Shkrimtari Besnik Mustafaj fton miqtë e tij ta lexojnë “Eskadronët e vdekjes” të Bardhyl Mahmutit
Shkrimtari i njohur shqiptar Besnik Mustafaj, veprat e të cilit janë përkthyer në shumë gjuhë të botës, e cilëson romanin “Eskadronët e vdekjes” të Bardhyl Mahmutit si ngjarje e shënuar për letërsinë shqipe bashkëkohore dhe fton të gjithë miqtë e tij ta lexojnë këtë vepër, të cilën e cilëson “një ndërmarrje shumë e guximshme dhe pohon se është i lumtur që Bardhyl Mahmuti ia ka arritur të na japë një shembull të lavdërueshëm se gjuha shqipe është e aftë ta shprehë një mizori te skajshme pa rënë në patetizëm”.
Në këtë kontekst vlen të përmendet se në postimin e Besnik Mustafajt ka komentuar edhe Virion Graçi, shkrimtar i mirënjohur shqiptar i përkthyer në disa gjuhë botërore.
Ai shkruan:
“Tani po e rilexoj. Jam te faqja 356. Një rrëfim që sintetizon fotografinë historike me elementet e trillit romanor. Fatmirësisht, mbizotëron faktografia, historia e letrarizuar”.
Të gjithë të interesuarit për romanin “Eskadronët e vdekjes” mund t’i drejtohen Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur”, që ka marrë përsipër botimin e kësaj vepre letrare.
Postimi i plotë i Besnik Mustafaj në Facebook:
Romani “Eskadronet e vdekjes” i Bardhyl Mahmuti eshte nje ngjarje e shenuar per letersine shqipe bashkekohore. Jane shkruar shume analiza historike si dhe libra me kujtime nga protagonistet lidhur me terrorin genocidal qe ushtroi regjimi i Milosheviçit mbi popullin shqiptar te Kosoves gjate dekades se fundit te shekullit XX. Keto botime kane dhe do te kene rendesine e tyre te pazevendesueshme per te rindertuar dhe sistemuar Historine dhe te verteten e saj si kujtese kolektive. Por, ne dijenine time, asnje shkrimtar nuk i eshte qasur ne keto permasa kesaj te vertete per ta rindertuar ate si lende romaneske. Ka qene nje ndermarrje shume e guximshme dhe jam i lumtur te pohoj sot se Bardhyl Mahmuti ia ka arritur, duke na dhene nje shembull te lavderueshem se gjuha shqipe eshte e afte ta shprehe nje mizori te skajshme pa rene ne patetizem. Nuk di ndonje rast tjeter letrar, ku gjuha shqipe te ishte vene ne nje prove te tille te madhe. Meritat i takojne romancierit Bardhyl Mahmuti. Dua te nenvizoj edhe nje aspekt tjeter ne kete shenim te shkurter. Dihet se Bardhyl Mahmuti ka qene pjesemarres aktiv ne keto ngjarje. Si romancier, ai duhej te perballej gjithe kohen e shkrimit me tundimin e “deshmitarit” te ngjarjeve. Ka qene nje kurth i madh ky. Po te kishte rene ne te, autori do e kishte renduar romanin pashmangshem me emocionet e veta, duke e ngushtuar dashje pa dashje driten qe hesh mbi te verteten njerezore, kombetare dhe politike te protagonisteve te romanit. Shmangia e ketij kurthi eshte nje fitore themeltare per romanin. Meriton vetem pergezime. I ftoj te gjithe miqte e mi ta lexojne dhe shpresoj se Bardhyl Mahmuti do te na vije serish me nje roman te ri.