Shkëndija ruan kreun, Shkupi merr vendin e dytë
Fitore e thellë për Shkëndijën e Tetovës në javën e 14-të të kampionatit të Maqedonisë së Veriut.
Skuadra e Ernest Gjokës bindi në duelin direkt për kreun ndaj Makedonija Gj.P duke ruajtur vendin e parë në renditje falë suksesit 5-0 që arriti në Tetovë. Pas dy barazimeve Shkëndija u rikthye te suksesi duke u ngjitur në kuotën e 30 pikëve, katër më shumë tashmë se Makedonija Gj.P dhe 2 më pak se skuadra tjetër shqiptare e Shkupit që u ngjit në vendin e dytë.
Ernest Gjoka mbeti shumë i kënaqur nga kjo sfidë pasi ndaj Makedonija Gj.P shënuan të gjithë sulmuesit. 16-vjeçari Elezi zhbllokoi shifrat pas vetëm 10 minutash lojë, ndërkohë që në fundin e pjesës së parë kishte vend për golat e Doriev dhe Besart Ibraimit.
Në fundin e takimit Shkëndija shënoi edhe dy herë të tjera me Valmir Nafiun i ardhur në fushë nga stoli dhe Totren. Shkupi nga ana e tij triumfoi 3-1 ndaj Belasicas me dy gola të gambianit Darboe dhe finalizimin e kosta-rikanit Alvarez. Ndryshimi në stol i ka bërë mirë Renovës që iu largua fundit të renditjes falë fitores së dytë radhazi këtë herë në fushën e Akademija Pandev në Strumicë me rezultatin 0-1. Në javën e 14-të me rezultat minimal Rabotnicki mposhti 1-0 Pelister ndërsa Sileks kaloi me të njëjtat shifra Vardarin e Shkupit. E vetmja skuadër shqiptare që nuk mori rezultat pozitiv në këtë raund ishte Struga që u mposht 2-1 në transfertën ndaj Borec. /Supersport/