Shkolla e Vërmicës në Malishevë bëhet me kabinet të biologjisë

01 nëntor 2019 | 16:55

Agjencioni për Financim në Kosovë (AFK) i ka dhuruar shkollës në Vërmicë të Komunës së Malishevës, pajisje për kabinetin e biologjisë. Në dhurimin e donacionit nga ana e AFK-së, përkatësisht nga përfaqësuesi i tyre, Avdullah Bytyçi, ishte i pranishëm edhe drejtori i Drejtorisë për Arsim dhe Edukim në Malishevë, Blerim Thaçi, i cili i ka falënderuar për këtë donacion të radhës, me rëndësi të madhe.

“AFK-ja në vazhdimësi i përkrahë institucionet shkollore në komunën tonë, dhe ky donacion është në vazhdën e kësaj përkrahje të vazhdueshme. Këto pajisje të dhuruara sot, kanë rëndësi të madhe për zhvillimin e orës së biologjisë, pasi edhe nxënësit do ta kenë më të lehtë të kuptojnë lëndën. Në emër të Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, e falënderoj Agjencionin për Financim në Kosovë, për këtë përkrahje të vazhdueshme”, ka thënë Thaçi.

Ndërsa përfaqësuesi i AFK-së në Malishevë, Avdullah Bytyçi, pasi e ka dorëzuar donacionin, ka thënë se janë të kënaqur që kanë mundësi t’i përkrahin institucionet shkollore. “Përkrahja në fushën e arsimit është me rëndësi për ne dhe këto përkrahje do të jenë të vazhdueshme”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, ushtruesi i drejtorit të shkollës në Vërmicë, Tahir Gashi, ka falënderuar AFK-në për këtë donacion shumë domethënës për shkollën e tyre, pasi sipas tij tani nxënësit, përveç mësimit teorik, do të kenë mundësi që edhe në praktikë të mësojnë lëndën.

Donacioni i AFK-së për këtë shkollë përfshin mikroskop dhe komplet pjesët e trupit të njeriut.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drogat çdo ditë po kërcënojnë shoqërinë tonë e me theks…