ShKK nuk tregon se kush e lejoi transferimin e Hajrizit në Smrekonicë

28 korrik 2024 | 23:11

Derisa shumë cështje mbesin të paqarta, rreth rastit të Faton Hajrizit, Shërbimi Korrektues i Kosovës, ka refuzuar të tregoi se kush ishin pjesë e panelit që vendosën për dërgimin e Hajrizit nga Dubrava në burg të Smrekonicës. Ky institucion ka refuzuar kërkesën e televizionit, për qasje në dokumente zyrtare ndërkohë që nga shoqëria civile thonë se në këtë rast nuk ka asnjë gjë konfidenciale.

Nën arsyetimin se është cështje konfidenciale, Shëbimi Korrektues i Kosovës, ka refuzuar të tregoj se kush ishin pjesë e panelit  që lejuan transferimin e Faton Hajrizit nga burgu u Dubrabës, në atë të Smrekonicës, dhe se cili ka qenë arsyetimi i shkruar.

Dukagjini javën e kaluar ka bërë kërkesë për qasje në dokumente zyrtare në këtë institucion, mirëpo të njëjtit kanë thënë se nuk mund të ofrojnë dicka të tillë, por vetëm kanë thënë se transferi i Hajrizit në institucion të tipit të hapur është i bazuar në ligj.

“Për njoftimin tuaj transferi i F.H ne institucionin e tipit të hapur, është bërë duke u bazuar në Ligjin mbi Ekzekutimin e Sanksioneve Penale dhe Rregullat e brendshme për tretmane. Lidhur me kërkesës tuaj për qasje në dokumente në rastin e transferimit të F.H, ju njoftojmë se bazuar në Ligji nr. 08/l-131 për Shërbimin Korrektues të Kosovës, neni 64, paragrafi përcakton se: “Të gjitha informacionet lidhur me personat e dënuar dhe të paraburgosurit janë konfidenciale, nuk zbulohen dhe nuk bëhen të njohura për opinionin apo për mediat”, bazuar në këtë jemi të detyruar të refuzojmë kërkesën në fjalë. Po ashtu, ju njoftojmë se çështja është duke u hetuar nga organet kompetente, andaj deri në përfundim të hetimeve kërkojmë mirëkuptimin tuaj. Ne dëshirojmë të theksojmë se bashkëpunimet tona të mëparshme me RTV Dukagjini kanë qenë të frytshme dhe të vlefshme për të dyja palët, për çka  ne e vlerësojmë kontributin tuaj në informimin e publikut mbi aktivitetet dhe zhvillimet brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës”, thuhet nga ShKK-ja.

Trasferimi i Hajrizit, nga Burgu i Dubravës në Smrekonicë u më 24 maj 2024, e kishte edhe më pak se 8 vite që të përfundonte gjithë dënimin e tij prej 25 viteve.

Por, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thonë se cështja e Faton Hajrizit nuk është më konfidenciale, dhe se institucionet duhet të jenë më të hapura.

“Kur këtij rasti i shtohet fakti se personi tani më është arratisur nga vuajtja e dënimit nga Smrekonica, dhe  më pas kemi dy vdekje edhe vrasjen e vetë të dënuarit atëherë është interes publik, dhe ministria e Drejtësisë do të duhej të ishte transparente, po ashtu sikur të kishim një sistem të drejtësisë apo një prokurori speciale profesionale të guximshme atëherë do të duhej të hetonte të gjithë procesin se si ka shkuar dhe nëse ka ndonjë shkelje penalisht”, ka deklauar Ehat Miftaraj, nga IKD-ja.

Në anën tjetër, nga Agjencioni për Informim dhe Privatësi, thonë se se nga janari e deri në korrik të këtij viti gazetarët kanë drejtuar 73 ankesa për institucione të ndryshme, për mos marrje të dokumenteve zyrtare.

“Gjatë vitit 2024 (janar – korrik), Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka pranuar shtatëdhjetë e tri (73) ankesa nga gazetarët, si rrjedhojë e pamundësisë së jetësimit të të drejtës së tyre për t’u informuar nga institucionet publike, ndaj të cilave kanë adresuar kërkesa për Qasje në Dokumente Publike. Përgjatë vitit 2024 (janar – korrik), institucionet publike, ndaj të cilave janë adresuar më së shumti ankesa në AIP, janë si në vijim: Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor e Infrastrukturës – 40 ankesa; Komuna e Gjilanit – 23 ankesa; Ministria e Financave, Punës e Transfereve – 16 ankesa; Komuna e Prizrenit – 16 ankesa; Ministria e Punëve të Brendshm – 12 ankesa.

“Në më shumë se 80% të rasteve, institucionet publike ofrojnë arsyetimet ndaj shkresës njoftuese të Agjencisë, ndaj të cilit ka pranuar një ankesë. Në rastet kur Agjencia vlerëson se arsyetimi i institucionit publik nuk është në harmoni me  dispozitat Ligjit Nr. 06/L-081 për Qasje në Dokumente Publike nxjerr vendim të karakterit detyrues, duke i dhënë të njëjtit Institucion  një afat prej shtatë ditësh që ta zbatojë atë.  Nëse institucioni publik nuk i përgjigjet kërkesës së Agjencisë, përkatësisht vendimit detyrues,  Agjencia i dërgon institucionit përkatës njoftimin  për shqiptimin e gjobës administrative, duke i dhënë sërish afat prej shtatë ditësh që ta përmirësojë shkeljen e evidentuar. Në rast të mospërfilljes së këtij vendimi, Agjencia shqipton gjobën administrative ndaj atij Institucioni Publik.”

Dukagjini ka drejtuar ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi, për refuzim të kërkesës nga Shërbimi Korrektues, i cili është nën menaxhimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Faton Hajrizi u arratis nga burgu, ndërkohë që dyshohet se vrau një polic serb, e më pas edhe vetë u vra nga autoritete serbe, derisa po largohej.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lindja e Mesme u përgatit të dielën për mundësinë e…