Shkolla “Pjetër Bogdani” pranon pajisje për klubet e mediave
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, së bashku me udhëheqësin e projektit të arsimit fillor në GIZ, Boris Scharlowski (Zhvillimi i kapaciteteve në arsimin fillor në Kosovë), dhe drejtoreshën e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala, kanë vizituar Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, me ç’rast është bërë edhe dorëzimi i pajisjeve për klubet e mediave.
Shkolla “Pjetër Bogdani” është një nga 20 shkollat e përzgjedhura për projektin “Shkollat kampione”, i cili fokusohet në zhvillimin e kapaciteteve në shkollë dhe me pajisjen me materiale të ndryshme për zhvillimin e aktiviteteve jashtëkurrikulare. Pra, projekti synon zbatimin e qasjes së integruar për zhvillim të shkollës në shkollat e përzgjedhura dhe po ashtu, synon të forcojë rolin e të gjithë aktorëve në shkollë.
Me këtë rast, ministri Bytyqi ka falënderuar GIZ-in, i cili vazhdimisht ka dhënë një kontribut të madh në sistemin tonë arsimor dhe tha se me këtë partner të rëndësishëm po vazhdojmë me projekte tjera të përbashkëta.
Ministri ka shprehur kënaqësinë që kjo shkollë është përzgjedhur të jetë një nga 20 shkollat që do të përfitojnë nga projekti, i cili është diskutuar gjatë mes MAShT dhe GIZ.
Ministri Bytyqi ka përgëzuar udhëheqësit e shkollës, mësimdhënësit, prindërit dhe nxënësit për punën që po bëjnë, pasi që tha se kjo shkollë nuk është përzgjedhur rastësisht të jetë pjesë e projektit. “Vërtetë kemi nevojë që në shkollat tona të krijojmë ambiente të tilla në mënyrë që t’ia bëjmë sa më të këndshëm nxënësve ambientin shkollor, sepse nxënësit tanë e meritojnë këtë”, ka deklaruar ministri Bytyqi, ndërsa ka theksuar se po bëhen përpjekje edhe në nivelin qendror, edhe në atë lokal dhe bashkë me partnerët, që ambiente të tilla të krijohen në të gjitha shkollat.
Ndërsa, Scharlowski, ndër të tjera tha se ideja për shkollat kampion është që të gjithë akterët e shkollës të bashkëpunojnë për të rritur performancën e shkollës.