Shkrimtarja që parashikoi të ardhmen
Një shkrimtare vizionare e parashikoi të ardhmen alternative dhe shumë aspekte të përditshmërisë sonë, shkruan Hephzibah Anderson. Pjesë të shkrimit të saj, Telegrafi sjell më poshtë.
Është koha e fushatës në ShBA, kur një kalë i errët karizmatik vrapon me parullën “bëje Amerikën përsëri të madhe”. Sipas kundërshtarit të tij, ai është një demagog; një ngucakeq; një hipokrit. Kur mbështetësit e tij formojnë turma dhe i djegin njerëzit për së gjalli, ai e dënon dhunën e tyre “me një gjuhë kaq të butë saqë njerëzit e tij ishin të lirë të dëgjojnë atë që ata duan të dëgjojnë”. Ai akuzon, pa arsye, grupe të tëra njerëzish si përdhunues dhe si shitës droge. Ai e di rëndësinë e ndarjes, për të pushtuar dhe për të sunduar, teksa lufton që ta kthejë shtetin në një epokë që kurrë nuk ka ekzistuar.
Ju mund të mendoni se ky person është i njohur, por fjala është për senatorin e Teksasit, Andrew Steele Jarret – kandidati i trilluar presidencial i cili lufton për fitoren në një roman distopik të titulluar “Parable of the Talents” (Shëmbëlltyra e talentave). I shkruar nga Octavia E. Butler, libri u botua në vitin 1998 – gati dy dekada para inaugurimit të presidentit të 45-të të Shteteve të Bashkuara.
Ashtu si shumica e shkrimeve të saj, ky libër ishte një paralajmërim se ku mund të shkojë ShBA-ja dhe njerëzimi. Si vazhdim i librit të saj të vitit 1993, “Parable of the Sower” (Shëmbëlltyra e mbjellësit), “Shëmbëlltyra e talentave” vendoset në vitin 2032. Ndonëse vizioni i saj është ekstrem, ka shumë gjëra që ndjehen brenda kufijve të mundësisë: burimet gjithnjë e më të pakta, planeti që vlon, fundamentalizmi i përhapur fetar, klasat e mesme nëpër enklava të mbyllura… Protagonistja e romanit, një grua me ngjyrë si vet autorja, ka frikë se autoritarizmi i Jarretit vetëm sa i përkeqëson gjërat.
Katërmbëdhjetë vjet pas vdekjes së saj të hershme, reputacioni i Butlerit po rritet. Parashikimet e saj në lidhje me drejtimin që do të merrte politika amerikane, si dhe slogani që do ta mbështeste këtë, duken mjaft të çuditshme. Por, kjo nuk ishte e tëra që ajo parashikoi. Në veprat e saj e sfidoi identitetin tradicional gjinor, duke e treguar një histori për një burrë shtatzënë e duke i parashikuar karakteret që ndryshojnë formën e që ndryshojnë gjininë. Interesimi i saj ishte i madh për përshtatjen e racës njerëzore, për ndryshimet klimatike dhe për industrinë farmaceutike. Po ashtu, për shkak të racës dhe gjinisë së saj, luftonte t’i shkatërronte paragjykimet për shkrimtarët dhe lexuesit, si dhe ndihmoi që fantashkencën ta kthejë tek e natyrshmja dhe tek njerëzit si ajo.
Octavia Estelle Butler lindi më 22 qershor të vitit 1947. Babai i saj, një lustraxhi këpucësh, vdiq kur ajo ishte shumë e re. U rrit nga nëna shërbëtore, në Pasadena të Kalifornisë. Si fëmijë i vetëm, e argëtonte veten duke rrëfyer, qëkur ishte katër vjeçe. Më vonë, duke u rritur në një epokën e segregacionit, të rrëfyerit u bë formë shpëtimi. Lexonte shumë, pavarësisht disleksisë. Nëna e saj – së cilës ia kishin lejuar pak vite shkollë – e dërgoi të merrte një kartë biblioteke dhe ia sillte librat që hidheshin nga shtëpitë që i pastronte. Kështu, Butleri nisi të mësojë të imagjinojë për një të ardhme alternative të jetës.
“Fantazoja të bëja jetë të pamundura, por interesante – jetë magjike në të cilat mund të fluturoja si Supermeni, të komunikoja me kafshët, të kontrolloja mendjet e njerëzve”, shkroi ajo më 1999.
Ishte 12 vjeçe kur u njoftua me fantashkencën.
“Më tërhoqi më shumë, sepse kërkonte më shumë mendime, më shumë hulumtime për gjërat që më magjepsnin”, shpjegoi ajo.
Ato burime magjepsjeje varionin nga botanika, paleontologjia e deri te astronomia. Nuk ishte nxënëse shumë e mirë, por “pasionante”. Pas shkollës së mesme, më 1968 diplomon nga Universiteti i Pasadenës. Ndërkaq, gjatë viteve 1970 e përsos zanatin si shkrimtare. Duke mbijetuar në mënyra të ndryshme, si pjatalarëse, teleshitëse dhe inspektore në fabrike, zgjohej në orën dy të mëngjesit për të shkruar. Pas pesë vjetësh refuzimesh, e shiti romanin e saj të parë “Patternmaster”, më 1975, dhe kur kjo vepër u botua vitin e ardhshëm, kritikët e vlerësuan ngjarjen e ndërtuar dhe heroinën progresive. Libri e imagjinon një të ardhme të largët në të cilën njerëzimi ka evoluar në tri grupe gjenetike, me atë mbizotëruese telepatike, duke na shfaq për herë të parë tema të hierarkisë dhe komunitetit. Kjo vepër nxiti botimet e dy librave tjerë – “Mind of My Mind” (Mendja e mendjes sime) dhe “Survivor” (Mbijetuesi).
Me një paradhënie prej 1,750 dollarësh për veprën “Survivor”, ajo e bëri një udhëtim për në Marilend, për të shkruar për një grua të re me ngjyrë që kthehet prapa në kohë, në jugun e Amerikës së shekullit XIX. Udhëtoi me autobus dhe, gjatë ndalesave tri-orëshe nëpër stacione, i shkroi kapitujt e parë dhe të fundit të asaj që do të quhet “Kindred”. Vepra u botuar në vitin 1979 dhe është libri i saj më i njohur.
Vitet 1980 do t’ia sjellin një varg çmimesh, si dhe botimin e trilogjisë “Xenogenesis” që u nxit nga debatet për “fitoren në luftën bërthamore” gjatë garës së armëve, e që tregon se natyra hierarkike njerëzore është një e metë fatale. Librat gjithashtu merreshin me debatet rreth inxhinierisë gjenetike njerëzore dhe programet e mbarështimit për speciet e rrezikuara.
Në fotot e librave të saj, Butleri shfaqet si grua serioze me një vështrim depërtues. Në një fjalim që ajo e mbajti në Uashington, më 1991, e dha një përshkrim më të plotë të vetes: “E rehatuar si asociale, vetmitare në mes të Los Anxhelosit, pesimiste nëse nuk jam e kujdesshme, feministe, grua me ngjyrë, ish-baptiste, një kombinim vaji dhe uji i ambicies, përtacisë, sigurisë dhe nxitjes”.
Nxitja vërehet në disa shënime motivuese të shkruara në pjesën e pasme të një blloku. Më 1998 ka thënë: “Do të jem shkrimtare bestseller”. Pastaj: “Do ta gjej mënyrën për ta bërë këtë! Le të bëhet. Do ta shihni”. Diku tjetër e nxit veten të “tregojë histori të mbushura me fakte. Duhet t’i bësh njerëzit të ndjejnë. Të ndjejnë. Të ndjejnë”.
Vdiq më 2006. Atë vit e boti romanin “Fledgling”, ku heroina vampire duhet të marrë hak për një sulm të egër dhe të rindërtojë jetën dhe familjen e saj. Në kohën kur vdiq, librat e saj ishin përkthyer në 10 gjuhë e shitur në më shumë se një milion kopje. Pas vdekjes shtohet numri i adhuruesve, sidomos vitet e fundit. Por, ajo nuk e shpiku sloganin e fushatës së Donald Trumpit. Ajo u përdor nga Ronald iReagan më 1980 dhe më vonë nga Bill Clintoni. Sidoqoftë, kur lexuesit panë gjatë zgjedhjeve të vitit 2016, në ShBA, se Butleri e kishte përzgjedhur atë slogan për Jarretin, kjo tregonte se shkrimtarja është përpjekur të na tregojë se nëse nuk bëjmë ndryshime, kjo do të ndodhë.
Te një pjesë e veprës “Shëmbëlltyra e mbjellës”, kur shoqja më e mirë e heroinës Lauren Olamina këmbëngulte se “librat nuk do të na shpëtojnë”. Lauren përgjigjet: “Përdore imagjinatën”, duke i thënë të kërkojë në raftet e librave të familjes së saj për gjithçka që mund të jetë e dobishme. “Çdo lloj informacioni për mbijetesë, nga enciklopeditë, biografitë, gjithçka që të ndihmon të mësosh”, vazhdon ajo. “Edhe disa trillime mund të jenë të dobishme”. Romanet e Butlerit janë lloj i tillë trillimi.
Puna e Butlerit është edhe sot objekt i përshtatjeve televizive dhe vëmendjes së kampuseve universitare ku veprat e saj lexohen nga këndvështrime të ndryshme. Sepse, fëmija që nisi të shkruajë si një mjet shpëtimi, përfundoi duke bërë thirrje për veprime socio-politike që janë gjithnjë e më të rëndësishme për mbijetesën e species tonë.