Shkrimtari Agim Vinca dhuroi libra për shkollën ‘Azemi e Salihu’ të fshatit Gllogovicë të Prishtinës
Shkrimtari dhe intelektuali ynë i njohur, prof. dr. Agim Vinca, i dhuroi këto ditë bibliotekës së shkollës “Azemi e Salihu” të fshatit Gllogovicë një kontingjent prej 200 librash.
Me këtë rast prof. Vinca u uroi nxënësve dhe arsimtarëve të kësaj shkolle një vit të mbarë e të suksesshëm shkollor, me dëshirën që të shoqërohen sa më shumë me librin, i cili ka qenë dhe vazhdon të mbetet burimi kryesor i dijes.
Muaji tetor, theksoi ndër të tjera profesor Vinca gjatë takimit të Gllogovicë, është tradicionalisht muaj i librit dhe i letërsisë, prandaj ai e ka parë të arsyeshme që pikërisht në këtë muaj t’i dhurojë bibliotekës së shkollës të këtij fshati të largët një sasi librash të zhanreve të ndryshme, në mesin e të cilave mbizotërojnë librat për fëmijë e të rinj.
Drejtoria e shkollës së mesme të ulët “Azemi e Salihu” në Dabishevc, paralelja e ndarë në Gllogovicë, e falënderon profesor Agim Vincën për këtë gjest të tij.
/Epoka e re/