Shkolla që po shkatërrohet në heshtje

06 janar 2019 | 13:41

Shkolla Fillore “Emin Duraku” në Banullë – Gllogovc të Komunës së Lipjanit ishte e dalluar në nivel vendi. Kjo shkollë ka një historik të gjatë të punës edukative-arsimore, për të cilën edhe sot gjenerata të shumta flasin fjalë të mëdha për punën që është bërë këtu nga mësimdhënës të dalluar.

Nga kjo vatër arsimore, ku mësimet i vijonin nxënësit e disa fshatrave, si: Banulla, Gllogovci, Gumnasella, Llugaxhia, Qallapeku, Rubovci e Kojska, dolën kuadro të njohura në fushën e mjekësisë, inxhinierë të makinerisë dhe të elektrikes, teknologë, mësimdhënës e profesorë, inxhinierë të ndërtimtarisë etj. Po ashtu, nga nxënësit e saj kishte edhe veprimtarë të çështjes kombëtare të cilët pushteti serbosllav i dënoi me disa vjet burgim.

Kjo vatër e arsimit fillor ka një sipërfaqe të madhe të oborrit. Një pjesë e madhe e tij ishte me pisha, plepa dhe pemë. Kishte edhe terrenet sportive dhe ato të gjimnastikës. Kabinetet ishin më modernet në vend, bibliotekë me një fond të madh të librave, kopshtin para shkollës përplot me lule të rregulluara për mrekulli, pastaj fontanën, basenin që nuk e kishte asnjë shkollë tjetër. Kur kujtohet e kaluara e saj, e si është ajo sot është tmerr. Pra, pasi ajo mbeti pa nxënës, për një kohë të shkurtër nga dora shkatërrimtare u bë si ta kishte goditur ndonjë tërmet shumë i fuqishëm. Sot i ka vetëm muret, e tëra e shkatërruar, si shkolla edhe objektet përcjellëse.

Shkolla ka vite që mbeti pa nxënës, sepse ata filluan të mësojnë në objektet e reja në fshatrat e tyre, si në Banullë, Gllogovc e Bujari. Për fat të keq, askush as sot nuk e di pse mbeti e harruar kjo shkollë, raporton “Epoka e re”.

Adil Avdullahu, ish-drejtor i kësaj shkolle prej vitit 1990-1996, si dhe një kohë të gjatë edhe arsimtar, gjatë bisedës me të ka shpalosur një historik të Shkollës Fillore “Emin Duraku” në Banullë-Gllogovc të Komunës së Lipjanit, duke përmendur mësuesit e parë dhe drejtorët. Pra, sipas tij, kjo vatër arsimore gjithmonë ka pasur mësimdhënës të zgjuar dhe nxënës të aftë. “Ajo ishte e kompletuar edhe me kabinete arsimore, madje kabinetin e fizikës e shfrytëzonin edhe studentët e Universitetit të Prishtinës. Prandaj, kjo shkollë nuk e meriton të jetë në këtë gjendje në të cilën është sot”, tha Adil Avdullahu, ish-drejtor i saj.

Më tej, ai pohoi se kjo shkollë duhet sa më parë të rinovohet dhe të funksionojë në shkollë të mesme ku ka numër të madh të nxënësve të fshatrave përreth. “Pra, kjo do të ishte lehtësi për nxënës, sepse nuk do ta paguanin rrugën që e paguajnë për të shkuar në Lipjan. Këtu nxënësit vijnë në këmbë, se e kanë shumë afër. Në këtë rast kursehen nxënësit, mësimdhënësit e stafi teknik. Mirëpo, do të kishte qenë veprim i qëlluar të hapej ndonjë fakultet kur dihet se shkolla është e rrethuar nga rrugët, ku afër e ka edhe magjistralen Prishtinë – Ferizaj dhe Lipjanin. Gjatë kohës nën okupim, nxënësit e shkollës së mesme që mësonin në Lipjan u përzunë nga shkolla. Deri me fillimin e luftës mësimet i kanë ndjekur në shkollën e lartpërmendur, ku ishin 640 nxënës të shkollës së mesme”, tregon ai.

Avdullahu ka shtuar se në këtë vatër të diturisë gjatë kohës së okupimit janë zhvilluar të gjitha aktivitetet politike, kulturore dhe sportive këtu, nga e gjithë Komuna e Lipjanit. “Këtu janë formuar edhe degët e partive politike, ato të sindikatave… Andaj, nuk kishte ditë e as natë që kësaj shkolle nuk i vërsuleshin milicët serbë të cilët i rrihnin dhe arrestonin aktivistët që i gjenin në shkollë. Madje barbarët serbë edhe procesin mësimor e pengonin”, ka pohuar Adil Avdullahu.

Ai ka thënë se institucionet përkatëse sa më parë duhet ta rinovojnë shkollën e ta shndërrojnë në shkollë të mesme apo në fakultet pasi, sipas tij, të gjitha kushtet i plotëson. “Mos të lihet kështu e shëmtuar si është sot. Kjo vatër e diturisë këtë gjendje nuk e meriton”, është shprehur ish-drejtori i shkollës në fjalë, Adil Avdullahu.

Ndërsa ish-arsimtari i kësaj shkolle, Ibrahim Ymeri, ka thënë se është një projekt i cili është i hartuar për rinovimin e kësaj shkolle. Pra, sipas tij, këtë do ta financojë një organizatë ndërkombëtare. Mirëpo, se cili do të jetë destinacioni i saj nuk mund ta dijë. “Unë kam propozuar te përgjegjësit e arsimit në Komunën e Lipjanit që shkolla të rinovohet e të bëhet shkollë e mesme bujqësore, sepse i plotëson të gjitha kushtet për këtë drejtim. Ose shkollë e mesme teknike. Të shohim, diçka do të bëhet”, ka thënë ky mësimdhënës i shkollës në fjalë.

Ismail Rexhepi /Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Annastasiya Kvitko së fundmi ka postuar disa fotografi në llogarinë…