Shkrimtarët dhe veprat që i kanë lënë mbresa poetit Agim Vinca
Profesori, poeti, studiuesi i letërsisë, Agim Vinca, në kuadër të Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur, organizuar në objektin e bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në lagjen “Dardania” në Prishtinë, në qendrën “Libart”, të enjten për rreth dy orë ka bashkëbiseduar me të pranishmit për shumë tema me rëndësi. I pyetur nga moderatori, ish-studenti i tij, poeti dhe studiuesi Bedri Zyberaj, se cila periudhë e letërsisë, cilët shkrimtarë, cilat vepra ju kanë lënë mbresa më të mëdha, Vinca është përgjigjur: “‘Këngët e Milosaos’, ‘Lahuta e Malcisë’, ‘Vargjet e lira’, ‘Psalme murgu’, ‘Net shqiptare’, ‘Ylli i zemrës’. Këta të traditës. E bashkëkohorët janë shumë. Korpusi i veprës së Kadaresë është i madh, por ‘Kronikën në gur’ e dua shumë… e ‘Vdekja më vjen prej syve të tillë’ është vepra emblematike e prozës shqipe. Romani i parë postmodern shqiptar… vepër mjaft e veçantë është edhe ‘Gjarpinjtë e gjakut’. Po kaq të rëndësishme në letërsinë shqipe për mua janë edhe ‘Nga bibla e heshtjes’ e Shkrelit, ‘Lum lumi’ i Podrimjes dhe shumë të tjera”.
Tekstin: Berat Armagedoni. Fotografinë: Zjarr Bujari