Shkolla verore në Jalë bën bashkë të rinjtë nga Kosova dhe Shqipëria
Të rinjtë nga Shqipëria dhe Kosova kanë mundësinë të bëhen pjesë e shkollës verore që organizohet në Jalë më 24 deri më 27 korrik. Aplikimi mund të bëhet “online” në linkun që gjendet në faqet e ministrive përkatëse të arsimit.
“Do të përfshihen 120 pjesëmarrës të cilët do të jenë studentë nga institucionet e arsimit të lartë e të dy vendeve, me qëllimin e vetëm që ata së bashku të forcojnë urat e komunikimit dhe bashkëpunimit mes njëri-tjetrit, lidhur me tematika të ndryshme që do të trajtohen nga ekspertët, mbi edukimin formal informal tregun e punës”, ka thënë Lorena Haxhia, zëvendësministre e Arsimi në Shqipëri.
Ajo ka thënë se krahas trajnimeve mbi “Edukimin dhe Punësimin në shekullin e XXI”, nuk do të mungojë edhe argëtimi.
“Në të njëjtën kohë ata do të kenë mundësi që të rrisin njohuritë e tyre në modelet e ndryshme të trajnimit, por nga ana tjetër të përfshihen në aktivitetet sportive që do të realizohen në formën e garave të ndryshme dhe në veprimtari me natyrë artistike dhe kulturore”, ka thënë Haxhia. /Top Channel/