Shkrumbi i nënës që e djeg këngën
10 shkurt 2021
| 09:44
FARUK TASHOLLI
Ai atje në turrë të druve
I mbuluar nga flakët
I fundosur në pellg prushi
Nuk është Xhordano Bruno
Është fëmija im i pambrojtur
Teksa digjet për së gjalli
Mes krismave të drurëve në zjarr
Kot e shpoi qiellin kot kërkoi zot
Me klithmat e fundit
Kot thirri tmerrshëm
Oh Nanë o Nana ime
Mua më ngufati vrasësi serb
Duke ma mbushur veshin me zë të egër
Tash do ta ngjizim fëmijën tjetër
Me gjakun tim
Kur pushuan vrasjet
Asnjë shi nuk e fshiu shkrumbin tim
Derisa po hyja me trishtim
Në kolonën e padukshme të grave të dhunuara
(Kjo poezi është botuar në sprovën për antologji “Dritë mbi plagë”, botuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, Gjenevë, 2020)