Shkëndija kërkon “kokën” e Rosenborgut
Shkëndija e Tetovës për të tretin vit radhazi do të luajë në “play-off” të UEFA Evropa Ligës, ndërsa rivali në këtë fazë do të jetë skuadra kampione e Norvegjisë, Rosenborg.
Ecuria e suksesshme deri në raundin e tretë eliminator të Ligës së Kampionëve bëri që kuqezinjtë të kenë të sigurt pjesëmarrjen në “play- off” të UEFA Evropa Ligës edhe pas eliminimit nga Red Bull Salzburgu. Rosenborgu e siguroi “play-off”-in pasi në raundin e tretë të Evropa Ligë eliminoi Cork Cityn e Republikës së Irlandës me rezultat të përgjithshëm 5-0. Në raundin e parë të Ligës së Kampionëve norvegjezët eliminuan kampionin e Islandës, FC Valur.
Edhe pse humbën 1-0 takimin e parë si mysafirë, norvegjezët kaluan më tej falë fitores 3-1 në ndeshjen e kthimit. Xhiroja e dytë eliminatore i rezervoi një rival të vështirë Rosenborgut, pikërisht Celtic Glasgow, që u kualifikua më tej me rezultatin e përgjithshëm 3-1. Rosenborgu, rivali i radhës së Shkëndijës është rekordmen me titujt e fituar në Norvegji. Numëron 25 tituj kampion, 11 herë ka fituar Kupën, pa harruar faktin se është ekipi norvegjez me më shumë ndeshje të luajtura në kupat e Evropës. Ndeshjet si vendas Rosenborgu i luan në “Lerkendal Stadion” në Trondhajm me kapacitet prej 21 400 vende, ndërsa lojtari më i njohur është sulmuesi i Danimarkës, Nicklas Bendtner.
Ndeshja e parë Rosenborg-Shkëndija do të luhet në Norvegji, më datë 23 gusht, ndërsa ekipi që do të sigurojë grupet e Evropa Ligë do të vendoset më 30 gusht në Shkup.