Shkrimtari dhe njeriu
VJOLLCA DIBRA
- Identiteti
Duket sikur jemi mësuar që në mënyrë të vetëkuptueshme e konvencionale ta marrim nocionin identitet si të njohur e kuptimplotë. Megjithatë, si për të vënë në sprovë dijen tonë, s’kemi pse të mos e shohim se ç’kuptim i japin fjalorët. Termi identitet, nga latinishtja identitas, do të thotë mëvetësi, njëjtësi. Përtej kësaj, në esencën e vet, identiteti paraqet materien dhe shpirtin, truporen dhe frymoren, subjektin dhe objektin, mendimin dhe qenien, jo si dy gjëra parimisht të kundërta, por të njëjta dhe të mëvetësishme që ndryshojnë vetëm në planin e paraqitjes dhe të perceptimit të të njëjtës substancë.
Kur flitet për identitetin e qenies njerëzore doemos që kihet parasysh edhe origjina e ardhjes së tij në jetë, vendi, koha dhe përkatësia kombëtare e shtetërore, konfesionale dhe klasore. Nuk është shpikje jona që në këtë formatim e gjejmë me ndikim edhe faktorin e trashëgimisë, të elementeve antropologjike e të tjera. Është çështje tjetër nëse për subjektet tona të këtij punimi, pra për Poundin, Andriqin dhe Handken, na japin a nuk na japin rezultatet e kërkuara. Sidoqoftë, është një shkallë e patejkalueshme në punë të hulumtimit të vokacionit të tyre prej shkrimtarësh dhe prej njerëzish me ndikim në mjedisin e tyre dhe gjetiu në hapësirat historiko-letrare botërore.
- 1. Ezra Pound
Ezra Weston Loomis Pound lindi më 30 tetor 1885 në një qytet të vogël të minierave, në Hailey, atëherë pjesë e territorit të Idahosë. Babai i tij, Homer Loomis Pound, vinte me origjinë nga Wisconsin dhe ishte i punësuar si regjistrues në Zyrën e Përgjithshme të Shtetit në Hailey.
Nëna e Ezrës, Isabel Weston, ishte nga Nju-Jorku. Ngaqë nuk mund të përshtatej me jetën në Hailey ajo, më 1887, u kthye në qytetin e lindjes, duke marrë me vete Ezren, foshnjën një vit e gjysmë. Ezra qe fëmija i tyre i vetëm.
Më vonë familja u transferua në Jenkintown, diku në periferi të qytetit. Ezra filloi atje arsimin e tij në shkollën e famshme të Miss Elliot, por pjesën më të madhe të viteve të rinisë e kaloi në Wyncote, ku babai i tij kishte blerë shtëpi. Këtu ai u regjistrua për herë të parë në Shkollën Chelten Hills të familjes Heathcock.
Më 1896, derisa studionte në Florence, në shkollën Ridpath, Ezra njëmbëdhjetëvjeçar botoi poezinë e tij të parë. Ishte një poemë humoristike pesëvargëshe, një poezi përkushtuese që i dedikohej kandidatit demokrat William Jennings Bryan. Një vit më vonë ai u pranua në Akademinë Ushtarake Cheltenham, ku studioi latinisht, anglisht, histori, aritmetikë, mjeshtëri dhe stërvitje ushtarake. Një detaj i rëndësishëm këtu e vlen të theksohet. Krahas mësimeve të tjera, Ezra mësoi edhe rëndësinë e nënshtrimit ndaj autoritetit.
Është pikërisht kjo kohë kur ai për herë të parë bëri një turne në Evropë. Në këtë itinerar tremujor u përfshin pesë shtete: Anglia, Belgjika, Gjermania, Zvicra dhe Italia.
Ai është diku rreth moshës gjashtëmbëdhjetëvjeçare, sapo ka përfunduar diplomimin dhe, çuditërisht, i shfaqet ideja të bëhet poet. Madje një ide të tillë edhe ua kishte shpalosur prindërve.
Më vonë Ezrën e gjejmë në Kolegjin e Arteve Liberale të Universitetit të Pensilvanisë, megjithëse u largua që andej pa diplomuar. Pastaj e shohim në Kolegjin Hamilton ku ndoqi edhe një kurs shkencor latinisht dhe studioi dialektin provansal si dhe anglishten e vjetër. Është koha kur ai ngulmon t’i thellojë njohuritë lidhur me artin poetik, përkatësisht me poezinë. E gjen të domosdoshme që për ta përmbushur këtë qëllim t’i futet mësimit të gjuhëve të huaja. Duket e pabesueshme, por ai mësoi nëntë gjuhë dhe zuri leximin e letërsisë orientale të përkthyer. Duket se më shumë se gjithçka e motivoi dhe e mbushi ideja e poezive të gjata sipas shembullit të Dantes.
Në vitin 1905 Poundi mori diplomën në filozofi nga Kolegji Hamilton. Më vonë u kthye në Universitetin e Pensilvanisë për të studiuar gjuhët romane. Po aty ai filloi të punojë për tezën e doktoratës me një bursë të Hamiltonit, e cila jo vetëm që mbuloi tarifat e tij të shkollimit por, gjithashtu, i siguroi një kompensim udhëtimi prej $ 500. Disertacioni i tij kishte për qëllim të tallej me dramaturgun spanjoll Félix Lope de Vega y Carpio. Punë që nuk e përfundoi.
Në janar të vitit 1909 ai takoi Olivia Shekspirin dhe, përmes saj, poetin anglez W. B. Yeats. Më pas të dy burrat krijuan një miqësi të ngushtë. Nga kjo linjë njohjeje do të rezultojë që vajza e Olivia Dorothy të bëhej një ditë gruaja e Poundit.
Një vit më vonë ai u kthye në ShBA, duke u përpjekur të vendoset si poet në Filadelfia. Meqë një qëllim i tillë nuk u realizua, Ezra u kthye sërish në Angli. Pas një vizite të shkurtër në Paris, ai u vendos në Londër, duke shkruar një kolonë javore për revistën socialiste, The New Age (Epoka e re). Nga këtu Poundi u emërua korrespondent në Londër i Poetry, një revistë me seli në Çikago. Ai punoi shumë për të, duke rishikuar veprat e shumë poetëve të ardhshëm si Robert Frost dhe D. H. Lawrence. Kushdo që ka lexuar shkrimet e Lawrences, sidomos reportazhet e tij nga Italia, është e pamundur të mos mrekullohet nga magjia e përshkrimeve të tij. Në këtë vlim kulturor Ezra shumë shpejt u bë një emër i mirënjohur në qarqet letrare të Londrës.
Lajm i rëndësishëm në biografinë e Ezrës është edhe fakti që ai tashti zuri të bashkëpunojë me James Joycen, në atë kohë thuaja i panjohur, dhe ndihmoi në botimin e dy romaneve të tij, Portrait of the Artist as a Young Man (Portreti i artistit në rini) dhe Ulysses (Uliksi), një vepër që më vonë do të radhitet në mesin e kryeveprave të shekullit XX duke u bërë model i romanit të përroit të ndërgjegjes.
Më 1920 ai u largua nga Anglia përgjithmonë. Fillimisht zuri vend në Francë. Atje u miqësua me një numër artistësh dhe shkrimtarësh, por deri në vitin 1924 ai u ngop me skenën parisiene dhe vendosi të lëvizte përsëri, megjithëse aty ai bëri një miqësi të paparë me Ernest Hemmingwayn.
Në Itali zgjodhi për të jetuar në qytetin Rapallo, vend ku kaloi dy dekadat e ardhshme të jetës. Aty u shtri një veprimtari e gjerë krijuese e tij, po aq sa edhe fërkimet politike me qarqet më të larta nga krerët e shtetit amerikan e deri te konceptet për Luftën e Parë Botërore, ku ai zuri të besonte se kapitalizmi ishte shkaku i saj, duke fajësuar bankierët hebrenj. Jemi në kohën kur (më 1933) ai takoi edhe vetë Benito Musolinin.
Në prill të vitit 1939 u kthye në ShBA, duke u përpjekur ta ndalonte vendin të përfshihej në Luftën e Dytë Botërore. Përpjekja e tij rezultoi e kotë, ndaj u kthye sërish në Itali, por duke e ruajtur shtetësinë e tij amerikane.
Këtu shfaqet skandali i pandreqshëm i tij kur zuri të shkruajë artikuj antisemitë për gazetat italiane si dhe për gazetën fashiste të Sir Oswald Mosley, Action. Ai, po ashtu, i shkroi një letër James Laughlin, duke kritikuar Roosevelt dhe e nënshkroi atë me Heil Hitler!
Në vitin 1943 u gjykua për tradhti (në mungesë), por mbrojtja e tij konsistonte në të drejtën për fjalën e lirë përmes letrës.
Kur përfundoi lufta dhe Italia iu dorëzua forcave aleate, Ezra Poundi u arrestua nga Ushtria amerikane, diku në maj 1945. E burgosën në një kafaz të vogël teli me dysheme betoni, i mbajtur në Qendrën e Trajnimit Disiplinor Amerikan pranë Pizës. Në këtë kohë dhe nën një regjim të pashembullt pësoi një shkarje mendore.
Poundi u soll përsëri në ShBA më 15 nëntor 1945 dhe më 25 nëntor u akuzua për tradhti por, para se të gjykohej, u shpall i çmendur dhe u shtrua në spitalin St. Elizabeths. Fillimisht u mbajt në repartin e të burgosurve, por më vonë e zhvendosën në mjediset më të rehatshme të Chestnut Ward.
Pastaj shumë miq filluan fushatën për lirimin e tij. Ai mori vrullin e nevojshëm kur Ernest Hemingway, (i cili fitoi Çmimin Nobel për Letërsinë më 1954), më 1957 u zotua t’i jepte 1 500 dollarë Poundit pas lirimit të tij. Përfundimisht, në prill 1958, ai u la i lirë.
Në korrik 1958 u soll përsëri në Itali ku jetoi derisa vdiq, më 1972.
Kronologjia e jetës së Ezres është aq e dendur sa, po të paraqiten të gjitha hollësitë, do të përvijohej një sagë e pafundme.
- 2. Ivo Andriqi
Lindi më 9 tetor 1892. Së paku kështu e paraqesin sipas regjistrit të lindjes. Ivan Andriqi, i biri i Antun Andriqit dhe Katarinës në Travnik. Aty Andriqi qëndron vetëm një muaj. Me të, të mbështjellë si foshnjë, nënë Katarina zhvendoset në Sarajevë, ku Antun Andriqi punonte në një biznes të bluarjes së kafesë. Meqenëse pas dy vjetëve i ati i vdiq nga tuberkulozi, Katarina me të birin u zhvendos në Vishegrad, te kunata e saj, e cila nuk kishte fëmijë. Shkollën fillore e ndoqi aty në qytetin e vogël pranë Lumit Drina. Të mesmen e vijoi në Sarajevë.
Punimin e parë letrar Andriqi e nxori nga shtypi në Bosanska vila në vitin 1911. Më vonë u regjistrua, fillimisht në Universitetin e Zagrebit, pastaj në Vjenë e Krakovë.
Me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore (1914) ai u arrestua në Split dhe pastaj u transferua në burgun e Mariborit, ku qëndroi një vit. Pastaj ai u dërgua në fshatin Ovcarevo afër Travnikut dhe, së fundi, në Zenicë.
Ndërkohë u amnistua shkaku i shëndetit të dobët dhe vajti në Zagreb ku mori tretman mjekësor. Gjatë qëndrimit aty, së bashku me shokë, shkrimtarë të tjerë të rinj, përgatitën nxjerrjen e revistës letrare Knjizevni jug (Literary South). Më 1918 botoi librin e parë me poema në prozë Ex Ponto. Një vit më vonë u vendos në Beograd. Së pari punoi në Ministrinë e Religjionit, pastaj në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Serbisë, Kroacisë dhe Sllovenisë ose siç njihej atëherë sipas akronimit Mbretëria SHS.
Më 1920 e gjejmë të emëruar në Legatën Jugosllave të Vatikanit. Në fakt, karrierën e tij diplomatike e kishte filluar si nëpunës i zakonshëm civil, i cili, pas Bukureshtit, Trieshtës, Grazit, Parisit, Madridit, Gjenevës dhe Berlinit, u ngrit në postin e legatit.
Më 1924 në Grac të Austrisë paraqiti tezën e doktoratës Zhvillimi i jetës shpirtërore në Bosnjë nën ndikimin e rregullave turke.
Në Jugosllavi u kthye në verën e vitit 1941, pikërisht në Beogradin e okupuar, ku jetoi në pension, duke shkruar, por jo duke botuar. Refuzoi të bashkëpunonte me autoritetet pushtuese dhe kuislinge.
Ndërkohë, përveç gjuhës gjermane, të cilën e fliste dhe e shkruante mjaft mirë, ai mësoi edhe sllovenishten dhe përktheu disa vepra të autorëve të njohur sllovenë si Franc Preshernin e të tjerë.
Me të mbaruar Lufta e Dytë Botërore, më 1945, ai njohu autoritetet e reja të pushtetit dhe botoi punimet e tij më të rëndësishme, novelat e tij më të mira të shkruara gjatë periudhës së luftës.
Autoriteti i tij u njoh dhe u pranua në të gjitha qarqet duke u nderuar me aderim në akademitë e shkencave dhe të arteve në Kroaci, Slloveni e gjetiu. Veprat e tij u përkthyen dhe u botuan me të madhe edhe jashtë shtetit dhe pikërisht kjo njohje dhe ky promocion ndërkombëtar edhe bëri që ai, më 1961, të nderohet me çmimin Nobel, me çmimin më të lartë botëror për Letërsi.
Vdekja e zuri në Beograd, në mars të vitit 1975.
Njësoj si Ezra Poundi edhe biografia e Andriqit është shumë e begatë dhe voluminoze. Ne këtu sollëm vetëm pjesët që përbëjnë shënimet e përgjithshme biografike, ato që e paraqesin identitetin e tij bazik.
- 3. Peter Handke
Lindi më 6 dhjetor 1942 në Friffen, Kerntën të Austrisë. Janë të pakta të dhënat për fazat e hershme të arsimimit të tij, por më 1961, për katër vjet, e gjejmë duke ndjekur studimet për jurisprudencë në Grac.
Mbahet mend si një njeri që ndërron shpesh vendbanimet. Sa e gjejmë në Dyseldorf, na shfaqet në Berlin. Që andej në Paris e Frankfurt, në ShBA e gjetiu.
Në vitin 1978 udhëton nëpër Jugosllavi, Greqi, Egjipt e Japoni.
Është autor i poezive, eseve, dramave, romaneve dhe skenarëve për film. Nga veprat e tij të deritashme vlen të përmendën Letër e shkurtër për ndarjen e gjatë, Ora e ndjenjës së vërtetë, Ankthi para penalltisë, Kinezi i dhimbjeve, Pasdite e një shkrimtari, Gruaja mëngjarashe, Historia e fëmijës, Mungesa e të tjera. Një nga veprat që ka bërë bujë posaçërisht është Një brengë përtej ëndrrave, botuar në vitin 1972. Kohë më parë ai kishte shkundur vëmendjen evropiane me Fyerje publikut (1966).
Që nga viti 1991 jeton në Paris.
Në vitin 2019 u nderua me çmimin Nobel për letërsi.
- Individualiteti
Për t’i parë në këtë plan të tre “personazhet” tona ne sërish po nisemi nga shpjegimet që i japin fjalorët nocionit individualitet. Njësoj si identiteti, edhe individualiteti na vjen nga shprehja neolatine individualitas, që do të thotë njësi, një i vetëm, një bashkëdyzim që jep njëjësin, tërësinë e mëvetësishme. Po në këtë kontekst, përveç shpjegimit leksikor, tek individualiteti i njeriut ne gjejmë tërësinë e vetive, të virtyteve, të manive, të veseve të tij, të pangjashme me të tjerët; gjejmë kredon, dhuntinë krijuese, vokacionin dhe profesionin e tij; gjejmë prirjen drejt veçantive për t’u shquar midis të tjerëve dhe mbi të tjerët. Kjo dallueshmëri nga të tjerët autorin, njeriun e krijuesin, e bën krejt të mëvetësishëm dhe, njëkohësisht, të pranuar në rrethin shoqëror për aq sa në një stad zhvillimi ai njihet e pranohet si autoritet i pakontestueshëm. Shkalla e individualitetit prandaj e bën atë të identifikueshëm edhe në planin promocional, duke ushtruar ndikim edhe te të tjerët që e rrethojnë ose edhe tek ata që vijnë pas tij.
Në këtë rrafsh individualiteti i Poundit, Andriqit dhe Handkes vihet re jo vetëm në planin historiko-letrar, po edhe në planin shoqëror e politik të kohës në të cilën jetojnë e më tej.
Po të vëmë re me kujdes, në planin konceptual këtu, pavarësisht prej moshës së ndryshme dhe rrethanave të jetesës, gjejmë diçka përafruese midis tyre. Për dy të parët është sfondi i Luftës së Parë Botërore, po edhe i Luftës së Dytë Botërore ku ata jo vetëm jetojnë, po edhe kanë impakt në rrjedhat e tyre. I treti, ndërkaq, Peter Handke, vjen në këtë botë pikërisht në mesin e Luftës së Dytë Botërore. Duket si një ndërlidhje metafizike e shpirtërore midis tyre në aspektin e asaj që ne e quajmë fat ose fatkeqësi të jetës së njeriut. Si rrallë autorë të tjerë, ngjashmëria midis tyre, pra individualiteti, duket që larg pa përfillur shkakun e pasojën ose kauzalitetin. Është pikërisht qëndrimi i tyre antirrjedhë që i përbashkon dhe ky ballafaqim me jetën i nxjerr me një natyrë të çuditshme bipolariteti.
Përfundimisht mund të thuhet se që të tre janë individualitete të shquara në fushën e letërsisë në shekullin XX.
- 1. Poundi
Është rast i rrallë, për të mos thënë i vetëm, që Poundi punon përreth gjysmë shekulli në poemën e tij The Cantos, e filluar diku me të hyrë të shekullit XX. Më saktë, në mesin e dekadës së dytë dhe deri në fund të dekadës së shtatë, më 1969. Kështu diçka më parë kishte bërë vetëm Gëte me Faustin. S’do mend se ky ishte projekti i tij më madhështor dhe më ambicioz, sigurisht në frymën e zotimin e parë të adoleshencës, kur prindërve u kishte thënë se “do të bëhej poet”. Pavarësisht faktit nëse ishte qëndrim i menduar, për moshën që kishte, apo vetëm një reflektim adoleshent ai, megjithatë, e realizoi atë, duke përmbushur dhe formësuar plotësisht individualitetin prej krijuesi letrar.
Ndërtimi dhe struktura e poemës së tij, e cila përqafoi tradita të shumta në formë e përmbajtje, që i mori aq kohë, pasqyron njëkohësisht punën e tij dhe formësimin e individualitetit krijues. Publikimi në trajtë të pjesshme ndër vite i poemës dëshmon edhe për procesin e rikrijimit të vazhdueshëm. Në këtë plan vihet re edhe prania e ndikimeve të ndryshme. Jo vetëm kaq. Ai edhe para dhe gjatë asaj përpjekjeje shkroi një seri poezish novatore, lirike dhe dramatike që identifikoheshin herë në variacione imazhizmi dhe herë tjetër si vorticizëm që, ndërkohë, paraqitnin edhe trendët moderne poetike. Poundi, ndoshta më shumë sesa që ishte në të vërtetë, u etiketua si imazhist. Ndërkaq, më parë ai ishte angazhuar me romancën që çoi në besimin e tij se “arti është jetik” vetëm kur interpreton dhe shfaq atë që artisti e “percepton me intensitet më të madh dhe më intim sesa publiku i tij”. Ky ishte një koncept që në njëfarë dore shpalonte poetikën e tij, po mund të thuhet edhe sprovën ose teorinë letrare poundiane. Imazhizmi u zhvillua si një reagim kundër abstraksionit, duke kërkuar me këmbëngulje qartësinë të cilën, sipas tij, na e jepte haiku japonez, po edhe tekstet e lashtësisë greke. Në Disa gjëra nga një imazhist (1913) Poundi përshkroi estetikën e re: Imazhi është paraqitja e “një kompleksi intelektual dhe emocional në një çast të kohës” të trajtuar sipas rregullave të caktuara që parakuptojnë trajtimin e drejtpërdrejtë të “sendit”, pavarësisht nëse është subjektiv apo objektiv; mospërdorimin e asnjë fjale që nuk i kontribuon paraqitjes, ndërsa në planin e ritmit kërkonte ndërlidhjen e kompozicionit me sekuencën e fazës muzikore. Kjo e bënte atë që t’u shmangej me çdo kusht aspekteve simboliste, ekspresioniste ose romantike dhe të ngulte këmbë në paraqitjen objektive të materialit, duke besuar se ai mund të mbahej vetiu në këmbë. Ky koncept krijues u formulua më saktë në ABC të leximit (1934), ku ai përçaktoi vetitë thelbësore të kësaj metode e cila u mbështet në hulumtimin e drejtpërdrejtë të objektit dhe në gjetjen e mjeteve për ta bërë atë më të ngjeshur. Për këtë qëllim, ideogrami kinez, për t’u bërë integral për The Cantos, i siguroi Poundit një shembull të drejtpërdrejtë të metodës së re objektive. Ideogrami, shpjegoi ai, nënkupton gjënë, veprimin ose situatën, ose cilësinë që vjen nga disa gjëra që ai paraqet (Pound, 1968:21).
Rryma e imazhizmit, ndërkaq, nuk është e panjohur edhe gjetiu nëpër botë. Në Rusi, bie fjala, themelohet një grup poetësh ose, siç quhej ndryshe, Grupi i Odesës, që mblidhte të rinjtë krijues me një vullnet të paparë për ndërtimin e poezisë së imazheve.
Poundi nuk e bënte këtë si një kapriçio çasti, si një trill poetik, por të paramenduar, duke e ditur se çfarë po kërkonte. Këtë e dëshmon edhe në një letër të vitit 1946, kur i shkruante botuesit të tij amerikan, James Laughlin:
Zoti Mallkoi, prishi pikën e pikësimit
Për herë të parë
gjëja e rëndësishme është
të
theksoj
artikulimin
e mendimit (Gordon ed., 1994:145).
Po a qëndron formulimi i tij Letërsi, jo politikë, që e shqiptonte si moto? Duke i ndjekur qëndrimet e tij të mëvonshme politike them se nuk mund të jepet përgjigje pozitive.
Profili i tij prej poeti, përkthyesi, editori, kritiku dhe dramaturgu merr kuptim duke ndjekur formimin e tij përmes traditës mesjetare dhe bashkëkohore italiane, amerikane, angleze, kineze e franceze. Prandaj mund të thuhet se veprat e tij janë mjaft të ndërlikuara për t’u kuptuar dhe, para së gjithash, kërkojnë njohuri, kulturë dhe dije të shumanshme pothuajse në të gjithë lëmenjtë kreativë. Përtej letërsisë këtu gjejnë vend edhe pikëpamjet e thelluara filozofike, artistike religjioze, sociologjike, psikologjike e të tjera. Madje edhe sot na duket e pakuptueshme dhe e pashpjegueshme plotësisht joshja e tij pas përkthimit dhe imitimit në veprën A Lume Spento (1908), Calvacanti (1912) etj. Si të shpjegohen, bie fjala, përpjekjet e tij madhështore në shkrimin kinez Cathay? (1915).
Kompletimin e mendimit të Poundit, përgjatë zhvillimit të tij poetik, e ka bërë edhe njohja dhe takimi i tij me teatrin Noh të Japonisë, të cilin ai e analizoi së bashku me Yeats gjatë tre dimrave që ata kaluan së bashku (1913-1916) kur Poundi veproi si sekretar i Yeats. Duket sikur bashkëqëndrimi ishte një proces reciprok i mësimit të ndërsjellë të zanatit të poezisë. Poundi gjithnjë mendonte se Yeats duhet ta modernizojë vargun e tij. Ai e vuri Yeatsin në kontakt me parimet e teatrit japonez Noh.
Jemi në kohën kur jeta politike në Irlandë u trondit shumë. Yeatsi nuk e përballoi indiferencën dhe u kyç në tema publike dhe çështje politike. Të dy së bashku, përgjatë shumë netëve të dimrit, lexuan sidomos libra kinezë dhe japonezë. Si kurorë e këtij bashkëpunimi doli publikimi Përgjegjësitë, më 1914, më pas Përgjegjësitë dhe poezitë e tjera.
Sipas Eliotit, një “letër e dhunshme dhe e tmerrshme” vendosi menjëherë mënyrën e fuqishme të rekomanduar për Yeats nga Poundi (Holdeman, 2015:59). Ne mund ta shohim ndikimin e Poundit në poezinë e quajtur Rimat hyrëse, ndryshe nga poezitë e tij të mëparshme.
Mirëpo Poundi sërish nuk pushonte dhe para vetes kishte The Cantos, punën e pesë dekadave. E mundonte frika se mos gjithë poema e mallkuar ishte mjaft e errët, veçanërisht në fragmente, duke u përpjekur të hedhë dritë mbi një gjendje kur i gjalli zbret në botën e të vdekurve, diçka e ngjashme me Mitin e Orfeut dhe të Euridikës.
Faktit të vështirësisë ose të moskuptimit të poezisë së tij iu shtua edhe mungesa e entuziazmit të lexuesve të hershëm. Në leximin e parë të Three Cantos, Harriet Monroe, redaktore e poezisë, u sëmur: “Lexova dy ose tri faqe të Cantos të Ezres dhe më pas u sëmura – pa dyshim se ky ishte shkaku. Që atëherë nuk kam pasur kapacitet intelektual për ta trajtuar atë”. Disa kohë më vonë, kur e mori veten, ajo shkroi: “Unë nuk mund të pretendoj se jam shumë e kënaqur me kursin që po merr vargu i tij”. Mbase si një përgjigje erdhi replika e Poundit: “Një epikë është një poezi që përfshin historinë”, në Make it New (Eliot ed., 1954:38) dhe në këtë pikë The Cantos shkëlqejnë. Dukej paksa e parëndomtë kur autori bën avokatin e krijimit të vet, por duke e njohur natyrën e Ezres është brenda llojit. Tërësia tematike e poemës ishte shumë e gjerë dhe përfshinte dokumente të kohëve dhe kulturave të ndryshme dhe i integroi ato në tekstin e tij për të krijuar një histori vizuale. Canto XXXIV, bie fjala, përmban një pirg të ngarkuar me fjalë në anglisht dhe hebraisht, ndërsa Canto XCIII përmban edhe shenja shkrimore të shkrimeve të lashta që njihen me emrin hieroglifë. Dhe, për çudi, a si për paradoks, nuk mungojnë as Adams, Napoleon apo Musolini si figura historike.
Nuk ka asnjë dyshim se poema e përfunduar, që i mori mbi pesëdhjetë e katër vjet përpjekje, është kryevepra e tij duke i siguruar autorit një individualitet krijues pothuajse unik sa për famën autoriale, po aq edhe për ndikimin te një rreth i gjerë krijuesish si Yeats, James Joyces e deri te Ted Hughes dhe më të rinjtë. Kjo dëshmohet edhe me kryqëzimet e formave rrëzatuese si një esencë e The Cantos, bashkë me mësimet e historisë nga rilindja italiane, dinastitë kineze dhe revolucioni amerikan. Poema kërkon t’i bëjë një, t’i shkrijë kategoritë e vështira të dramës, satirës, dokumentarit, ditarëve, himneve, elegjive, epigrameve, eseve, katalogëve dhe predikimeve. Mendoj se s’gabojmë po ta quajmë edhe si autobiografi intelektuale që shfaq njëkohësisht një histori të letërsisë dhe kulturës, pa përjashtuar mitin që ndërmjetëson personalitetin në diçka të pazakontë. The Cantos pra është një polifoni në temë dhe në formë.
- 2. Andriqi
Lëvizjet e ndryshme në Bosnjë, vrasja e Franc Ferdinantit në Sarajevë, preteksti i fillimit të luftës, ritmet e Luftës së Parë Botërore e gjejnë Andriqin në burg. Ai lirohet në mars të vitit 1915. I thyer, i zhgënjyer, i lodhur e i dëshpëruar, ai i bashkohet priftit të fshatit në Travnik, duke i ndihmuar t’i mësonte djemtë dhe vajzat e fshatit këndimin e Pasionit të Krishtit. Pak kohë më vonë u vendos në Vishegrad. E, megjithatë, gjendja shëndetësore iu përkeqësua dhe, në fund të vitit, ai u shtri në spitalin e bamirësisë së motrave në Zagreb. Këtu e zuri edhe amnistia e përgjithshme. Sesi ndodhi që ta takojë dhe të shoqërohet me poetin dhe dramatistin Ivo Vojnoviç, 60-vjeçar, një figurë e vlerësuar lart në letërsinë kroate të kohës. Po, më e çuditshmja rezulton se është pikërisht Vojnoviçi që e vlerëson Ivanin e ri. Ai shkroi në ditarin e tij: “E takova Ivo Andriqin e ri!” (Popoviç, 1989:26).
Andriqit iu desh të qëndrojë një kohë të gjatë në spital meqë ishte diagnostikuar me pneumoni. Gjithnjë gjatë këtij qëndrimi në Zagreb u njoh dhe u shoqërua me Miroslav Kërlezhën, po ashtu një shkrimtar i ri, por edhe i dëshmuar me prirje rebele.
Aty Andriqi e përfundoi Ex Ponton (Jeta e tij si i burgosur) në pranverën e vitit 1918, por meqenëse gjendja e tij shëndetësore qe përkeqësuar, nuk ia doli ta finalizonte atë në mënyrën e tij dhe u ndie i rrënuar nga gabimet që gjeti në librin e shtypur.
Ishte ende në Zagreb kur Austro-Hungaria kapitulloi. Jemi pikërisht në kohën kur formohet Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene (1 dhjetor 1918).
Në një gjendje pakënaqësie të përgjithshme merr vendimin e prerë të kthehej në Beograd dhe t’i afrohej ish-mësuesit të tij në Sarajevë, dr. Togomir Alaupoviçit, ndërkohë që ai ishte ministër për çështje të religjionit në Qeverinë e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene. S’do mend se me mbështetjen e tij aty zuri punë si nëpunës civil edhe ky.
Vendosja në Beograd, një qytet që pikërisht si Krakova e impresionoi, duket sikur ia ktheu vullnetin. Qytetet si Zagrebi e Vjena nuk ishin për natyrën e tij. Ndaj ai edhe kishte deklaruar: “Jeta këtu është e pamundur. Shpirti im nuk ndihet gjallë. Më duhet të shkoj në Beograd, çfarëdo që të ndodhë”. (Zelimir, 1986:57).
Ndoshta qe moment kthese që vepra e tij Ex Ponto u përkthye dhe u botua në Çekosllovaki dhe kjo ndodhi pasi që lexuesit në Beograd e pritën shumë mirë librin. Midis një vlimi të brendshëm shpirtëror dhe ngarkesave të tjera ai vendosi të pushonte së shkruari dhe së lexuari. Iu duk më e favorshme ta shijonte jetën duke ndërmarrë një udhëtim gjithandej botës dhe duke vizituar vende të ndryshme.
Në fund të dekadës së dytë të shekullit XX ai u përfshi në shërbimin diplomatik duke u emëruar diplomat në Legatë (në Vatikan). Ky shërbim nuk zgjati sepse vetëm pas një viti qe transferuar në Rumani me post konsullor në Bukuresht. As aty nuk gjen rehati. Ndoshta ngaqë e ëma i qe sëmurë dhe malli për shtëpinë e shtynë drejt kthimit.
Andriqi duket si i prerë për shërbime të natyrës diplomatike, ngaqë në vitin 1922 transferohet në konsullatën e Trieshtës. S’qe e thënë as këtu të zinte vend gjatë. Megjithatë, ia doli të transferohet në Grac të Austrisë si zëvendëskonsull. Duke e gjetur këtu mundësinë ideale iu fut studimeve në Fakultetin e Filozofisë, ku ndoqi ligjëratat mbi historinë e Austrisë, filologjinë sllave dhe filozofinë. Duket sikur edhe këtu iu zgjua “virusi” i pakënaqësisë: “Është depresive, – do të shkruajë ai, duke u ndier sikur është ‘internuar për herë të dytë’”.
Studimet i përfundoi në Universitetin “Karl Franc” të Gracit më 1924, duke mbrojtur tezat mbi Zhvillimin e jetës shpirtërore në Bosnjë nën ndikimin e rregullave turke. Në parathënien e punimit të tij kishte shkruar: “Është thënë që pushtimi i Konstandinopojës i ka shkaktuar njerëzimit dëm të madh në Evropë”. Me rekomandimin e mentorit të tij që të vazhdonte edhe më tej këtë studim dhe ta publikonte, ai në letrën dërguar shokut të tij në Zagreb i thotë: “Dy ditë më parë doktorova këtu në universitet. Më ka marrë shumë kohë dhe energji. Tani duhet të mendoj të bëj diçka më të arsyeshme” (Zelimir, 1986:87). Ky fakt na jep shkas të mendojmë se Andriqi, përtej studimeve, kishte aspirata më të thelluara në planin e krijimtarisë ose edhe në aspektin e zhvillimit të mëtejmë të karrierës. Menjëherë pas kësaj e gjejmë në Beograd, në Departamentin Politik të Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Shtëpia botuese Srpska knjizevna zadruga ia botoi përmbledhjen e tregimeve të shkurtra. Nuk duhet harruar se ai bashkë me shkrimtarin kroat Miroslav Kërlezha konsideroheshin ndër përfaqësuesit më të famshëm të gjeneratës së re të shkrimtarëve. Pothuajse menjëherë pas publikimit të tregimeve Andriqi u nderua me çmimin vjetor nga Akademia Mbretërore e Serbisë. Në shkurt të vitit 1926 ai u pranua anëtar korrespodent në Akademinë e Shkencave të Serbisë.
Ndërkaq karrierën diplomatike e vazhdoi në Marsejë, në Madrid dhe Gjenevë. Përfundimisht më 1933 u transferua sërish në Beograd si këshilltar në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Në planin tjetër vazhdoi të shkruante, por gjithnjë e më rrallë të botonte. Dy ngjarje e shoqërojnë në këtë kohë: Bashkimi me bordin editorial të Revistës Letrare Serbe dhe emërimi udhëheqës i Departamentit Politik në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Nga kjo pozitë, në vitin 1937 avancohet duke u emëruar zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Dy vjet më vonë, nga anëtar korrespondent, Andriqi zgjedhet anëtar i rregullt i Akademisë Mbretërore Serbe.
Nga këtu emërohet ministër i plotfuqishëm në Berlin. Pikërisht aty ia dorëzoi kredencialet Adolf Hitlerit, kancelarit të Rajhut gjerman. Ai u prit me respekt si shkrimtar dhe si diplomat.
Nga ky pozicion, kur tashmë Gjermania kishte pushtuar Poloninë dhe shumë studiues e hulumtues polakë qenë dërguar në kampet e përqendrimit, ai përmes rrugëve diplomatike ndërmjetësoi që disa studentë polakë të liroheshin dhe të dërgoheshin gjetiu, duke përfshirë edhe Jugosllavinë. Meqë një numër i konsiderueshëm i qeveritarëve serbë kishin lidhje me udhëheqësit e lartë shtetërorë të Gjermanisë, Andriqi humbi besimin në qeverinë e tij dhe kërkoi të lirohej nga detyra. Në Serbi, ndërkaq, ishin ndezur ndjenjat antigjermane. Kur më 6 prill të vitit 1941 Gjermania bombardoi Serbinë, që të nesërmen Andriqi së bashku me stafin diplomatik u nisën për në Beograd. Shumica e diplomatëve u arrestuan në stacionin hekurudhor, por jo edhe ai dhe për këtë fakt nuk ka asnjë shpjegim në analet biografike të tij. Një mister i pashpjegueshëm që nuk u zbërthye kurrë. Është pak e rëndë dhe e pajustifikueshme t’i lihet kjo fatit a rastësisë.
Këtej e tutje ai iu kushtua vetëm shkrimit me një dozë të theksuar pesimizmi. Prandaj do të deklarojë se po e jetonte çdo ditë si të ishte dita e tij e fundit, asnjëherë i sigurt nëse do ta gdhinte mëngjesi tjetër. Të shkruante po, por jo të publikonte ngaqë, sipas tij, qeverisja kuislinge në Beograd ishte jolegjitime.
Romanin e tij të njohur Kronika e Travnikut (Travnicka Hronika / The Bosnian Story) e përfundoi në vitin 1942. Duke i njohur raportet e labirinteve diplomatike edhe nga përvoja personale, ai i vuri nëntitullin Koha e konsujve, pavarësisht se ngjarjet në të i përkisnin një kohe tjetër. Dy vjet më vonë i dha fund novelës tjetër Ura mbi Drinë (Na Drini Çuprija / The Bridge on the Drina) në të cilën vë si bazament legjendën e murimit, një legjendë që në variante e nënvariante shfaqet te të gjithë popujt e Gadishullit Ballkanik. Megjithëse ngritja e urës mbi Drinë i atribuohej një pashai, koncepti i legjendës është në bërthamën e syzheut. Por, dorëshkrimin e novelës së tij Ura mbi Drinë e dorëzoi në shtëpinë botuese Prosveta të Beogradit vetëm pas çlirimit, më 1945 dhe doli nga shtypi në një tirazh prej 5 000 kopjesh.
Po në këtë vit i dolën nga shtypi edhe dy libra të rinj: Zonjusha (Gospodjica / The Woman from Sarajevo) dhe një përmbledhje përzgjedhëse me tregime të shkurtra. Ai tashti bënte një jetë sa në Beograd, sa në Sarajevë.
Jemi pikërisht në kohën kur Andriqi emërohet kryetar i Asociacionit të Shkrimtarëve Jugosllavë dhe nënkryetar i Shoqërisë Jugosllave për Bashkëpunim Kulturor me Bashkimin Sovjetik (Yugoslav Society for Cultural Cooperation with the Soviet Union). Nuk duhet harruar edhe një pozicion të ri të tij: zgjedhjen deputet në Kuvendin e Bosnjë-Hercegovinës.
Edhe përkundër faktit se nuk qe anëtar i Partisë Komuniste Jugosllave, ai ftohej pothuajse në të gjitha takimet e tyre të rëndësishme ku mbante fjalime në emër të shkrimtarëve dhe artistëve jugosllavë. Andriqi më vonë zgjedhet anëtar korrespodent i Akademisë Jugosllave të Shkencës dhe Artit në Zagreb, ndërsa doktorata e parë (Studim mbi veprën e Andriqit) u paraqit në Universitetin e Gracit (The content and Form of His Art Works). Reputacioni i tij, tashti si shkrimtar, vinte në rritje të vazhdueshme dhe në vitin 1953 u zgjodh anëtar korrespodent i Akademisë Sllovene të Shkencës dhe Artit, domethënë ai ishte i gjithëpranishëm në të tri institucionet e kulturës, shkencës dhe artit në nivel federate. Kësaj jehone e këtij reputacioni i kontribuon edhe përkthimi i romanit Ura mbi Drinë në frëngjisht dhe në gjuhë të tjera të huaja.
Jeta e tij tashti vazhdon të jetë e mbushur me aktivitete dhe veprimtari të nduarnduarta. Sa e gjejmë në leksione nëpër fakultete, sa në asociacione miqësie e kulturore me vende evropiane, deri edhe kryetar i Asociacionit të Shkrimtarëve Serbë.
Më në fund, në vitin 1954, bëhet anëtar i Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Me këtë rast ai shprehet: Unë kam mbetur i lidhur pas vendit të orgjinës sime, Bosnjës, por vendi im i punës dhe i qëndrimit mbetet Beogradi. Këto dy vende nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën, përkundrazi e përplotësojnë.
Pas përkthimit e botimit të The Bridge on Drina, në Paris, në gjuhën frënge, vazhdojnë botimet edhe në Moskë e Varshavë, Oborri i mallkuar (The Devil’s Yard) del nga shtypi në Sofje, ndërsa Tregimi i Bosnjës (The Bosnian Story) publikohet në Budapest.
Ritmi i zhvillimit të tij dhe profili prej krijuesi e autoriteti sa vjen e rritet. Tashti ai zgjedhet kryetar i parë i Këshillit të Teatrit dhe Dramës Jugosllave. Pa ndonjë ceremoni të veçantë këtu martohet me Milica Babic – Jovanovicin, shtatëmbëdhjetë vjet më të re se ai, një disenjatore e kostumeve e trupës së Teatrit Kombëtar. Milica ishte më parë gruaja e shokut të tij, diplomatit Nenad Jovanoviç. Pas vdekjes së tij, Milica dhe Ivo vendosën t’i kalojnë me njëri-tjetrin vitet e mbetura të jetës.
Ndërkohë me mjaft bujë vazhdojnë përkthimet dhe publikimet e veprave të tij si: Tregimet e Bosnjës në Londër, Tel Aviv dhe Lajpzig. Gruaja nga Sarajeva në Lajpcig. Oborri i djallit (Devil’s Yard) në Upsala, Varshavë dhe Antwerpen.
Sihariqin e parë e dha gazeta e Parisit Figaro litteraire, se Andriqi ishte kandidati më serioz për marrjen e çmimit Nobel. Në zgjedhje të ngushtë të Komitetit suedez ishin edhe shkrimtarët anglezë Graham Greene dhe Lawrence Durell, shkrimtari amerikan John Steinbeck, shkrimtari italian Alberto Moravia dhe të tjerë. Propozimi për Andriqin ishte hedhur nga Miroslav Kërlezha dhe Asociacioni i Shkrimtarëve Jugosllavë. Në fakt, ai qe propozuar edhe një vit më parë, por ai iu dha poetit francez St. John Perse.
Pikërisht më 26 tetor të vitit 1961 u dha lajmi për fituesin e çmimit Nobel për letërsi. Ai ishte pra Ivo Andriqi, shkrimtar jugosllav. Në fjalën e rastit të pranimit të çmimit ai deklaroi: “Të gjitha pyetjet që m’u bënë sot mund të përmblidhen në tri grupe kryesore: Çka ndiej, çka mendoj dhe cilat janë planet e mia…?”. Pa e zgjatur shumë ai shtoi më tej: “… a nuk është pak e pahijshme që nga personi që ka krijuar art të presësh që, po ashtu, të thotë diçka për veten e tij dhe për punën e tij? Montesquieu thoshte se shkrimtarët nuk janë gjykatës të mirë të punës së tyre. I lexoj me admirim fjalët e Gëtes: ‘Artisti duhet të krijojë, jo të flasë’”. (Popoviç, 1989:78).
Megjithëse shumë herë është shprehur se i ka bezdi intervistat, pasi u kthye në Beograd, në janar të vitit 1962, për gazetën Politika të Beogradit, tha: “Jam shumë i kënaqur nga mikpritja në Suedi. Përveç gjërave të shumta, në veçanti jam i kënaqur dhe i impresionuar nga vizita ime në Universitetin e Upsalës dhe nga kontakti që pata me studentët dhe profesorët atje. Edhe përkundër kësaj përvoje të mirë, është një gjë që është gjithmonë më e mira: Të kthehesh në vendin dhe në shtëpinë tënde”. (Popoviç, 1989:78).
Krijimtaria letrare e Andriqit u përkthye në shumë gjuhë të huaja, më shumë se çdo autor tjetër jugosllav. Pas këtij çmimi ai vizitoi Greqinë dhe Egjiptin. Menjëherë pas kthimit në Beograd, më 10 dhjetor 1962, atë me bashkëshorten i priti në rezidencë kryetari Josip Broz Tito.
Andriqi u nderua me Urdhrin e Republikës me Medalje të Artë për të arriturat në fushën e letërsisë, kulturës dhe aktiviteteve publike.
Pastaj ai vizitoi edhe shumë vende të tjera dhe pati pareshtur takime e biseda me gazetarë, krijues, të rinj e të reja, gjithnjë duke hezituar të japë intervista të tipit të standardizuar. Përpiqej me ngulm që bisedat të ishin spontane dhe të atypëratyshme. Nga pyetjet e shumta që i bëheshin mbahet mend ajo e studentes Nada Zupan nga Novo Mesto. I kërkonte mendimin për rrëfenja të shkurtra nga jeta e tij. Ai qe përgjigjur: “… do të isha shumë i kënaqur t’ju shkruaja diçka për veten time në trajtë rrëfenjash. Fatkeqësisht, kjo është e pamundur. Së pari, sepse është vështirë për shkrimtarin të shkruajë në detaje për të bëmat e tij dhe, nëse do ta bëja, do të ishte vetëm edhe një tjetër tregim i shkurtër…” (Popoviç, 1989:94).
Paratë e çmimit Nobel i ndau me Këshillin për Kulturë në Bosnjë dhe Hercegovinë për promovimin e bibliotekave atje.
Në mars të vitit 1968 i vdiq gruaja e tij Milica Babiç-Andriq. Një vdekje krejt e papritur që e goditi shumë, kur dihet se ai edhe vetë kishte shkelur tashmë në dekadën e fundit të jetës. Nuk rroi më tepër se vetëm shtatë vjet pas saj.
Pa dyshim që për Andriqin mund të thuhet se ai e jetoi intensivisht jetën e tij, madje ardhur nga një mjedis shoqëror provincial i Bosnjës, preku majat e elitës politike, shoqërore, intelektuale dhe artistike të metropolit të Beogradit; u njoh dhe punoi me qarqet diplomatike më të njohura të kontinentit të Evropës; takoi personalitetet më të larta të kohës së tij duke u pritur madje edhe nga vetë Adolf Hitleri, sikundër edhe me personalitetet më të larta pas Luftës së Dytë Botërore, gjithnjë i mirëpritur edhe në rrjedhat e reja të sistemit të ri politik, siç qe rendi i ri socialist. Mbase pikërisht individualiteti i tij i pakontestuar bëri që askush të mos shpupurisë në të kaluarën e tij, në karrierën diplomatike dhe në atë pjesën e dritëhijeve që, nganjëherë, (siç do ta shohim më poshtë), edhe marrin karakter njollash.
- 3. Handke
Megjithëse i lindur në vlugun e Luftës së Dytë Botërore, Handke vjen me një arsimim të rregullt dhe, pa dyshim, me talent të rrallë në fushën e letërsisë. Diku në dekadën e tretë të jetës ai shfaqet me botime dhe bie në sy në qarqet letrare gjermanofone, porse atëbotë ende ishin në vlugun e krijimtarisë kolosët e letërsisë gjermane si Heinrich Bel (1917-1985), lauruar me çmimin Nobel më 1972 dhe Gynter Gras (1927-2015), po ashtu fitues i Nobelit më 1999.
Duke kujtuar në mënyrë asociacionesh dhe në kuptimin konceptual na shfaqet edhe një lidhje alternative ndërmjet nobelistëve Bëll dhe Gras, në njërën anë dhe Handke, në anën tjetër. Ata kishin themeluar Grupin ’47, që ishte një lëvizje e cila kontribuoi në rilindjen e Gjermanisë pas epokës së errët të nazizmit. Themi rilindje në kuptimin esencial të letërsisë.
Është interesant fakti se po këtij grupi iu bashkëngjit Handke, si anëtari i dyzetë e tetë i tij, që rezultoi, po ashtu, me kurorën e çmimit Nobel për letërsi më 2019.
Në kuptimin e qëllimit të Grupit ’47, Handke, megjithatë, erdhi me një koncept dhe metodologji krejt tjetër. Shkrimi i tij që në krye të herës erdhi si një shkrim nën maskën e vetëhetimit. Ai, madje, më 1966 do të deklarojë se nuk ishte as i interesuar të shkruante për “të ashtuquajturin realitet, përkundrazi, unë zgjodha të shkruaja për veten time” (Meyerhofer, 1999:3)
Për të qenë më të saktë në këtë kuptim mund të themi se autobiografia moderne austriake u shpik nga Handke dhe homologu i tij më pesimist, Thomas Bernhard. Handke vjen pas gjeneratës së Bernhardit, i cili kishte lindur më 1931. Në krijimtari ky solli fenomenin e zgjerimit të trillit të tij autobiografik, ku përfshinte edhe persona të tjerë, përkatësisht personazhe të tjera që, në njëfarë dore, s’ishin tjetër përveçse alter egoja e tij, domethënë personazhe metaforikë që pasqyronin problemet, shqetësimet dhe vlerat semantike të tij.
Megjithëse tekstet e Handkes në rastet më të shpeshta përmbajnë një mori referencash hapësinore, ato njëkohësisht marrin kahen e një bote kuazi-mistike, duke trajtuar problematikat shpirtërore të të qenit artist. E këtillë na vjen, bie fjala, Absence (Mungesa) (1987), ku në mënyrë të dukshme ndiqet udhëtimi tërheqës i katër llojeve përfaqësuese përmes vetave si plaku, gruaja, bixhozxhiu dhe ushtari, ku sfondi përherë vjen me shpërndërrime deri në shkallë metamorfoze.
Nganjëherë të vjen në mendje konstatimi sikur Peter Handke i ka vënë vetes detyrë ta shqiptojë të pashqiptueshmen, apo t’i japë zë heshtjes. Në këtë plan shumë nga veprat e tij janë të kursyera nga veprimi, nga përshkrimi i veprimeve në dobi të dendësisë së përjetimeve në trajtë të etheve, mërzisë, dëmtimit gradual të personalitetit të dikujt duke u shndërruar në vetëdyshim. Me një fjalë, një thellim metafizik dhe shpirtëror. Ndoshta pikërisht ky shtjellim i kundërvihet epokës së materializmit, prodhimit masiv dhe mediokritetit! Një izolim i këtillë, sa duket se është shtypës e frenues, po aq mund të merret edhe si akt çlirues.
Të gjitha këto elemente të krijimit të Handkes dhe sidomos ato në prozë i japin atij një origjinalitet dhe mëvetësi deri në shkallën e një individualiteti sa interesant, po aq edhe atraktiv. Ai ka bërë edhe një hap më tej, ndryshe nga përfaqësuesit e realizmit magjik që shkrijnë kufirin midis ëndrrës dhe realitetit në mënyrë konvencionale. Kjo vjen në kuptim të zhbërjes tipologjike të zhanreve letrare, duke nxjerrë diçka të papërcaktuar dhe të padefinuar në kuptimin teoriko-letrar. Kështu, ta zëmë, autobiografia jofiktive, kujtimet e një jete, lexohen si një pretendim i së vërtetës, por nocionet e së vërtetës dhe vërtetësisë, në fakt, nuk zbatohen për trillimin ose autobiografinë imagjinare.
Hulumtimet e fundit e kanë ngritur në nivel të çështjes së diskutueshme këtë pozicion dhe kanë zbuluar tendencën historike drejt “trillimeve” në rrëfimet e tyre retrospektive. Praktikat poetike postmoderne, ndërkaq, kanë prodhuar stile të përziera të trillimeve në planin narrativ ku autori figuron nën emrin e tij të vërtetë si një personazh historik, por kodi figurativ e lexon si personazh të imagjinuar. Te Handke sheshimi i kodeve të tij fiktive dhe jofiktive është më i pakapshëm, sepse gjuha poetike dhe letërsia mbulojnë fragmente të vërtetësisë që lidhen me faktin biografik.
Duke iu ekspozuar ekspansionit elektronik të medieve, libri i Handkes, në kundërshtim me të, pretendon një mendësi tjetër: një libër mund të bëjë të mundur që dikush të kalojë nga një rutinë e përditshme në diçka vërtet “tjetër”, në një tekst poetik. Dikush, madje, edhe mund të supozojë se sprova e prozës ekspozuese mund të jetë më e përshtatshme për projektin e Handkes në kontakt me vetveten sesa të jenë realitete virtuale që kanë prodhuar ngasjet e tij. Teknika e shkrimit me elemente autobiografike, doemos i përshtatet diskursit të “nevojës elementare” që mbizotëron në shkrimin eseistik të Handkes dhe i rri për shtat pikërisht mënyra e të jetuarit derisa shkruan dhe shkruan derisa jeton. Këtu merr dorë referenca në konceptin e Jacques Lacanit i cili e kuptoi dëshirën njerëzore si përpjekjen e “subjektit transcendental” për të lënë një shenjë në botën e domethënies, duke ushqyer gjithnjë iluzionin se ky “Unë” mund të gjejë një identitet të qëndrueshëm në sistemin simbolik (Meyerhofer, 1999:49).
Duke e bërë kompleksitetin e këtij kërkimi të ndërmarrë nga një subjekt, i esesë si test, në rrëfimin e tij, Handke e vendos narratorin e tij në një hapësirë reflektimi përtej kurthit të vetëmashtrimit, siç përshkruhet nga Lacan. Në veprat e mëparshme proza përkufizohej si “arti i kapjes së një kuptimi, i cili deri atëherë nuk ishte objektivizuar në masën sa për ta bërë atë të arritshëm për këdo që flet të njëjtën gjuhë”.
Kuptime të tjera vijnë përmes rasteve të shumta të referencës së hapur ose të mbuluar ndërtekstuale që të kujtojnë aspekte të arkivit letrar dhe kulturor në një mënyrë të shpejtë, antikitetin klasik etj. Essay on Tiredness fillon duke dëgjuar përsëri një formë autobiografike në dialogun fillestar që këtu jepet me përgjigjet në vetën e parë:
Në të kaluarën e njihja lodhjen vetëm si diçka për t’u frikësuar.
Po në të kaluarën?
Në fëmijërinë time, në të ashtuquajturat ditët e mia studentore, në vitet e dashurive të mia të para…
(Meyerhofer, 1999:50).
Përfundimisht mund të thuhet se individualiteti krijues i Handkes dëshmohet me një seri çmimesh, po kurorën ia vë Nobeli. Ndërkaq, ai i erdhi mu në kohën kur vetë autori, me goxha zhgënjim, konsideronte se kishte rënë fama dhe lavdia e tij e para tri a katër dekadave.
III. Personaliteti
Tashti kur kemi paraqitur që të tre autorët që kemi në shqyrtim, në planin e identitetit dhe të individualitetit të tyre e do rendi të shpërfaqim edhe tablonë e personalitetit të tyre. Personaliteti vjen si simbiozë dhe shumësi e dy faktorëve të parë, por ka edhe ndërshtresime dhe veçanti që shfaqen në kontekste të tjera, nganjëherë edhe jashtëletrare. Fjalori i Gjuhës Shqipe jep këtë përkufizim në zërin Personalitet: Tërësia e veçorive psikike të karakterit, të sjelljes, të veprimtarisë etj., të njeriut që e dallojnë atë nga të tjerat; njeriun me këto veçori, që e dallojnë atë si individ dhe e bëjnë anëtar të vetëdijshëm të shoqërisë.
Në leximin tonë, në tërësinë e vetive e të virtytteve hyjnë, pa dyshim, edhe veset, tekat dhe huqet që vijnë e shpërfaqen në rrethana të ndryshme të jetës shoqërore, politike, po edhe religjioze e botëkuptimore. Ky fakt i nxjerr në një dritë të veçantë personazhet e këtij punimi ku, pa asnjë pretendim tonin, japin një valer (term i pikturës dhe grafikës) të theksuar dritëhijesh. Një gjë e këtillë është kaq e dukshme sa nuk u jep dorë që t’i mbrojnë as dashamirësit më të thekur të tyre, sikundër që nuk i favorizon as mohuesit dhe sulmuesit e tyre që, nën këtë argument, pretendojnë ta godasin edhe krijimtarinë e tyre.
Fundja, të qenit shkrimtar duket sikur i imunizon ata, u jep një alibi. Këtu sërish na vjen në mend referenca nga antika për “sëmundjet shpirtërore të shkrimtarëve”.
Një studim i hershëm i prof. dr. Vladimir Stanojeviçit, që vjen qysh nga viti 1959, ka trajtuar me profesionalizëm pikërisht tematikën me të cilën po merremi këtu, veçse ai observimin e vet e shtrin në shtatëdhjetë e tre personalitete të njohura të fushës së krijimtarisë letrare, muzikore, artistike dhe, madje, ushtarake. Midis tyre fushës së letërsisë i përkasin tridhjetë e pesë veta. Do ta veçonim këtu trajtimin që i bën Shopenhauerit, Dantes, Shekspirit, Getës, Alen Poes, Bodlerit, Dostojevskit, Niçes, Tolstojit e të tjerëve. Duket sikur autori ka pasur parasysh pikërisht bazat e filozofëve antikë, ngaqë edhe veprës i ka vënë nëntitullin Çrregullimet shpirtërore të njerëzve të njohur (Stanojeviç, 1972:55). Po, krahas këtyre shkarjeve, krahas elementit të frymëzimit si dhunti hyjnore, ai e mbështet tezën e tij edhe në gjenialitetin e këtyre krijuesve, duke e parë atë pikërisht si bazë të tragjikes së tyre.
Kësaj teze të karakterit bipolar të shkrimtarëve i ka dhënë impulse edhe shkrimtari shqiptar Ismail Kadare, i nominuar tash e dyzetë vjet për çmimin Nobel. Ai në veprën e tij eseistike me primesa autobiografike Ftesë në studio (Kadare, 1990) ka bërë një zbërthim interesant për jetët paralele të shkrimtarit, ose për jetën e tyre sipas dy kalendarëve: “Shkrimtari ka dy jetë krijuese. E para, ajo më e dukshmja, përbëhet nga orët e punës së tij të përditshme, ato seanca të pafundme që vazhdojnë disa herë gjer në fund të jetës. Gjatë këtyre ditëve krijohet rresht pas rreshti e faqe pas faqe vepra e tij. Në të vërtetë në vend të fjalës ‘krijohet’ do të ishte më e saktë të përdorej folja ‘mishërohet’, ‘njëmendësohet’, ‘ngrihet në këmbë’. Sepse krijimi në kuptimin e mirëfilltë të fjalës ka ndodhur më parë. Krijimtaria e vërtetë e shkrimtarit ndodh në një zonë tjetër të jetës së tij, në një zonë më të padukshme e shumë më të dendur”. (Kadare, 1990:244).
Duket sikur edhe vendi i krijimit të veprave, nga ngjizja deri në publikim, sipas Kadaresë, ka një përmasë të veçantë ku nuk përfillet as koha dhe as hapësira: “Atelienë e një shkrimtari ju mund ta përfytyroni si të doni, të sigurt se asnjëherë s’do të jeni të pasaktë, ashtu siç s’do të jeni kurrë të saktë. Ju mund të përfytyroni meteoritë, gropa, akuj, makete e projekte të skëterrës dhe gjithçka që lidhet me motivet e parapëlqyera të një krijuesi. Të gjitha janë aty. Veç kryesorja, laboratori i fshehtë i shkrimtarit, nis më tutje dhe ai është i padukshëm e i pashpjegueshëm gjer në fund. Atelienë e tij shkrimtari e merr me vete në varr” (Kadare, 1990:138).
Në njëfarë dore laboratori i shkrimtarit është farka ku kalitet pikërisht personaliteti i autorit. Le ta bëjmë edhe ne një përpjekje për zbërthimin e të pamundshmes, të asaj që fundja vjen nga një zonë e mistershme: Ku është Ezra? Ku është Ivo dhe ku Peteri?
III. 1. Ezra
Gjykuar sipas të dhënave biografike, fëmijëria e Ezres nuk jep asnjë indikacion të pakëndshëm në formimin e karakterit të tij. Jeta në familje ka një rrjedhë normale dhe, edhe në aspektin e statusit social, nuk ka mangësi që do të ndikonin në çfarëdo mënyre me peshë dramatike. Një element gjenetik na shpie në një pistë interesante. Nga linja e prindërve zgjaten fijet drejt një farefisnie të largët me poetin Henry Wadsworth Lonfellow. Ndjek shkollimin dhe, që herët, siç na është e njohur, përcaktohet për vokacionin e krijimtarisë letrare: “do të bëhem poet”! Nuk ka interesime për profesione që do t’i hapnin perspektiva mirëqenieje dhe karrierë në administratë, ushtri a gjetiu.
Prirja dhe interesimi për gjuhët e huaja ia hap një shteg të ri, gjithnjë në domenin e letërsisë. Kureshtja e tij shtrihet tutje hapësirave gjeografike. Sikur kërkon atë që nuk e gjente në Amerikë ose që e ndiente si të pamjaftueshme. Së këndejmi, hidhet në labirintet misterioze të Lindjes së largët. Impresionohet me shkrimet kineze dhe me teatrin japonez. Duket sikur po i kthehet gjuhës së shenjave, kriptogrameve, i vetëdijshëm se thellësitë e mendimit e të artit janë të errëta për shikimin e rëndomtë. Një punë e tillë e bën atë edhe më këmbëngulës.
Ai që në fëmijëri ka vizituar shumë vende të Evropës, ndër to edhe Londrën, Brukselin, Firencen, Romën, Venecian e të tjera.
Është 21-vjeçar kur, pas diplomimit, fiton një bursë studimesh për të bërë hulumtime mbi shkrimtarin spanjoll Lope de Vega.
Pas kthimit bëhet docent i letërsisë spanjolle dhe franceze në Kolexhin Wabash (Indiana). Në këtë kohë ndodh edhe njohja dhe fejesa me Mary Moorein nga Trenton. Pikërisht këtu ndodh kthesa e parë dramatike në jetën e tij sepse, nën vlerësimin si “i papërshtatshëm”, detyrohet të japë dorëheqje. Ka zëra që kjo “papërshtatshmëria” e tij kishte përmbajtje imoraliteti ose u formulua si e tillë.
Ndërkohë publikon shkrimet e para kryesisht dedikuese. Kujtojmë faktin se në Venecia, më 1908, boton librin e parë me poezi, me shpenzimet e veta, A Lume Spendo, kushtuar William Brooke Smithit. Po në këtë vazhdë vijnë edhe librat e tjerë përkushtues për Katherine Ruth Heymanit, tjetrën Mary Mooreit dhe tutje Carlos Tracy Chesterit. Kjo dëshmon për një dashamirësi dhe prirje miqësie të Ezres. Është për t’u shënuar edhe takimi me shkrimtarin indian Robindranath Tagore, pastaj bashkëpunimi me një sërë revistash ku ndihmon dhe boton shkrime të miqve të tij si të Eliotit, Xhojsit e të tjerëve.
Ndërkohë, nuk na është e qartë rrjedha e fejesës me Mary Mooren, në mos qoftë çështja e skandalit në punën e docentit, përderisa martohet me Dorothy Shakespearein.
Sa vete e figura e Ezres bëhet gjithnjë e më interesante dhe e shumanshme. Ai del në skenë edhe në terrenin e muzikës me operën e tij si dhe me organizimin e një serie koncertesh.
Dhe ja ku vijmë edhe te një kthesë dramatike që, pa dyshim, lë gjurmë në personalitetin e tij. Jemi në vitin 1933 kur boton ABC of Economics dhe mban një sërë konferencash mbi temën Një sfond historik për ekonominë në Universitetin tregtar Luigi Bocconi të Milanos. Mbase me këtë shkas edhe ndodh takimi i tij me Benito Musolinin.
Disa vjet më vonë, pas njëzet e nëntë vjetësh, kthehet në Amerikë, si duket, me një mision. Përpiqet ta takojë Rooseveltin për ta shmangur konfliktin në mes të Amerikës dhe Italisë, mirëpo presidenti refuzon ta takojë atë. Si për paradoks, Kolexhi Hamilton e nderon me diplomën Honoris causa. Sigurisht që i pakënaqur me mospritjen e presidentit ai ngulmon në kritika dhe nis një sërë transmetimesh radiofonike në radion italiane mbi natyrën ekonomike të luftës. Duke mbrojtur parimin se “liria e fjalës, pa liri fjale në radio, është baras me zero”, por kjo do t’i merret si propagandë për fashizmin. Mbi këtë bazë edhe akuzohet për tradhti. Është interesant fakti, se pavarësisht prej reperkusioneve, ai përherë e ndjeu veten amerikan dhe nuk hoqi dorë nga shtetësia. Kjo ma kujton shprehjen proverbiale të shkrimtarit shqiptar Dhimitër Pasko që njihej me pseudonimin Mitrush Kuteli (1907-1967) dhe mbahet ndër themeluesit e prozës moderne shqipe. Ai qe burgosur e persekutuar pafundësisht nga regjimi komunist por, në çastet e fundit të jetës, i shkroi të shoqes letrën-testament duke e mbyllur me formulimin: “Atdheun duhet dashur edhe kur të vret” (Mekuli Press, n.d.).
Këtu vijmë para dilemës: Ç’e shtyri Ezren drejt krahut agresiv të luftëndezësve të Luftës së Dytë Botërore? Duke njohur natyrën e tij të qetë, moslakminë materiale dhe gatishmërinë për t’i ndihmuar talentet e reja me një bujari të pashoqe, ç’e shpuri drejt asaj pjese të errët të njerëzimit?
Vështirë të shpjegohet kjo anë e personalitetit të tij në mos qoftë aspirata e hershme për paqen sociale, bezdia nga hegjemonia e kapitalit, ritmi galopant i zhvillimit teknologjik borgjez e të tjera!
Duket sikur personalitetin e tij e vuri në sprovë të rëndë edhe burgu, madje deri në shkallë të çekuilibrimit mental.
Që të kuptohet edhe një detaj esencial është me rëndësi të kihet në vëmendje fakti sesi besimet e tij ideologjike dhe politike qenë transformuar midis viteve 1919 dhe 1939. Në vitet 1920, si shumë të tjerë që përjetuan trazirat ekonomike dhe shoqërore, në atë kohë në Francë, Itali dhe Gjermani, Pound i zhvendosi përkatësitë e tij nga bohemizmi anarkist në një fiksim në format e kulturës së fortë dhe patriarkale.
Duke lexuar një poezi karakteristike të tij na vjen ndër mend edhe dhuntia për njëlloj pendese, për një kthesë interesante që, megjithatë, dëshmon se ai nuk ishte sedërqar. Ai, ndoshta, nga një pozicion moskuptimi, e kishte kritikuar rëndë Walt Whitmanin, autorin e librit me nam Fije bari. Pas shumë kohësh shkroi me ndjesë e pendesë poezinë Pajtim:
Tash po pajtohem me ty Walt Whitman
Të kam urryer mjaft gjatë
Po të vij si fëmijë i rritur
Që e kishte babanë kokëtrashë
Jam mjaft i pjekur të bëj miq
Ti ishe ai që e çau pyllin e ri
E tash është koha për gdhendje
Jemi të një lëngu e të një rrënje
Le të ketë mirëkuptim mes nesh
(Pound, 2021:29).
III. 2. Ivo
Siç e kemi vënë re, fëmijëria e tij ndërlidhet me dy qytete të Bosnjës, me Vishegradin dhe Travnikun, në brigjet e Lumit Drina. Vinte nga një familje me përkatësi kombëtare të përzier kroato-serbe dhe u rrit në një mjedis shumëkonfesional ku bashkëjetonin myslimanët, katolikët dhe ortodoksët. Derisa në aspektin religjioz nuk pati ndonjë animozitet, në planin kombëtar ai gjithnjë e ndjeu veten serb. Prandaj as është e rastësishme ndjenja e joshjes së tij me qytetin e Beogradit ku jo vetëm bëri karrierën politike dhe diplomatike, por edhe gjeti shtratin e përshtatshëm për krijimtarinë letrare, pavarësisht prej rendeve e sistemeve politike që ndërroheshin ndërmjet dy luftërave botërore, njëherë si Mbretëri Serbo-Kroato-Sllovene e herë tjetër si Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë.
Ç’është e vërteta, fëmijërinë e hershme e bëri gjithandej Bosnjës deri në Sarajevë, po kjo është kohë e pushtimit shekullor nga Perandoria Osmane kur kufijtë e brendshëm nuk ekzistonin.
Vendlindjen e tij ai do ta përshkruajë me nota të gjalla, por me nuanca nostalgjie: “Askush kurrë nuk e ka menduar sa orë të dritës të diellit natyra merr nga ky vend, por është e sigurt që dielli këtu lind më vonë dhe perëndon më herët sesa në çfarëdo fshati apo qyteti tjetër të Bosnjës…”. Në Travnik, siç e kemi përmendur edhe në pjesën biografike, Andriqi qëndroi vetëm një muaj. Me të, të mbështjellë si foshnjë, nënë Katarina zhvendoset në Sarajevë. Pastaj sërish kthimi në Vishegrad. Aty Andriqi u rrit afër urës së famshme të Drinës të ndërtuar nga Mehmed Pasha Sokoloviçi, ku ai kalonte çdo ditë përgjatë rrugës për në shkollë. Ai shprehej: “Për herë të parë pashë dritën e ditës pranë urës së Drinës…” (Popoviç, 1989:11).
Poeti T. Alaupoviç, me të cilin ai u njoh në lëvizjen Të rinjtë e Bosnjës, që punonte për konsolidimin e idesë për lirinë dhe bashkimin me Serbinë mes të rinjve serbë dhe kroatë, zbuloi prirjen e Ivo Andriqit për gjuhën gjermane dhe letërsinë. Matematika, të cilën e mësonte nga profesori Velc (i cili ia shkuli flokët dhe e poshtëroi në klasë), e bënë të dëshpërohej shumë: “Ai mendonte të vetëvritej, të helmohej apo edhe ta vriste veten me armë” (Popoviç, 1989:12).
Me fillimin e shekullit XIX sikur u zgjuan ndjenjat nacionale te të gjithë popujt e Gadishullit Ballkanik dhe zunë rebelimet e kryengritjet e pareshtura për çlirim. Prandaj në memorien e të riut Ivo u regjistruan ngarendjet e konsujve të ndryshëm që atëbotë kishin mbushur qytetin e tij Travnikun. Kur ai bëri romanin Kronika e Travnikut nuk kish sesi të mos i vinte edhe nëntitullin Koha e konsujve. Ndërkohë vendin e pushtimit turk e zuri pushtimi i ri, ai i Perandorisë Austro-hungareze.
Magjinë e joshjes pas librave e ka përshkruar në mënyrë të çuditshme në veprën Shkrimtari flet me veprën e vet (Pisac govori svojim delom) (Andriq, 1994). Qasja ndaj librit i vjen krejt spontane. Në të vërtetë shkasin ia jep libraria e qytetit, e vetmja ndërtesë me xhama dhe ai, derisa kthehej nga shkolla, për orë të tëra qëndronte duke vështruar librat e trashë me kapakë të fortë e me pamje luksoze. E thotë edhe vetë se as e imagjinonte se çfarë kishte në to dhe kush ishin autorët. E, megjithatë, nuk shqitej që andej. Një lidhje e pashpjegueshme me librin, e paimagjinueshme, një lidhje mistike si ta dinte se që andej hapej mrekullia e botës. Kur më vonë do ta zbulojë mrekullinë e librit ai kurrë nuk do ta harrojë takimin e parë me të.
Duket krejt si lojë ky fakt, por më vonë do të dëshmohet se gjurmët e këtij kontakti do të lënë shenja të pashlyeshme në personalitetin e tij. Këtë e konstaton edhe njohësi i veprës së tij Radovan Vuçkoviq, i cili shkroi pasthënien e librit të tij me titullin Bashkëbisedim kundër vullnetit: “Duhet thënë se Andriqi qëkur ka shfaqur mosdisponim të theksuar ndaj shpalimit të drejtpërdrejtë dhe të tepruar të personalitetit dhe të veprës përballë lexuesit… Këtë e kishte bërë edhe më 1914, në një vështrim për shkrimet e Hajnes, ku përpiqej ta mbronte shkrimtarin nga ata që, duke u shërbyer me të dhënat personale të autorit, ia profanizonin veprën” (Andriq, 1994:359). Ky është një detaj interesant për të kujtuar se derisa Poundi e shihte veprën dhe autorin si një dhe të pandarë, Andriqi bën të kundërtën, e pranon mëvetësinë e veprës nga autori dhe aq më pak ia njeh atij avokatinë për veprën e vet. “Personalisht mendoj dhe përherë kam menduar se shkrimtari duhet të flasë, para së gjithash dhe mbi të gjitha, me veprën e tij” (Andriq, 1994:111).
Po në këtë libër e zë ngoje faktin se interesimi më i shtuar për librin i zgjohet sidomos në vitin e tretë të shkollës së mesme kur tashti veç dinte t’i dallonte autorët dhe përmbajtjet e veprave të tyre. Neve nga pozicioni i sotëm mund të na duken thuaja absurde këto gjëra, po nga retrospektiva e rrethanave të kohës së tij janë krejt të përligjura.
Është edhe një fakt interesant që ngulmon në profilin dhe personalitetin e tij. Ai nxjerr konstatimin se “ndikimi i qytetit të brezit kufitar, i qullosur me trazime, ndikon edhe në mentalitetin e njerëzve” (Andriq, 1994:116).
Vështrimit të kujdesshëm e të thelluar të studiuesve të jetës dhe të veprës së Andriqit, megjithatë, nuk i shpëton një detaj. Si qe e munduar që ai gjeti pranim dhe ndërtoi karrierë në të gjitha rendet dhe regjimet, si në atë të proveniencës borgjeze serbe e nacionaliste, si në ato të rendit postmonarkik, në socializëm e komunizëm? Ne nuk e kemi gjetur në asnjë rrethanë ndonjë prirje vardisjeje të tij, në mos qoftë një dozë zemërgjerësie e tolerance, por që le të kuptohet si oportunitet.
Nuk mund të mos vëmë re se, përveç kureshtjes letrare, përveç leximeve, përveç shoqërimit me personalitete të ndryshme të letërsisë, të kulturës, të politikës e të diplomacisë, një ndikim me peshë në personalitetin e tij ka edhe njohja e gjuhëve të huaja.
Inteligjent, i matur, erudit me sjellje fine, si të thuash aristokratike, në kuptimin më të mirë të fjalës. Kështu mund të vizatohet njëfarë dore personaliteti i tij.
III. 3. Peter
Ndoshta fjala më e saktë për nobelistin austriak Peter, kur bëhet fjalë për personalitetin e tij, do të ishte kontrovers. Është i padiskutueshëm si individualitet krijues dhe shfaqet në letërsi me një rebelim të theksuar. Në vendet moniste të komunizmit të Lindjes, bie fjala, shfaqja e një kalibri të tillë do të mbulohej me lavdinë e përjetshme të disidentit, po rritur e formuar në demokracinë liberale Perëndimore nuk ka sesi të tumiret. Dhe nuk gjen asnjë lloj alibie as te dashamirësit më të thekur të tij.
Është biri i një nëne me origjinë sllave (më saktë, sllovene). Sigurisht rritur me një dashuri të pamasë të saj dhe dëshmi është fakti se i biri i dedikon librin më të mirë të tij, Një brengë përtej ëndrrave (Handke, 2020) ardhur në shqip për herë të parë më 1997. Vetë fillimi i romanit është tepër dramatik dhe duket sikur të ngjethë mishtë ende pa u futur në brendi: “Në numrin e së dielës së ‘Volkszeitung’, një gazetë e Kartnerit, në rubrikën TË NDRYSHME, shkruhej: ‘Në të gdhirë të së shtunës, një shtëpiake pesëdhjetenjëvjeçare nga A. (komunë e G-së) vrau veten përmes marrjes së një doze të tepërt tabletash gjumi” (Handke, 2020:7).
Vorbulla e ngjarjes tutje të rrëmben dhe të vjen e ankthshme ngaqë ishte pjesë e vetëdijes së autorit. E ëma, një grua thuaja e padukshme që jeton në vitet e nazizmit në Austri, në Luftën e Dytë Botërore. Një grua që, për ta bërë me baba djalin që pret prej një burri të martuar, heq dorë nga buzëqeshja duke e pranuar pikëllimin e përhershëm dhe martohet me një oficer të Vermahtit.
Ta lëmë mënjanë fabulën e librit dhe t’i kthehemi Peterit. Mos zë fill këtu një borxh i paborxh, një trysni në ndërgjegje përballë një gruaje që e bjerr jetën e vet pa një gëzim dhe e shuan atë (vetëvritet) në një moshë kulmore pjekurie për një grua? Që këtej rezultojnë shumë dilema e pikëpyetje, po rezultati na shfaqet në personalitetin cinik e të vrazhdë të Handkes. Provë, siç do të thoshin prokurorët, janë reagimet e tij, sidomos ndaj gazetarëve dhe ndaj opinionit publik, pa kursim.
Marrë nga numri 14 i revistës “Akademia”