Shkëndija shkarkon stafin teknik
Shkëndija ka nisur sezonin e ri në mënyrën më zhgënjyese të mundshme teksa numëron tri humbje dhe një barazim në katër javët e para, duke u renditur në vendin e fundit, rezultate këto që kanë vënë në lëvizje stafin drejtues.
Gjatë javës presidenti Lazim Destani kishte urdhëruar ngritjet e një grupi pune për ta analizuar situatën e krijuar te tetovarët, ndërsa tash erdhi edhe vendimi për ta shkarkuar stafin teknik. Largohet kështu trajneri Qatip Osmani, por edhe ndihmësit e tij, teksa deri në emërimin e një trajneri të ri, drejtimi i skuadrës iu besua Erhan Selimit, sipas njoftimit të bërë nga klubi i Shkëndijës në faqen zyrtare.
Qatip Osmani drejton Shkëndijën që prej qershorit të vitit 2017, teksa në dy sezone arriti ta shpallë skuadrën kampione të Maqedonisë dhe të fitojë edhe një Kupë të shtetit, duke ngritur lart emrin e kuqezinjve. Megjithatë, dështimi i radhës për të kaluar në grupet e Ligës së Evropës, sidomos starti jashtëzakonisht i dobët, kanë bërë që drejtuesit të ndërhyjnë dhe ta ndërpresin bashkëpunimin me të.