Shkon në katër numri i të vdekurve nga sulmi me veturë në tregun e Krishtlindjeve në Gjermani

21 dhjetor 2024 | 12:39

Numri i të vdekurve nga sulmi me veturë në një treg të Krishtlindjeve në qytetin e Magdeburgut të Gjermanisë u rrit në katër të shtunën, sipas gazetës gjermane Bild, pasi një i dyshuar u përplas të premten në një turmë të madhe vizitorësh.

Autoritetet gjermane arrestuan një mjek saudit dhe po e hetojnë atë si të dyshuar, ndërsa mediumi gjerman “Der Spiegel” raporton se ai kishte simpati me partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD), shkruan Reuters.

Mbi 60 persona u plagosën, disa prej tyre rëndë, kur një automjet kaloi mes turmave të mbledhura në një treg në qytetin qendror, thanë zyrtarët lokalë. Mes të vdekurve ishte edhe një fëmijë i vogël.

Policia tha se arrestoi 50-vjeçarin nga Arabia Saudite, i cili jeton në Gjermani për gati dy dekada. Policia nuk e përmendi emrin e burrit dhe nuk ishte e qasshme për të komentuar mbi rritjen e raportuar të numrit të vdekjeve, transmeton Express.

Burri punonte si mjek në një qytet aty pranë, thanë zyrtarët lokalë. Policia kontrolloi shtëpinë e tij gjatë natës.

Një burim saudit i tha Reuters se Arabia Saudite kishte paralajmëruar autoritetet gjermane për sulmuesin pasi ai postoi pikëpamjet ekstremiste në llogarinë e tij personale X që kërcënonin paqen dhe sigurinë.

Der Spiegel raportoi se i dyshuari kishte simpatizuar me AfD. Mediumi nuk tha se ku e mori informacionin.

Agjencia e brendshme e inteligjencës gjermane nuk ishte e qasshme për koment.

Kancelari gjerman Olaf Scholz është planifikuar të vizitojë Magdeburgun të shtunën.

Sulmi vjen në një kohë të debatit të shtuar për migracionin dhe sigurinë në Gjermani, e cila po përgatitet për zgjedhjet e parakohshme më 23 shkurt.

AfD, aktualisht në vend të dytë pas opozitës konservatore, ka udhëhequr thirrjet për një goditje ndaj migracionit në vend.

Kandidatja për kancelare e AfD, Alice Ëeidel, dënoi sulmin dhe tha në X, “Fotografitë nga Magdeburg janë tronditëse! Mendimet e mia janë me të vdekurit dhe të plagosurit. Kur do t’i vijë fundi kësaj çmendurie?”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një ngjarje tragjike ka tronditur mbrëmjen e së premtes në…