Shkon në 922 numri i pelegrinëve të vdekur gjatë Haxhit
Bilanci i pelegrinëve të vdekur në gjatë Haxhit në Arabinë Saudite ka shkuar në 922. Shifrat bëhen të njohura nga Agence France-Presse (AFP). Shumica e vdekjeve i atribuohen të nxehtit. Nga sa raportojnë mediat ndërkombëtare, pjesa më e madhe e viktimave janë me kombësi egjiptiane.
“Të gjitha vdekjet (të shpallura shumë kohët e fundit) janë për shkak të vapës”, pasi temperatura maksimale arriti në 51.8 gradë Celsius”, tha një diplomat arab. Dhjetëra të tjerë janë raportuar të zhdukur, teksa familjarët kanë nisur kërkimet nëpër spitale.
Haxhi është një nga pesë shtyllat e Islamit dhe çdo mysliman që mund ta përballojë atë duhet ta bëjë të paktën një herë në jetën e tij.
Datat e haxhit caktohen sipas kalendarit mysliman, i cili bazohet në ciklet hënore dhe ritualet mbahen vitet e fundit nën temperatura përvëluese. Pelegrinazhi po vuan gjithnjë e më shumë efektet e ndryshimeve klimatike, paralajmëroi një studim saudit i publikuar në maj, i cili zbuloi se temperaturat në vendet ku mbahen ritualet po rriten me 0.4 gradë Celsius çdo dekadë.
Këtë vit raportohet se kanë marrë pjesë 1.8 milionë njerëz, shumica e të cilëve kishin udhëtuar nga jashtë.