Shkodra merr përkrahje nga Emiratet Arabe për anëtarësim e Kosovës në Interpol
Delegacioni i Ministrisë së Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga zëvendësministri Selami Shkodra, shoqëruar nga Amir Ahmeti, i ngarkuar me punë në Ambasadën e Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), po qëndrojnë për vizite zyrtare në këtë vend.
Gjatë kësaj vizite Shkodra është pritur në takim nga zëvendëssekretari i Punëve të Brendshme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Lt. General Saif Abdullah Al Sha’far.
Zëvendësministri Shkodra ka falënderuar homologun e tij për kontributin e Emirateve të Bashkuara Arabe në Kosovë gjatë luftës, duke ndihmuar refugjatët kosovarë dhe pasluftës për ndihmën në sigurinë e vendit përmes kontingjentit të tyre në kuadër të KFOR-it, si dhe ndihmën e EBA në fusha tjera duke kontribuar direkt në konsolidimin e shtetit të Kosovës
Gjatë këtij takimi, zëvendësministri Shkodra ka theksuar se procesi i anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare të sigurisë është në interes të organizatave ndërkombëtare, shteteve anëtare dhenë veçanti për Republikën e Kosovës.
“Anëtarësimi i Kosovës në organizata të sigurisë, sidomos anëtarësimi në Interpol është një prioritet kryesor i MPB-së, i cili do t’i mundësonte Kosovës që të kontribuojë në sigurinë rajonale dhe globale, duke u bërë pjesë aktive në shkëmbimin e informacioneve për grupet kriminale”, ka thënë Shkodra, duke theksuar se Policia e Kosovës është një nga forcat policore më profesionale në rajon dhe ka aftësi të plotë për bashkëpunim ndërkombëtar.
Në këtë kontekst, zëvendësministri Shkodra ka marrë përkrahje nga Lt. General Saif Abdullah Al Sha’far për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Interpol.
Gjatë kësaj vizite, zëvendësministri Shkodra ka takuar grupin që është përgjegjës për organizimin e Asamblesë së Përgjithshme të Interpol-it që mbahet në Dubai në muajin nëntor të këtij viti.
/Epoka e re/