Shkolla ‘Hasan Prishtina’ shënon 50-vjetorin e themelimit (Foto)
Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët “Hasan Prishtina” e cila gjendet në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë ka shënuar 50-vjetorin e themelimit.
Aktiviteti kryesor për shënimin e kësaj dite është mbajtur në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë. Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë nxënës, mësues dhe ish-mësues të kësaj shkolle, drejtori i Arsimit në komunën e Prishtinës, Jonuz Salihaj, ish-nxënësi i kësaj shkolle, tani shef i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, përfaqësuesi i Zyrës së kryeministrit, Gani Demaj, përfaqësues të KFOR-it, etj.
Drejtoresha e shkollës “Hasan Prishtina”, Sofije Bunjaku, para të pranishmeve në këtë aktivitet, ka përshkuar rrugën e gjatë të kësaj shkolle dhe të arriturat e saj.
Nga një fjalë rasti në shënimin e 50-vjetorit të shkollës “Hasan Prishtina”, kanë mbajtur edhe drejtori i Arsimit në komunën e Prishtinës, Jonuz Salihaj dhe shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi.
Në fund të këtij aktiviteti para të pranishmëve është mbajtur një program kulturo-artistik.
/Epoka e re/