SHKRIMTAR I ANGAZHUAR DHE KRONIKAN I PAZAKONSHËM I UÇK-SË

24 korrik 2024 | 20:39

Shkruan: Mustafë Xhemaili

Në njërën nga ditët e javës që iku të këtij korriku, me temperatura gobiane, prita me kënaqësi në bibliotekën time në Komogllavë, mikun e vjetër, gazetarin, shkrimtarin dhe veteranin e UÇK-së, Riza Greiçevcin.

Pasioni i tij prej gazetari dikur, ndërvite iu kthye në një pasion tjetër! Ai shkroi shumë libra për UÇK-në, poezi për fëmijë dhe të rritur, tregime, rrëfenja, aforizma, përmbledhje urtësish, publicistikë, poezi humoristike, poema, drama, monografi, disa romane, etj.

Librin e parë “Gugumani” e ka botuar në vitin 1981, ndërsa më 1984 librin e dytë gjithashtu për fëmijë me titull “Ylberja”, ndërsa librin e tretë “Flamur nga Drenica”, e ka botuar më 1990. Që atëhere Riza Greiçevci ka tërhequr vemendjen e lexuesit dhe kritikës së kohës.

Nga kjo kohë, Riza Greiçevci, gazetar dhe shkrimtar i angazhuar, iu përkushtua plotësisht shkrimeve dhe botimit të librave, madje edhe sa ishte në radhët e UÇK-së, përveç punëve dhe angazhimeve ditore, ai gjeti kohë të shkruaj dhe botoj librat “Po vjen Drenica”, “Lis me degë”, “Dasmë në male” dhe “Të fala ngaTirana”. Gjatë kësaj periudhe lufte për liri me armë në dorë, ai kishte një bashkëpunim të ngushtë profesional me shkrimtarin e madh Odhise Grilo.

Deri tash ka botuar 130 tituj librash, pothuajse nga të gjitha zhanret e letërsisë.

Pas vitit 2000, Riza Greiçevci, botoi një numër të madh librash për luftën heroike të UÇK-së. Ndërsa kur ka filluar lufta tjetër e mbrojtjes së UÇK-së në Gjykatën e Hagës nga liderët e saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, ai ka botuar në mënyrë të veçantë 5 libra të rëndësishëm me material dokumentar kronologjik:
– UÇK-ja PARA GJYQIT, botoi LENA, Prishtinë, 2023
– PENDËL E KORBIT NË LËKURË TË SHQIPONJËS, botoi LENA, Prishtinë, 2024
– UÇK-ja GJYKOHET NË HAGË, botoi LENA, Prishtinë, 2024
– NËSE DO TË KISHTE ZOTI USHTRI, UÇK, EMRI I SAJ, botoi LENA, Prishtinë, 2024
– BUKË PËR DRENICËN, botoi LENA, Prishtinë, 2024

Riza Greiçevci, erdhi kësaj radhe në shtëpinë time dhe m’i solli disa libra të tij për bibliotekën time, e në mënyrë të veçantë këto 5 botime për aktualitetin e gjyqit që po zhvillohet në Hagë nga Drejtësia e Padrejtë ndërkombëtare kundër liderve të UÇK-së dhe liderve të saj, kundër Kosovës dhe lirisë së saj.

5 librat e Riza Greiçevcit, për gjykimin e UÇK-së në Hagë dhe liderve të saj, janë një pasqyrë e kthjelltë kronologjike. Aty shihet qartë se dhe pas rënies dhe shfuqizimit të akuzës së Dik Martit për trafikim organesh nga UÇK, ende po zhvillohet luftë e egër dhe e papresedan me tendecë të theksuar për dënime të pameritueshëm. Tashmë, kjo Gjykatë, po mbështetet vetëm në “dëshmitë” e depunuara nga Serbia dhe bashkëpunëtorët e tyre shqipfolës, “dëshmi” të cilat nuk kanë të bëjnë ASGJË me akuzën bazë për të cilën Kuvendi i Kosovës ka pranuar të themlohet Gjykata e Hagës.

***Riza Greiçevcin e kam njohur para vitit 1978. Por në këtë vit në planin e realizimit të temave të mia për RTP-në, ku punoja si gazetar dhe realizator, i kërkova Rizës, që të bëjë një skenar për jetën baritore të ambientit dhe jetës drenicake përmes këngëve. Ai, skenarin e bëri dhe unë e realizova reportazhin për jetën baritore në fshatrat Sankovc – sot Flamuras- (në kullosat e Goleshit dhe mrizet e Paskashit), Fushticë të Ulët (shpatijet e malit të Gurgulicës) dhe Fushticë të Epër. Reportazhi mbante titullin “Kënga e bareshës”, i cili u emetua në verën e atij viti në programet për fëmijë të RTP-së. Ndërsa në emisionin POSTA-POSTA, e kam pasur si njërin ndër gazetarët dhe shkrimtarët e talentuar. Që atëhere, me Rizën u bëm shok dhe miq.
***
Foto 1: 5 librat e Riza Greiçevcit, për Gjykimin e UÇK-së në Hagë,
Foto 2: Miku im Rizë m’i dhuron për bibliotekën time 5 librat për Gjykimin e UÇK-së në Hagë dhe 12 libra të tjerë, mes tyre kompletin e librave të tij që i ka shkruar për Fazli Greiçevcin, heroin e kombit.
Foto 3: Me mikun tim në mesin e librave të bibliotekës sime.
Foto 4: Një poezi e Riza Greiçevcit e shkruar gjatë luftës, deri sa ishte në radhët e UÇK-së, në Brigadën 114, “Fehmi Lladrovci”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar për ndryshimet që…