Shkon në 35 numri i viktimave nga tërmeti në Turqi
Në Turqi vazhdojnë kërkimet për të gjetur të mbijetuar nën rrënojat e ndërtesave të rrëzuara nga tërmeti me magnitudë 6.8 që goditi provincën e Elazigut më 24 janar.
Sipas autoriteteve turke, numri i viktimave ka shkuar në 35. Numri i të plagosurve përllogaritet në mbi 1500. Deri më tani janë shpëtuar 45 persona, përfshirë edhe një grua që u nxorr e gjallë pas 17 orësh.
Që pas goditjes së fuqishme, në Turqi janë regjistruar 530 pasgoditje sizmike, 9 prej të cilave kalonin magnitudën 4.
Përveç viktimave dhe të lënduarve, tërmeti shkaktoi edhe dëme të shumta materiale. 1521 ndërtesa janë verifikuar në zonën e goditur nga lëkundjet sizmike. 503 prej tyre kanë dëmtime të lehta, 38 janë dëmtuar mesatarisht dhe 645 objekte të tjera kanë pësuar dëme serioze.