Shkolla finlandeze ofron 10 bursa për nxënësit e shkollave të mesme
Shkolla Fsinlandeze në Kosovë ka lansuar programin e njohur ndërkombëtarisht Cambridge International AS & A Levels për nxënësit e shkollës së mesme, program ky i cili iu ofron nxënësve certifikim të klasit botëror vetëm në shkollën finlandeze për t’u pranuar në universitetet më prestigjioze në botë pas përfundimit të këtyre studimeve.
Në lansim, u njoftua shpallja e aplikimit për ofrimin e 10 bursave për studime në këtë program për nxënësit e klasës 10 dhe 11 duke filluar nga 30 për qind deri në 100 për qind.
Gjatë lansimit, drejtoresha e Shkollës Finlandeze, Kaija-Leena Salovaara, ka theksuar se për herë të parë në Kosovë do të ofrohet diploma dhe programi për nxënësit e shkollës së mesme i akredituar nga Cambridge.
Ajo ka thënë se ky certifikim do të ketë rol thelbësor në udhëzimin e nxënësve në zhvillim të karrierës së tyre në të ardhmen, duke integruar në të njëjtën kohë lëndë në fusha të ndryshme.
Atasheu Kulturor i Ambasadës Britanike në Kosovë dhe drejtori i British Council, Angus Bjarnason, ka thënë se pavarësisht se cilën fushë nxënësit studiojnë, atyre iu duhen aftësi specifike të cilat ky program iu ofron në aftësim profesional për të ardhmen me një qasje unike të dy kurrikulave më të vlerësuara në botë.
Ndërsa zëvendësambasadorja e Finlandës në Kosovë, Sargit Salakari, ka përgëzuar Shkollën Finlandeze për nivelin cilësor të edukimit të cilin e ofron në shoqërinë kosovare ku tashmë do të integrojë edhe një kurrikulë të sofistikuar të Cambridge përveç asaj finlandeze.
Salakari ka shtuar se ky kualifikim ndërkombëtar do të hapë mundësi të shumta për nxënësit anembanë globit dhe do t’i pajis ata me aftësitë e duhura për jetë si dhe do të shërbejë si udhërrëfyes në zhvillimin e tyre akademik dhe profesional.
Aplikimi për bursat e ofruara nga Shkolla Finlandeze mbetet i hapur nga data 6 mars deri më 6 prill 2020.