Shkullaku: Kurti është i gatshëm ta sakrifikojë pushtetin për parime

01 shtator 2022 | 22:35

Analisti politik Armand Shkullaku ka thënë se kryeministri Albin Kurti është i gatshëm ta sakrifikojë pushtetin, në mënyrë që ta mbrojë parimin tek i cili ai beson.

Në emisionin Rubikon në Klan Kosova, ai ka shtuar se si rezultat i mbrojtjes së parimeve nga ana e Kurtit, është arritur marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë sa i përket çështjes së dokumenteve.

“Serbia de fakto dhe de jure njeh dokumentet e lëshuara nga Republika e Kosovës për ata qytetarët që hyjnë në territorin e Serbisë”.

“Në këtë aspekt mendoj se kemi një hap përpara. Pra nuk kemi negociata për reciprocitet, por kemi zbatim të reciprocitetit. Tani kemi edhe sfidën e targave – mendoj që ka reciprocitet dhe mendoj se është një strategji shumë e mirë e qeverisë që ka arritur deri këtu. Mendoj që kjo është fryt i një politike që ka si orientim disa parime që i ka shpallur që në fillim”.

Sipas Shkullakut, ka pasur disa ngjarje përpara kësaj situate, ku gjithmonë presioni është bërë ndaj më të dobëtit.

“Kosova ka treguar se nuk është më faktor i dobët që pranon çdo gjë që i thonë ndërkombëtarët. Tani kemi një kryeministër që nuk i intereson të bëjë figurën e djalit të mirë me ndërkombëtarët, ku pranon gjithçka vetëm që të rrijë në pushtet”.

“Por, siç ka treguar edhe në raste të tjera, është i gatshëm të sakrifikojë pushtetin për të mbrojtur një parim tek i cili ai beson. A është i duhur ky parim? Kjo mbetet për t’u parë”, ka përfunduar Shkullaku.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj është deklaruar pasi 1 shtatori…