Shkon në mbi 24 mijë numri i të vdekurve nga tërmeti në Turqi e Siri
Një autokolonë e dytë e kamionëve me ndihma ka hyrë në veriperëndim të Sirisë nga Turqia, përderisa ekipet e shpëtimit vazhduan që të nxirrnin njerëz të mbijetuar nën rrënoja – përfshirë një foshnjë të porsalindur – 100 orë pas tërmetit që ka shkaktuar më shumë se 24 mijë viktima.
Qindra mijëra njerëz kanë mbetur të pastrehë dhe me mungesë të ushqimit, shpesh në temperatura nën zero, pas tërmeteve me fuqi prej 7,8 dhe 7,6 shkallësh në Turqi e Siri të hënën. Dhjetëra shtete kanë premtuar ndihma dhe kanë dërguar ekipe emergjente në zonat e prekura.
Në Samandag, në provincën jugore turke, Hatay, një djalë 10-ditësh, i quajtur Yagiz, u nxor i gjallë gjatë natës nga rrënojat e një ndërtese, ndërsa në Kirikhan, shpëtuesit gjermanë nxorën të gjallë një grua 40-vjeçare, Zeynep Kahraman, më shumë se 104 orë pas tërmetit.
Një djalë 10-vjeçar u shpëtua gjatë natës me nënën e tij në distriktin Samandag të provincës Hatay, pasi kishin mbetur të ngujuar për më shumë se 90 orë, ndërsa në Diyarbakir, 32-vjeçarja Sebahat Varli dhe i biri i saj, Serhati, u nxorën të gjallë 100 orë pas tërmetit të parë.
Megjithatë, shpresa po zbehet se do të nxirren shumë të mbijetuar të tjerë. Sipas ekspertëve, vetëm rreth 6 për qind e njerëzve të goditur nga tërmeti e që nuk janë shpëtuar brenda pesë ditëve, mbijetojnë, në krahasim me 74 për qind për ata që nxirren brenda 24 orëve. Moti i ftohtë pritet që ta ulë nivelin e të mbijetuarve.
Në qytezën siriane, Jindires, një reporter i agjencisë “Reuters” bisedoi me Naser al-Wakaa-në, i cili po dëneste, i ulur mbi rrënoja që kishin qenë shtëpi e familjes së tij dhe duke e vendosur fytyrën në rrobat që i përkisnin njërit prej fëmijëve të tij./The Guardian