Shkrimi refleksiv i përjetimit të burgut

19 shkurt 2022 | 23:17

Fatos Lubonja “JETË BURGU”, Skanderbeg Books,Tiranë, 2021

Ismail Syla, ish-këshilltar i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Shkruan: Ismail Syla

Sekreti pse më pëlqeu libri “Jetë burgu” i Fatos Lubonjës u krijua pas leximit të trembëdhjetë tregimeve të lidhura me personazhe reale gjatë periudhës sa kishte qëndruar në burgjet e Shqipërisë socialiste për 17 vjet pandërprerë.

Në këtë libër autori nuk e ka vënë në fokus vetveten, por përmes fatit jetësor të të tjerëve e shpjegon vetveten. Këtu qëndron bukuria e librit që arrin t’i shpërfaqë mizoritë e burgjeve shqiptare.

Autori Lubonja nuk e tregon mishin e gjallë të tmerrit dhe llahtarisë së burgjeve shqiptare si rrëfim natyral, por përmes personazheve nxjerr efekte refleksive. Përjetimi cerebral e mund atë fizik.

Përmes këtij libri e zbërtheva idenë pse nuk më pëlqenin poezitë e Visar Zhitit me motive burgu. Derisa Visar Zhiti e pasqyron vuajtjen, Lubonja reflekton për vuajtjen. Teksti reflektues, analitik dhe sintetizues nuk të neveritet.

Teksti “mish i gjallë i vuajtjes” me mekanikën e dhembjes dhe përjetimit t’i rikthen torturat dhe vuajtjet çnjerëzore, e riciklon sekondë për sekondë vuajtjen biologjike, shpirtërore dhe psikikie. Është reproduktim i se keqes.

Pikëshikimi cerebral dhe teorik i motiveve të burgut i jep dimension intelektual vuajtjes dhe llahtarisë. Ky trajtim nuk do të thotë zbukurim as estetizim i së keqes. Përkundrazi. Është shikimi më i thelle mbi të keqen.

Kur lexon jetën e personszheve të burgosur përmes filtrit intelektual të Fatos Lubonjës e kupton më thellë përmasën antinjerëzore të regjimit komunist të Shqipërisë. Aty shihet se çfarë force destruktive vepronte mbi shpirtin njerëzor.

Puna e rëndë në galeritë e minierave, në ndërtimin e rafinerive, mungesa e ajrit dhe higjienës në dhoma burgjesh, pluhuri dhe rrobat e harxhuara në trupin e të burgosurve, ushqimi i mangët etj. janë njëra anë e medaljes së burgjeve shqiptare.

Qëndrimi i zyrtarëve ndaj të burgosurve, trajtimi i përditshëm i tyre, ridënimet e vazhdueshme, dora e hekurt e pushtetit mbi ta, është ana tjetër e medaljes, më e tmerrshmja, më e egra, më e egër se uria, se biologjia e torturës së tyre.

Autori nga një galeri tejet e madhe të burgosurish përzgjedh disa prej tyre. Ata i portretizon aq bukur, sa thua që në atë fat të zi, pati fatin e bardhë që botës sonë përmes librit t’ia thadrojë në mendje rreth 20 personazhe të paharruara.

Në tërë atë botë shtypjeje fizike dhe ndrydhjeje shpirtërore ka njerëz që nuk devijuan karakterin, që mbrojtën nderin, që në monotoninë e kohës pa kuptim nuk e shpërlanë të njerëzishmen brenda tyre.

Aty ka njerëz si Nuriu, bie fjala, që përballon burgun nga forca e dashurisë për çeken e Pragës, të cilën e takon pas disa decenieve. Ai e përballon burgun, por jo jetën pas burgut. Aq shumë e ka tëhuajzuar dhe eksploatuar, sa vetëm vetëvrasjen e ka zgjidhje të fundit.

Aty është Kujtimi, një njeri të cilit jeta dhe burgu (ekzistenca, sipas Sartrit) i japin drejtim krejt në kundërshtim me thelbin (esencën po sipas Sartrit) e tij prej poeti dhe krijuesi, i cili thur dhe mban mend mijëra poezi.

Aty është Zef Mala, i cili riburgoset vetëm pse kishte vënë mbi kokë kapelen e tipir republikë, me te cilën po identifikohej kreu i lartë politik i socializmit. Ai vdes në burg, në mjerimin më të thellë fizik.

Aty janë personazhet që nuk pajtohen me burgun dhe tentojnë arratisjen, duke rrezikuar midis pushkës së gjatë dhe automatikut, duke zgjedhur ijken në ndërrimin e rojes me armë të gjatë, më pak efikase për të shtënë mbi të arratisurit e pasuksesshëm, sepse tëre “kombi” ishte bërë polic.

Aty është personazh më vete macja me emrin “Çuçi” që vë përballë botën shpirtërore dhe humanizmin e pabraktisur të të burgosurve nga njëra anë, dhe, nga ana tjetër, administratorët e burgut, të pashpirt dhe plot urrejtje ndaj të burgosurve, të cilëve ua vrasin macjen.

Etj. etj.

Libri i Fatos Lubonjës “Jetë burgu” lexohet me një frymë, sepse temat që trajton janë të menduara gjatë, të bluara dhe të përpunuara aq mirë, për ta përçuar sa më të gjallë fatin e personazheve, duke e bërë të vështirën për t’u kuptuar lehtë.

Prishtinë, 19 shkurt 2022

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ndërtimi i hekurudhës Prishtinë-Durrës është marrë seriozisht nga qeveritë shqiptare.…