Shkruan: Bujar Degolli / Me shkas… Kujtim i një fillimi vendimtar për lirinë e Kosovës
Kush do të besonte se rruga tatëpjetë e lagjes Velania në Prishtinë, do të ishte vendi që do të thyente heshtjen tonë e do të fillonte zëri që do të dëgjohej gjithandej!
Rezistenca filloi…
Heshtja u thye…
Kthesa u arrit…
Një Tetor 1997! Moti ishte i ngrysur, duket edhe dielli atë ditë nuk donte të na shihte e t’i ngrohte të rinjtë e të rejat e Kosovës, rruga dukej e ngushtë, por edhe më e ngushtë bëhej nga kordonët e policisë serbe, që kishin zaptuar rrugët dhe lirinë tonë. Ne ecëm rrugës, që dukej si një mal i pakalueshëm, por përtej saj shihej se liria jonë nuk do të vononte. Studentët nuk u ndalën te trafo poshtë, ata vazhduan drejtë e në male, në vijat e frontit, tashmë lëvizja nuk ishte më protestë, ajo ishte vetë liria jonë.
“Ju kurrë nuk mund të dini se çfarë rezultate vijnë nga veprimet tuaja, por nëse nuk bëni asgjë, nuk do të ketë rezultate’’ – thoshte Gandi.
Pra, lëvizja duhej të bëhej atë kohë, u bë, sikur edhe lufta e liria, por ne duhet t’i qëndrojmë besnikë përsëri këtij postulati, kudo që ndodhemi e në secilin pozicion që kemi.
Lëvizja e Kosovës nuk ndalet…, ajo duhet të ketë drejtimin e duhur me udhëheqës të duhur.
Të nderuar miq,
Dita e parë e tetorit, është edhe ditë e përkujtimit të secilit student e profesor që ra dëshmor, është ditë përkujtimi edhe për rektorin historik Profesor Ejup Statovci, është ditë falënderimi e mirënjohjeje për secilin qytetar të Kosovës që lëshoi shtëpitë për universitetin dhe shkollën shqipe, është mirënjohje për secilin nga ata që iu bashkuan 27 mijë studentëve që atë kohë i kishte Universiteti ynë si dhe mijëra vullnetarëve e aktivistëve që numëronte lëvizja jonë studentore.
Lëvizjet janë në harmoni me ritmin e jetës sonë!
Brezi studentor i 97-ës ka arritur pa asnjë dyshim qëllimin, duke ngritur një popull të tërë të pasivizuar e të pashpresë, duke ia kthyer popullit shpresën dhe besimin se gjërat munden të bëhen dhe duhet të bëhen, por ky brez edhe sot, sikundër edhe brezat e tjerë, ka se çfarë t’i japë Kosovës dhe institucioneve të saj, në të gjitha sferat.
Dëshmi është koha, 1 Tetori është garancia.
Urime 1 Tetori,
Urime fillimi i vitit akademik të gjithë studentëve dhe profesorëve!