Shkencëtarët zbulojnë metoda të reja për trajtimin e kancerit
Ilaçet e para që do të ndalojnë qelizat kancerogjene të bëhen rezistente ndaj trajtimit mund të jenë të disponueshme gjatë dekadës së ardhshme, thonë shkencëtarët.
Instituti për Hulumtime të Kancerit ka shpallur një investim prej 75 milionë dollarësh për këtë qëllim.
Shefi ekzekutiv i këtij instituti, Paul Workman, tha se aftësia e kancerit për t’u përshtatur ndaj ilaçeve është sfida më e madhe në trajtimin e sëmundjes.
Ilaçet e reja mund ta bëjnë kancerin një sëmundje “të menaxhueshme” në afat të gjatë dhe “më shpesh të shërueshme”, tha ai.
Workmani ka thënë se do të duhen 10 vjet për testimet laboratorike dhe studimet klinike para se ilaçet e reja të jenë në dispozicion për pacientët, raporton “Rel”.
Studiuesit kanë thënë se trajtimet ekzistuese, siç është kimioterapia, nganjëherë dështojnë sepse qelizat më të rrezikshme të kancerit përshtaten dhe mbijetojnë gjatë trajtimit, duke shkaktuar që sëmundja të përsëritet.
Shkencëtarët synojnë të përdorin metoda të reja duke përfshirë trajtimin përmes kombinimit të shumë llojeve të ilaçeve dhe inteligjencën artificiale për të parashikuar dhe ndikuar në evoluimin e qelizave të kancerit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë më herët se pret që sëmundja e kancerit të jetë shkaku kryesor i vdekjeve në shekullin 21.