Shkon Vukiqeviqi, vjen Bunjaki ose Sokoli

31 tetor 2019 | 11:37

 Trajneri Dejan Vukiqeviq pas tre muajsh është larguar nga skuadra e Feronikelit pasi nuk arriti rezultatet e pritura në dymbëdhjetë xhirot e para. Në opsion për të zëvendësuar atë janë Albert Bunjaki dhe Bylbyl Sokoli.

Trajneri nga Mali i Zi, Dejan Vukiqeviq, është larguar edhe zyrtarisht nga skuadra e Feronikelit. Ndërprerja e bashkëpunimit me skuadrën e “Niklit” ishte pritur që disa javë, por vendimtare duket se ka qenë humbja ndaj Drenicës në Skenderaj (1-0).

Vukiqeviqi është përshëndetur të mërkurën paradite me lojtarët e skuadrës së Feronikelit, kurse stërvitjen e ka drejtuar ndihmëstrajneri Ramiz Dervishi. Të mërkurën pasdite edhe skuadra nga Drenasi nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare të klubit njoftoi për largimin e Vukiqeviqit. “Pas një bisede të trajnerit Dejan Vukiqeviq dhe presidentit të klubit, Naser Ramaj, që të dy janë pajtuar të ndërpritet bashkëpunimi, që do të thotë se Vukiqeviqi nuk do të jetë më trajner i FC Feronikelit. Është e dukshme që klubi po kalon në një fazë jo të mirë dhe se ndryshimet ishin të nevojshme, prandaj edhe erdhi deri te kjo ndërprerje e bashkëpunimit”, thuhet në njoftimin e “Niklit”.

Klubi kampion e falënderoi trajnerin Dejan Vukiqeviq për punën dhe profesionalizmin e treguar deri në ditën e tij të fundit si trajner i klubit, derisa bëri me dije se me kohë do të bëhet i ditur pasardhësi i trajnerit malazez. Vukiqeviqi tre muaj me parë ishte emëruar trajner i skuadrës së Feronikelit, derisa ishte edhe më i paguari në futbollin e Kosovës me 8 000 euro në muaj. Gazeta nga burime brenda Klubit të Feronikelit ka mësuar se pasardhës i teknikut malazez pritet të jetë ish-përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki, por në opsion, ashtu sikurse edhe herëve të tjera, është Bylbyl Sokoli. Skuadra nga Drenasi ndeshjen e radhës e zhvillon ndaj Ballkanit nga Suhareka, kurse aktualisht pozicionohet e gjashta në Superligë.

 

/Epoka e re/

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Organizata Iniciativa për Progres (INPO) ka publikuar raportin vjetor “Indeksi…