ShKK: Faton Hajrizi ishte transferuar nga Dubrava në Smrekonicë për shkak të sjelljes së mirë
Shërbimi Korrektues i Kosovës, thotë se i burgosuri Faton Hajziri i cili u arratis ditë më parë nga Qendra Korrektuese në Smrekonicë, ishte dërguar në burgun e tipit të hapur, për shkak të sjelljes së mirë.
“I dënuari F.H ka qenë larguar disa herë në të kaluarën nga institucionet korrektuese. Megjithatë, vitet e fundit ka shfaqur sjellje të mira dhe ka respektuar të gjitha rregullat e rendit shtëpiak”.
“Gjatë qëndrimit në Qendrën Korrektuese në Dubravë, ai ka përfunduar shkollimin e mesëm të lartë, ka marrë pjesë në programe rehabilituese dhe aktivitete rekreative. Bazuar në këto sjellje, ai ka kaluar në trajtim të avancuar dhe ka realizuar disa herë të drejtën e pushimit jashtë institucionit korrektues”.
SHKK-ja, përmendi edhe disa kritere që kur plotësohen nga të dënuarit, mund të fitojnë të drejtën të vuajnë dënimin në burgun e tipit të hapur.
“Sipas rregullores për trajtimin e të burgosurve, të dënuarit mund të vendosen në një institucion të tipit të hapur nëse plotësojnë kriteret e mëposhtme:
– Janë shfrytëzues të benificioneve;
– Nuk kanë vepra të tjera në pritje për ekzekutim;
– Kanë dënim deri në 10 vite apo mbetje të dënimit deri në 10 vite.
I dënuari F.H deri më tani ka mbajtur 17 vite e 5 muaj të dënimit, ndërsa kishte mbetje të dënimit prej 7 vite e 6 muaj. Ai ka shfrytëzuar disa herë të drejtën e benificionit të vikendit në shtëpi, hera e fundit e kthimit nga vikendi ishte më 03.07.2024”.