Shkrimtarët shqiptarë, në Beogradin e vitit 1945
Nga: Dhimitër Shuteriqi
Në Hotel Moska, rastësisht, duke ngrënë, njohim poetin maqedon Benko Markovski, një djalë mbi të tridhjetat, ca brufollak, me dy sy të mëdhenj, esentrik në paraqitje, fjalëshumë. Është bërë i famshëm. Ilia Ehrenburgu e ka quajtur “themelues të letërsisë moderne”. Gëzohet të na njohë. Më nuk e takuam. (Pas vitit 1948 bëri burg, pastaj thanë që vdiq, po me sa kam dëgjuar, rron në Bullgari.)
Nëpër Beograd na shoqëron herë Daviçoja, herë Popoviçi, herë të dy. Flasin mirë frëngjisht. Oskari është një çifut fort i gjallë, ezmer, inteligjent, me talent të madh, thonë, i shkollave të fundit të letërsisë moderne. Pipa dhe bereta duan t’i japin dorën e fundit paraqitjes së tij si frëng e shkruar frëngu. (Rreth vitit 1948, më kujtohet se bëri emër të madh me një libër mbi Greqinë; sot i dëgjohet emri shumë si poet e romancier.) Jovani është një thatim disi i rezervuar, si një sllav i mbyllur, serioz, i sjellë, i përpiktë. Na tregohet vërtet i dashur. Komunist i vjetër, rreth 40 vjeç. Më jep me delikatesë librin e tij të botuar gjatë luftës, më 1944, “Istinite legjende” (legjenda të vërteta, tregime nga jeta partizane). (Këtë libër ia kam dhuruar Bibliotekës kombëtare, si gjë fort e rrallë qe ishte. Popoviçi më vonë qe ambasador në Kinë. Ka vdekur më 1955.)
Sjell në mend vizitën që bëmë bashkë në një ekspozitë të arteve figurative jugosllave, diku në Kalemejdan të Beogradit. Më kujtohet kemi zbuluar, unë dhe Kuteli, se Mosha Fijade (Pijade – v.j.) na qenka piktor. Piktor mediokër. Gjithë ekspozita bënte përshtypje për ndikim dhe imitim, herë të lumtur dhe herë jo, të artit perëndimor, sidomos frëng. Asgjë të jashtëzakonshme. As disa skulptura të Augustinçiçit, me të cilin mburreshin fort, me sa duket me të drejtë. Daviçoja dhe Popoviçi thanë fjalë të mira për ekspozitën, por nuk u treguan entusiastë. Për ta, “ishte pak e improvizuar” , gjë që “kuptohej” për atë kohë, fill pas luftës.
Në baçen e Kalemejdanit, një monument i Mestroviçit fliste vërtet për art të madh. Na erdhi keq që nuk vizituam monumentin kombëtar në Aval, vepër e tij.
Organizuam një takim në Lidhjen e tyre të Shkrimtarëve, ku unë fola mbi letërsinë shqipe, frëngjisht. Nuk pat nevojë për përkthyes. Një sallë mesatare, një tavolinë e madhe (selia s’ishte e ngrohur, në Beograd mungonte qymyri), njerëzit ishin strukur nëpër palltot e qyrqet e tyre, me duart në xhepa, me jakat e ngritura, ndonjëri me kapelën në kokë, sikur të ishim në ndonjë stepë. Dëgjonin me vërejtje, sidoqoftë. Konferenca pati sukses, sado informative ishte. Më shtrënguan dorën, pasi duartrokitën me zell.
Më afrohet një burrë i gjatë e me syze, më eleganti në sallë (elegantisim për atë kohë), me një paraqitje prej diplomati apo nobli, me një frëngjishte të thatë, plot akcent sllav, po korekte. Është Ivo Andriçi i famshëm, për të cilin kam dëgjuar shumë ato ditë, sepse ka botuar ose do të botojë një roman me rëndësi (“Ura mbi Drina”, që mori Çmimin Nobel.) Pas komplimenteve të rastit, më thotë:
Në mbrëmje, në hotel, troket dera e dhomës dhe hyjnë dy vetë. Njëri, me pallto lëkure, prezantohet Milan Bogdanoviç dhe prezanton shokun, Gligor (?) Gligoriç. I pari, – profesor i universitetit të Beogradit, kritik, historian i letërsisë; i dyti, drejtor i teatrit kombëtar në Beograd. Flasin frëngjisht mirë. Nuk dinë se si të çfajësohen se nuk erdhën në konferencën time dhe dëshirojnë të kenë tekstin e saj, për ta botuar në numrin e parë të revistës “Nasha knizhevnost” që do të botohet në janar. (Kështu u bë: konferenca ime u botua, pak e shkurtuar.) Edhe këta të dy nuk dinë gjë për letërsinë tonë. Tregojnë admirim për disa vjersha që unë kam përkthyer frëngjisht (“Mojsiu” i Nolit, “Vaje IV” e Çajupit, “ Zotit” prej Serembes e ndonjë tjetër). Me Gligoriçin pamë, në teatrit kombëtar, “Revizorin” e Gogolit. Ishte hera e parë që e shihja këtë vepër dhe me pëlqeu gjithëçka, pjesa, loja, regjia. Ato ditë nuk e di cila e përjavshme e Beogradit botoi tregimin tim “Ky çuni i madh i dajë Cenit”, të cilën më kujtohet se ma pëlqyen (Popoviçi). Shtypi i Beogradit, “Borba”, “Politika”, i bënë oshëtimë të mirë konferencës sime.
Kthimin e bëmë nga Shkupi, Dibra, Struga. Në Shkup qëndruam 2-3 ditë dhe shqiptarët e atyshëm na pritën mirë. Pat që na u qenë hapet, se maqedonët i trajtonin keq shqiptarët. Shkollën shqipe të Shkupit e kishin bërë kazermë dhe fëmijët i bënin mësimet pasdreke në shkollën turke. Kuptohej qëllimi: që të mos i shpëtojmë ndikimit turk. Turq në Shkup kishte shumë pak në krahasim me shqiptarët. Po kishte ende shqiptarë turkofilë. Fesat e kuq ishin gjë e zakonshme në lagjet muhamedane përtej Vardarit. Në një fshat shqiptar pranë qytetit (Dançevo?), hoxha na foli me mllef kundër sllavëve, duke na treguar se si tokat e tyre në fushë ua kishin rrëmbyer malazezët në kohën e carit.
Patëm një takim me gazetën “Nova Makedonia” dhe na morën në intervistë. Kryeredaktori, një djalosh, nxinte kur dëgjonte se shqipja kishte libra të shtypura që nga shek. XVI. Shqiptarët dolën njerëz me kulturë! Kujtonin se letërsia jonë lindi që nga Lufta an. çl. dhe nuk u besonin veshëve. Gazeta botoi vetëm disa rrjeshta nga intervista. Këtë lajm ish e detyruar të botojë edhe gazeta shqipe e Shkupit, “Flaka e vëllazërimit” dhe asgjë më shumë. Binte era shovinizëm që atje tutje.
Pas një moti kam njohur Oto Zhupançiçin, kur bëra vizitën e dytë në Jugosllavi, për të marrë eksperiencë, me rastin që po krijonin Institutin pedagogjik dyvjeçar (dhjetor 1946). Në Lublianë, bashkë me Aleks Budën, ishim mysafirë të djalit të poetit, një gjeograf, i cili, atë verë, kaloi disa ditë në alpet e Shqipërisë, bashkë me nj’a dy shokë të tij të Zagrebit. Zhupançiçi, mbi 70 vjeç, plak i bardhë dëborë dhe mjaft i mbajtur, shumë i qeshur tregoi admirim të madh për popullin tonë dhe për luftën që kishim bërë. Kishte përkthyer ahere diçka të Shekspirit dhe që kishte bërë bujë. Na thanë se me qejf të madh do të përkthente diçka nga shqipja, po ta ndihmonim. Kishte qejf të dëgjojë se si tingëllonte kjo gjuhë dhe u enthuzias kur i treguam se përkthimet nga Shekspiri në shqipet ishin kryevepra.
Në Lublianë, profesori Nahtigal, plak dhe ai, na priti gati me indiferencë. “Nuk merrem më me shqipen”, na tha, kur i kërkuam një mendim për krijimin e një katedre të gjuhës dhe letërsisë shqipe në Institutin tonë pedagogjik.
Në Zagreb, Petar Skoku na priti me inat, sepse kishte marrë vesh që ne çuditshëm se si kishte bërë asistent të vetin për shqipen Gjergj Komninonë. “Ma kërkoni mendimin tim me shkrim, që t’ua dërgoj”, na tha. Në Beograd, përkundrazi, profesor Bariçi u tregua i gatshëm e na bëri sugjerime interesante mbi katedrën që projektonim. Ai nuk la gjë pa thënë kundër pushtetit në fuqi, që s’e trajtonte mirë. Kryetari i Komitetit për Arsimin na priti në mënyrë korekte, po sekretari i tij, Ivo Frol, u tregua nervoz, kur i thanë se librat shkollorë të premtuara prej tyre nuk i kishin marrë. “Ne i nisim, po ku mbarojnë?” Froli ishte shkrimtar dhe kishte vizituar pak më parë Shqipërinë. E mbante kokën lart dhe na shihte që nga maja e reve. Veç takimit zyrtar, nuk na u afruan fare, ndonse unë e kisha pritur o i kisha bërë nder në Tiranë. Më 1948 kam marrë vesh që jugosllavët bënë çmos që ne të mos e ngremë Institutin tonë pedagogjik. Vendosëm shpejt e shpejt të çelin në Beograd një degë të shqipes në universitet dhe aty vumë Dançetoviçin. Ky qe një mot profesor i serbishtes në Institutin tonë pedagogjik dhe shqipen e kishte mësuar në Kosovë, ku kishte mbledhur edhe folklor shqiptar. Përpjekjet e jugosllavëve kundër Institutit tonë i kam marrë vesh nga Fadil Paçrami, ahere zv.ministër i arsimit.