Shkon në 706 numri i viktimave në protestat kundër grushtit të shtetit në Mianmar
Numri i të vdekurve si rezultat i ndërhyrjes së armatosur të forcave të sigurisë në Mianmar në protestat kundër puçit ushtarak dhe ndalimit të anëtarëve të zgjedhur të qeverisë është rritur në 706.
Sipas raportit ditor të publikuar nga Shoqata e Ndihmës për të Burgosurit Politikë (AAPP), në 24 orët e fundit janë konfirmuar edhe 5 humbje të jetëve të tjera.
Numri i përgjithshëm i viktimave është azhurnuar në 706 ndërsa i të arrestuarve në 3.059.
Ndërkohë, aktualisht ekzistojnë urdhra arresti për 657 persona të tjerë.
Nga ana tjetër, agjencia ndërkombëtare e vlerësimit Fitch Solutions, vlerësoi se ekonomia e vendit që u ndikua negativisht nga protesta kundër puçit ushtarak këtë vit do të tkurret për 20 për qind.
Grushti ushtarak në Mianmar
Ushtria e Mianmarit, pas pretendimeve nga grupet e afërta politike pranë saj për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.
Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.
Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe shumë vende, duke përfshirë Turqinë, kanë reaguar ashpër ndaj puçit ushtarak.
Qytetarët e Mianmarit më 6 shkurt filluan protestat kundër grushtit të shtetit me kërkesën për kthimin e demokracisë, ndërkohë që forcat e sigurisë kanë përdorur dhunë për t’i shtypur ato./tch/