SHKK-ja fillon me lejimin e vizitave të lira, vizitave familjare dhe vizitave të avokatëve

18 gusht 2020 | 15:44

Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ka njoftuar se nga 24 gushti, si masa lehtësuese mbrojtëse ndaj pandemisë Covid-19, do të fillojë me lejimin e vizitave të lira, vizitave familjare dhe vizitave të avokatëve.

“Shërbimi Korrektuese i Kosovës nga kjo datë do të do fillojë me lejimin e vizitave familjare për të burgosurit. Si masë lehtësuese, për vizitë familjare do të fillojmë me pranimin e vetëm një (1) anëtari të ngushte të familjes. Po ashtu, sipas procedurave do të fillohet edhe me vizita të lira në lokale të veçanta. Nga kjo datë, SHKK do të lejojë edhe vizitën e avokatëve vetëm me personat e paraburgosur. Gjatë vizitës se tyre, avokatët janë të obliguar të kenë me vete ID kartelë valide” është bërë me dije në njoftimin e SHKK-së.

Gjatë vizitës së tyre, secili vizitor/avokat është i obliguar të dezinfektohet në hyrje të institucioneve korrektuese, e po ashtu me vete duhet të bartë edhe maskë mbrojtëse.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës ka filluar lehtësimin e masave në bashkëpunim me Departamentin Shëndetësor të Burgjeve. Shërbimi Korrektues i Kosovës do të vazhdojë bashkërendimin institucional me institucionet relevante të Republikës së Kosovës dhe do të mbajë të informuar opinionin publik rreth hapave në vazhdim”, është theksuar në këtë njoftim.

(M.K / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka vizituar sot Klinikën Gjinekologjike…