Shkrirja e KPMM-së në Shërbimin Gjeologjik dekurajon investitorët e huaj
Anëtari i Bordit në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), Azem Rexhaj, i cili ka qenë edhe drejtor i këtij institucioni, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se shkrirja e KPMM-së në Shërbimin Gjeologjik të Kosovës do t’i dekurajojë investitorët e huaj për sektorin mineral. Ai ka bërë me dije se janë në përgatitje të një dokumenti nëpërmjet të cilit do ta arsyetojnë domosdoshmërinë dhe rëndësinë e KPMM-së në nivelin e agjencisë së pavarur. Rexhaj ka thënë se këtë dokument do t’ia përcjellin qeverisë dhe do të jepen arsyet pse nuk duhet të dëmtohet ky sektor kaq i rëndësishëm.
Albulena S. MAVRAJ
“Epoka e re”: Z. Rexhaj, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive të pavarura ka paraparë që KPMM-ja të shkrihet në Shërbimin Gjeologjik të Kosovës, ndërkohë që ju po e kundërshtoni. Pse?
Rexhaj: Draftligji për Miniera dhe Minerale, i cili pritet të miratohet në lexim të dytë, ka paraparë avancim të sektorit minerar dhe kompetencave të KPMM-së, e jo të ndodhë e kundërta siç është paraparë me Projektligjin për racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive të pavarura. Bëhet fjalë për një draft që është duke e punuar Ministria e Administratës Publike në bashkëpunim me konsulencat e tjera që, veç të tjerash, ka paraparë që KPMM-ja të shkrihet në Shërbimin Gjeologjik të Kosovës (ShGjK). Ne e kemi kundërshtuar, pasi hartuesi i këtij draftligji s’ka qenë fare i informuar për sektorin e minierave. Duket se ideja e tyre ka buruar nga ajo se KPMM-ja konsiderohet se ka kompetenca ekzekutive pasi lëshon licenca, por kjo nuk qëndron për faktin se licenca lëshon edhe BQK-ja dhe rregullatorët e tjerë. Në debatin publik që kishim, përveç KPMM-së, kjo ide nuk u mbështet as nga Shërbimi Gjeologjik i Kosovës dhe as nga Ministria për Zhvillim Ekonomik. Prandaj presim të rishikohet ky projektligj.
“Epoka e re”: Nëse ndodh një shkrirje e tillë, çfarë pasojash do të sjellë?
Rexhaj: Nëse KPMM-ja do të shkrihet në këtë institucion dëmi do të jetë i madh si për institucionin në fjalë, po ashtu edhe për kompanitë që janë aktive dhe ato që pretendojnë të investojnë, sepse do të humbë vazhdimësia e punës. Nëse KPMM-ja shkrihet në kuadër të ShGjK-së jo vetëm se do të shkatërrohet KPMM-ja, por edhe SHGjK-ja, pasi natyra e punëve të këtyre institucioneve është e ndryshme dhe paraqet konflikt interesi që të jenë në një kulm. Shërbimet Gjeologjike në botë, ashtu si në Kosovë, më shumë kanë qëllime shkencore. Prej themelimit të KPMM-së në vitin 2005 nuk ka ndryshuar struktura profesionale dhe vazhdimisht është avancuar. Unë isha drejtori i parë shqiptar në vitin 2007 dhe, përkundër që ka pasur transferim të kompetencave nga ndërkombëtarët, asnjë nga profesionistët nuk është ndërruar. Kemi vazhduar punën duke qenë ndër institucionet më kredibile dhe të vlerësuara nga vendorët dhe ndërkombëtarët. KPMM-ja në kuadër të stafit ka tetë doktorë shkence dhe 45 magjistra, pra kemi një staf të përgatitur me standardet më të larta. KPMM-ja është themeluar si agjenci e pavarur dhe, nëse kalojmë në kuadër të ShGjK-së, nga topniveli do të zbresim në pesë nivele më ulët. Kjo do të jetë vështirë e kuptueshme edhe për investitorët e huaj. Është planifikuar që të përgatisim një dokument në mënyrë që ta arsyetojmë domosdoshmërinë dhe rëndësinë e të qëndruarit në nivelin e agjencisë së pavarur. Këtë dokument do ta dërgojmë në qeveri dhe MAP. Besoj se pasi t’i marrim informatat do ta kuptojnë se ky sektor është mjaft i rëndësishëm dhe nuk është sektor për t’u eksperimentuar më të. Përfundimisht nuk është në interes të askujt që një sektor kaq i rëndësishëm të dëmtohet.
“Epoka e re”: Shkrirja e KPMM-së, a mund të përkthehet në presion politik?
Rexhaj: Jo, pasi ne jemi në përfundim të mandatit dhe nëse ky ligj do të kalonte, kjo nuk parashihet të ndodhë brenda mandatit tonë. Qëllimi ynë është të mbrohet KPMM-ja. Ne po përpiqemi për të mirën e institucionit dhe sektorit minerar. Sa iu përket pozitave administrative dhe profesionale, nëse ndodh një shkrirje e tillë, atëherë mund të rrezikohen disa nga ato pasi do të dyfishohen.
“Epoka e re”: Pse po prolongohet Ligji për Miniera dhe Minerale?
Rexhaj: Thënë të drejtën, nuk e di. Si anëtar i bordit nuk kam të drejtë të përzihem në çështje politike. E tëra që mund të them është se ligji e avancon sektorin minerar dhe ofron lehtësi për të bërit biznes në Kosovë, pasi vetë forma e ndryshimit të ligjit është derivat i dëgjimeve që janë bërë me të gjitha kompanitë, ku pas marrjes së opinioneve të tyre është formuar një grup punues nga Kuvendi i Kosovës me përfaqësues nga të gjithë aktorët ku kanë arritur për të përgatitur një draft për avancim të mëtutjeshëm.
“Epoka e re”: Sa ka interesim për marrje të licencave nga investitorët e huaj për nëntokën e Kosovës?
Rexhaj: Interesimi është i madh, por këtë interesim e zbehin disa mospërputhje ligjore. Kemi investitorë që ka hulumtuar që dhjetë vjet dhe ka përgatitur projektin e fizibilitetit që nuk i del pozitiv, pasi kemi një udhëzim administrativ në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, respektivisht të Agjencisë Pyjore, ku parashihet që kontrata t’u jepet vetëm për pesë vjet maksimumi, me sipërfaqe prej pesë hektarësh. Kjo e kufizon interesimin e tyre. Pasi të kalojë Ligji për Miniera dhe Minerale do të eliminohen këto mospërputhje, pasi është paraparë që të gjitha institucionet e tjera të obligohen që pëlqimet dhe kontratat e tyre t’i lëshojnë për sipërfaqe dhe afat në përputhje me licencën e aprovuar nga KPMM-ja. Prandaj, besoj se do të ketë interesim më të madh për investime. Një pengesë e tillë ka bërë që një kompani kandezo-australiane që disa vite nuk po mund ta vazhdojë punën për shkak të këtyre kufizimeve. Ne duhet t’i sigurojmë investitorët sa i përket kohës dhe sipërfaqes së shfrytëzimit. Për projekte milionëshe llogaritet edhe financimi i bankave. Llogariteni nëse u thonë bankave që kanë licencë vetëm për pesë vjet dhe vetëm për pesë hektarë, çfarë pasqyre mund t’u japin. Kemi interesim për investime nga kompani angleze, kanadeze, turke, polake dhe zvicerane. Gjithashtu, ka interesim edhe nga kompani nga Shqipëria dhe nga Kosova, të cilat janë aksionare. Interesimi i tyre është kryesisht për hulumtime të mineraleve metalike.
“Epoka e re”: Për çfarë lloj licencash ka më së shumti kërkesa?
Rexhaj: Momentalisht më së shumti ka për guri gëlqeror nga gurthyesit pasi kërkesat në treg janë më të mëdha. Ndërtimi i rrugëve dhe autostradave në mënyrë të vazhdueshme e ka rritur kërkesën. Edhe përkundër që KPMM-ja konsideron se janë lëshuar mjaftueshëm licenca për gurë gëlqerorë, por kur kompanitë sjellin të gjithë dokumentacionin dhe nëse i plotësojnë kërkesat e parapara me ligje, atëherë duhet t’ua japim licencat.
“Epoka e re”: Sa është numri i licencave që keni lëshuar nga janari deri më tani? Dhe sa janë të hyrat për periudhën e njëjtë?
Rexhaj: Nga janari deri më tani kemi lëshuar 21 licenca në hulumtim, 12 në shfrytëzim dhe 27 leje për aktivitete të veçanta, kurse nga themelimi kemi lëshuar 863 licenca për hulumtim, 683 licenca për shfrytëzim dhe 655 leje për aktivitete të veçanta. Kurse të hyrat për tremujorin e parë të këtij viti janë 7.245,312.63 euro e në periudhën e njëjtë të vitit 2018 ishin 6,163,709.5. Pra, kemi një rritje të të hyrave prej 1.081.603.06 milionë eurosh.
“Epoka e re”: E sa iu përket licencave për pjesën veriore?
Rexhaj: Të gjithë i marrin licencat te ne, por ka kompani të papërgjegjshme si në veri dhe jug. Bile më shumë ka në jug se në veri që operojnë ilegalisht. Nuk përjashtohet mundësia se sa i përket industrisë minerale ka të palicencuara në veri, por në raste kur ne i inspektojmë, ua lëshojmë urdhëresat për ndërprerje të punës, ua lëshojmë gjobat dhe lënda përcillet në prokurori. Sa iu përket kompanive për hulumtim për minerale metalike në pjesën veriore, të gjitha janë të licencuara. Kemi kompani angleze, kanadeze, turke që kanë marrë licenca për hulumtimin e mineraleve metalike në të gjitha pjesët e Kosovës. Nëse flasim për “Trepçën” si në pjesën veriore, po ashtu edhe në atë jugore janë të pajisura me licenca të shfrytëzimit.
“Epoka e re”: E paguajnë rentën minerare?
Rexhaj: Pjesa veriore ka paguar disa vjet, ndërsa minierat në pjesën jugore nuk kanë paguar asnjëherë. Pra, e gjithë “Trepça” ka mbi 12 milionë euro borxhe ndaj KPMM-së. E kanë për obligim të paguajnë por, marrë parasysh që për “Trepçën” licencat janë të lëshuara me një vendim të qeverisë, në të cilën thuhet se “Trepça” dhe KEK-u janë ndërmarrje me interes publik, atëherë u janë lëshuar licenca për interes publik. Kjo licencë lëshohet për afat dyvjeçar. Tani u kemi kërkuar të gjitha njësive të “Trepçës” që t’i rinovojnë kërkesat e tyre konform statutit të ri.