunitetit botëror?
“Përdorimi i maskës në transport, madje edhe në zyra, mund të aplikohet në vitet e ardhshme”, tha epidemiologu i Universitetit Johns Hopkins Sean Trulov.
Ai shton se në të ardhmen mund të rekomandohet larja e shpeshtë e duarve, mbajtja e distancës në vendet ku grumbullohen shumë njerëz.
Epidemiologu vlerëson gjithashtu se testet e zbulimit të koronavirusit do të bëhen edhe më të aksesueshme.
Një hap i rëndësishëm tashmë është hedhur në vaksinat, ku programi po zgjerohet për të përfshirë fëmijët e moshës 5-11 vjeç. Komuniteti shkencor po shqyrton dozën e nevojshme për moshat më të reja.
Në kuadër të ridizajnimit të preparateve injektuese, parashikohet dozimi vjetor i popullatës, i cili do të synojë trajtimin e mutacionit që zhvillohet dhe përhapet në të gjithë botën.