Shkolla “Ibrahim Mazreku” në Malishevë shënon dy përvjetorë

02 qershor 2019 | 16:10

Shkolla Fillore e Mesme e Ulët (ShFMU) “Ibrahim Mazreku” në Malishevë ka shënuar dy përvjetorë, 20-vjetorin e rënies së dëshmorit të kombit Ibrahim Mazreku dhe ditën e shkollës. Në shënimin e këtyre dy ngjarjeve kanë qenë të pranishëm përfaqësues të institucioneve lokale dhe qendrore të Republikës së Kosovës.

Për historikun e shkollës “Ibrahim Mazreku” dhe për dëshmorin që mban emrin kjo shkollë ka folur drejtori i kësaj shkolle, Januz Mazreku. Ai ka paraqitur edhe të arriturat e kësaj shkolle në procesin e rregullt edukativo-mësimor si dhe në garat dhe aktivitetet e ndryshme në nivel komune, republike dhe jashtë vendit.

Ndërsa kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka thënë se sa herë binin në beteja dëshmorët si Ibrahim Mazreku, UÇK-ja fuqizohej edhe më shumë.  “Sot për familjen, bashkëluftëtarët e Ibrahimit, kolektivin e shkollës, nxënësit dhe qytetarët malishevas, është një ditë e veçantë, në 20-vjetorin e rënies së dëshmorit Ibrahim Mazreku, sepse sa herë binin dëshmorët në fushëbeteja për çlirimin e Kosovës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës fuqizohej dhe merrte aksione kundër ushtrisë serbe dhe paramilitarëve serbë, me objektivin që gjakun e dëshmorëve dhe amanetin e tyre ta bëjnë realitet sa më parë, pra çlirimin e Kosovës”, ka thënë Begaj. Ai ka kërkuar nga mësimdhënësit të punojnë edhe më shumë, pasi kushtet tashmë i kanë të mira. Po ashtu, Begaj ka kërkuar nga nxënësit të lexojnë për veprimtarinë e dëshmorëve që ua sollën lirinë.

Në fund të shënimit të kësaj ngjarje, kryetari i Shoqatës së Dëshmorëve të Luftës së UÇK-së, Dega në Malishevë, Metush Kryeziu, ka bërë me dije se Ibrahim Mazreku është shpallur hero i Kosovës nga presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Komunën e Ferizajt është hapur kopshti i ri i…