Shkrirja e KPMM-së në ShGjK cilësohet antiligjore
Shkrirja e Komisionit të Pavarur për Mineral dhe Minerale (KPMM), në Shërbimin Gjeologjik të Kosovës (ShGjK), do të shënojë regres për sektorin mineral në Kosovë, do të dekurajon thithjen e investimeve të huaja, do të ndikojë në rënien e normës së punësimit dhe zhvillimit ekonomik, si dhe paraqes amulli për këtë sektorë. Këto konkluzione dolën të mërkurën në tryezën e organizuar nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, të cilët e ka kundërshtuar projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive të pavarura, i cili parasheh që KPMM të shkrihet në Shërbimin Gjeologjik të Kosovës.
“Nëse KPMM-ja shkrihet apo bashkohet me ShGjK-në do të vie deri të defunksionalizimi dhe do të shënoj regres sektori minerar e po ashtu paraqet dhe konflikt interesi. Ristrkuturimi bie ndesh me strategjinë minerare. Kjo do të godas ekonominë pasi në këtë sektor sipas ASK-së llogaritë të jenë të punësuar 20 mijë persona dhe kemi po ashtu të hyra 20 milionë euro nga renta minerare”, ka thënë Kemajl Zeqiri anëtar i bordit të KPMM-së.
Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive të pavarura është propozuar nga Ministria e Administratës Publike.
Drejtori i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, Ramiz Krasniqi, ka deklaruar se ky projektligj është në debat publik dhe parasheh që ky komision të jetë pjesë e ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.
“Në të cilin draft është paraparë që Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale të jetë pjesë e ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, përkatësisht të bëhet bashkë dyzimi i dy agjencioneve apo Shërbimit Gjeologjik për miniera dhe Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale”, u shpreh Krasniqi.
Po ashtu, edhe kryetari i bordit të KPMM-së, e ka kundërshtuar potencialisht një shkrije të tillë dhe ka thënë se është një shkelje e standardeve evropiane, dhe shumë parime të strategjisë minerare.
Sipas tij, hartuesit e këtij projektligji nuk kanë njohuri në sektorin minerar, andaj ka kërkuar një rishikim.
Shabani foli edhe për Ligjin për Miniera dhe Minerale, i cili ndodhet në lexim të dytë, për të cilin beson se do të rregullojë edhe më shumë çështjen e funksionimit dhe pavarësisë së këtij komisioni.
Sipas tij, Shërbimi Gjeologjik i Kosovë nuk mund të japë licenca për hulumtim pasi kjo është përgjegjësi e KPMM-së. “E kundërshtojmë në tërësi këtë projektligj pasi që ky projektligj bie edhe në kundërshtim me ligjin bazë për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe Agjencive të Pavarura bie në kundërshtim me strategjinë minerare të Kosovës 2011-2025, bie në kundërshtim me pavarësinë e marrjes së vendimeve larg ndikimeve politike, frikëson investitorët serioz dhe potencial që pretendojnë të investojnë në Kosovë, de-funksionalizon në funksionimin e dy institucioneve si KPMM-në dhe Shërbimin Gjeologjik të Kosovës, ulet në nivel të departamentit vendimmarrja, shkëputet lidhja me Kuvendin dhe llogaridhënia. Pra shihet qartë që hartuesit e projektligjit nuk e kanë njohur mirë funksionimin e sektorit të minierave dhe mineraleve në Kosovë”, u shpreh Shabani.
Nga Departamenti për Miniera në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Skender Sallahu, ka thënë se ashtu siç e parasheh ligji për projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive të pavarura që licencimi, hulumtimi dhe kontrolli nuk mund të bëhet në një vend.
Sipas tij, edhe aspekti i licencimit që tani e bën KPMM, nëse i kalon Shërbimit Gjeologjik të Kosovës, mund të paraqesë konflikt interesi.
Sallahu më tutje ka thënë se ky projektligj kërkon trajtim edhe në aspektin ligjor, profesional dhe administrativ.
“Po ashtu, në aspektin e licencimit ne mendojmë që kontrolli dhe licencimi në një institucion mund të jetë edhe konflikt interesi, kështu që ne propozojmë që institucioni i cili pajisë kompanitë me licenca të jetë një agjencion i ndarë, kurse institucioni si Shërbimit Gjeologjik i cili merret me hulumtim që i bie që do pajisë Kosovën, institucionet kosovare me kualitet të të dhënave gjeologjike të jetë një institucion në vete”, ka deklaruar Sallahu.
/Epoka e re/ A.MAVRAJ