Shkruan Baton Haxhiu: Fatmir Limaj po i jep jetë Albin Kurtit dhe vetes

06 prill 2025 | 20:13

Nga hakmarrja për Pacollin, tek koalicioni për mbijetesë, një histori e gjatë politike që përfundon me një marrëveshje për zgjedhjet e ardhshme.

Shkruan: Baton Haxhiu

Ka histori politike që përshkruhen me shifra, deklarata dhe sondazhe. Dhe ka të tjera që kërkojnë të ndjehen, të kuptohen si rrëfim i pashkruar që përshkon dekadat për t’u shfaqur në një marrëveshje të beftë. Rasti i Fatmir Limajt dhe Albin Kurtit është një prej tyre.

Pakti mes tyre nuk është një kalkulim i zakonshëm koalicionesh. Është më shumë se një bashkëpunim për vota; është një marrëveshje e mbijetesës politike, që tenton ta kthejë një armiqësi të kahershme në një aleancë që përfshin jo vetëm të tashmen, por edhe zgjedhjet e ardhshme. Në zemër të kësaj marrëveshjeje është ajo që në tavolinë quhet “pako” – një paketë që nuk përmban thjesht poste, por një projekt për të mos u fundosur të dy në të njëjtën kohë.

Por, si arritëm këtu?

Para zgjedhjeve të fundit, Fatmir Limaj iu afrua Partisë Demokratike të Kosovës për një koalicion që do të kishte natyrën e një rikthimi në shtëpi. Prejardhja e përbashkët ideologjike, rrënjët në UÇK dhe një ndjenjë e përbashkët për humbjet dhe fitoret politike e bënin atë rikthim të natyrshëm. Aq i thellë ishte ky afrimi sa që Limaj ishte gati të shkrihej brenda PDK-së. Por, historia kishte memorie më të gjatë se ofertat pragmatike.

Në një kthesë të errët të vitit politik 2011, kur Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj kishin refuzuar që Behgjet Pacolli të bëhej president, PDK-ja qe ndarë përbrenda. Mosvotimi i Pacollit, i nxitur edhe nga Krasniqi, u bë akti i parë i një hakmarrjeje të gjatë. Lënda shkoi në Gjykatën Kushtetuese, dhe ajo që nisi si mospajtim procedural u kthye në thyerje politike. Nga kjo plagë doli NISMA. Nëse atëherë dukej si një largim me ego, sot duket si një strategji me kosto.

PDK-ja nën Kadri Veselin nisi një betejë të ashpër kundër Nismës, por ishte një betejë që i kushtoi. Nisma i mori më shumë se 6% dhe ndihmoi në rrëzimin e PDK-së nga udhëheqja e qeverisë, duke ia dorëzuar për herë të parë Isa Mustafës postin e kryeministrit. Ky ishte çmimi i një hakmarrjeje të hershme dhe i një strategjie pa falje.

Por, më shumë sesa numrat, ishte narrativa që po ndryshonte. Dueti Limaj-Haradinaj, të dy nga radhët e UÇK-së, i dha krah diskursit të Lëvizjes Vetëvendosje kundër PDK-së. Kurti ndërtoi një armë të pamëshirshme diskursive kundër Hashim Thaçit, dhe, me kohë, përthithi edhe një pjesë të elektoratit të LDK-së. Për një moment, gjithçka dukej e shkuar.

Por, koha kthehet. Zgjedhjet e 9 shkurtit nuk nxorën fitues. Albin Kurti nuk mund të bëjë qeveri, pa vota të opozitës. Koalicioni me AAK-në ndihmoi që NISMA të marrë tre deputetë, mjaftueshëm për t’i dhënë Kurtit një shpresë për të qeverisur.

Në këtë terren të lëkundur, NISMA u përpoq të komunikojë qartë: “votat tona janë për një qeveri ku opozita udhëheq”. Por, opozita nuk ishte gati të bënte kompromis. Lumir Abdixhiku kërkoi postin e kryeministrit me çdo kusht. Një kërkesë që në pamje të parë është legjitime, por në realitet, dukej si një arrogancë e një lideri pa strukturë për të marrë përgjegjësi.

PDK-ja mbeti e ngurtë. Inati i vjetër me Limajn e bllokoi një koalicion që mund t’i jepte 27-28%. Dhe këtu nisi loja tjetër.

Kurti e di se frika e vetme politike që ka quhet Ramush Haradinaj. Ai nuk mund ta afrojë, por mund ta amortizojë ndikimin e tij duke marrë Limajn. Në këtë mënyrë, ai merr një pjesë të UÇK-së dhe e mbulon frikën nga një kundërshtar që flet pa filtër dhe vepron pa paralajmërim. Në anën tjetër, përballë BE-së, përfshirja e një figure me të kaluar të luftës i jep më shumë hapësirë për manovra, edhe në çështjen e ndjeshme të Asociacionit.

Ramush Haradinaj nuk ka më hapësirë për veprime radikale. Ai mbetet spektator në një ndeshje që po i shkruhet në mungesë.

Humbëse? AAK-ja dhe LDK-ja. Asnjëra nuk do të arrijë të rritet në zgjedhjet që do të pasojnë, sidomos kur të vijë koha e zgjedhjes së presidentit, ku duhen 80 vota në parlament. LDK-ja po përjeton një ngërç të thellë drejtimi. Lumir Abdixhiku do të humbë përsëri dhe kësaj here nuk do të ketë kush ta mbrojë në parti. Do të përballet me dy rrugë: të largohet nga politika ose të krijojë një subjekt të ri me një bazë të vogël prej 10%.

PDK-ja do të detyrohet të reflektojë. Procesi i Hagës do ta kthjellojë. Nëse liderët e saj shpallen fajtorë, ajo do të kërkojë një identitet të ri; nëse janë të pafajshëm, do të tentojë një rikthim. Por, rruga do të jetë e gjatë dhe me kosto.

Lëvizja Vetëvendosje, partia që i shkaktoi më shumë dëm Kosovës në qeverisje, po shpreson që të fitojë zgjedhjet lokale me dikë tjetër në krah, për të shpërndarë buxhetin për vete dhe jo për opozitën. Dhe këtu, marrëveshja me Limajn është thelbësore.

Limaj, nëse nuk hyn në koalicion, zhduket si faktor politik. Nëse hyn, ai do ta bëj si dikur, të kërkojë një pako që nuk është thjesht për sot. Ai nuk mund të jetë një deputet me tre vota për të mbushur numra. Ai do të kërkojë një marrëveshje që përfshin: koalicion të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme dhe strukturë të ndarë pushteti në qeverisje dhe në nivel lokal.

Një narrativë të re që e paraqet NISMA-n si faktor shtetformues dhe jo si ndihmë të rastit për t’i dhënë Kurtit pushtetin.
Nëse e arrin këtë, Limaj i jep jetë vetes dhe zgjat jetën politike të Vetëvendosjes. I jep një strehe vetes, ndonëse është streha e një kundërshtari të dikurshëm. Nëse armiqësitë e vjetra shndërrohen në ura për të ardhmen, atëherë kjo është forma më e rafinuar e pragmatizmit politik. Jo pa kosto morale, por me fitim afatgjatë.

Në përfundim, opozita po humb rastin për të ndryshuar kursin e historisë. E vetmja që po e lexon me saktësi rrjedhën është LVV-ja. I vetmi që po reagon si njeri që di të mbijetojë është Limaj. Të tjerët, si në një dramë të shkruar më parë, po ecin drejt një tjetër humbjeje – këtë herë pa alibi.

Në politikë, kush nuk di të falë, humbet dy herë: një herë nga inati dhe herën tjetër nga paaftësia për të ndërtuar të ardhmen. Limaj po zgjat dorën mbi plagët e vjetra, jo për ideal, por për mbijetesë. Kurti po e pranon, jo për besim, por për nevojë. Të dy po tregojnë se morali në politikën kosovare nuk është më çështje parimesh, por funksion i frikës dhe shpresës. Opozita që nuk fal, që nuk bashkohet, që nuk ofron alternativë, po dënon veten me mungesë historie. Në këtë lojë, nuk fiton ai që ka të drejtë, por ai që lexon kohën. Dhe koha është kundër të ndarëve.

Krejt në fund, opozita ka pasur në dorë një nga rastet më të rralla historike për të ndryshuar kursin e ngjarjeve – jo thjesht për të larguar LVV-në nga pushteti, por për t’i dhënë vendit frymën e një qeverisjeje të re, të baraspeshuar dhe të ndërtuar mbi dinamikën e mirëqenies, jo të diskursit. Kjo mundësi është flijuar në emër të kokëfortësisë, të individualizmit të sëmurë dhe të mungesës së një vizioni të përbashkët. Dhe në politikë, kur nuk përfiton nga historia, ajo të kthehet në gjyqtar.

Nga ana tjetër, LVV-ja mund të zgjedhë ta thyejë këtë rreth të frikës dhe të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme me llogarinë e një kalkulimi të ftohtë: harresa kolektive ndaj fyerjeve të dikurshme, ku liderët e sotëm i quante “hajvanë”, mund të shndërrohet në një rikthim të pamëshirshëm. AAK dhe NISMA rrezikojnë të mos e kalojnë më pragun. Kosova, kështu, futet në një epokë parlamentare me vetëm tri parti të mëdha – ku LVV-ja, nga pozita e një arrogance të izoluar, kalon në pragmatizmin absolut, e gatshme për të bërë koalicion me cilëndo: me PDK-në për të mbyllur ciklin e kthjelljes, apo me LDK-në për të imituar një ekuilibër moral që vetë e ka rrënuar.

Prandaj, Kosova nuk po ecën drejt një zgjedhjeje politike, por drejt një eksperimenti moral. A do të zgjedhë të qeveriset nga ata që dinë të bashkohen, apo të fundoset nga ata që refuzojnë të falin?

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga Federico Rampini, Corriere della Sera Divorci midis Amerikës dhe…