Shkullaku: Partitë që e kanë udhëhequr vendin e kanë vështirë të dalin në protesta

03 shkurt 2022 | 22:17

Opinionisti Armand Shkullaku, duke e komentuar protestën e PSD-së kundër shtrenjtimit të rrymës, ka thënë që për partitë që kanë udhëhequr me vendin është e vështirë të dalin në rrugë.

“Mund ta mirëkuptoj edhe LDK-në edhe PDK-në dhe lidershipin e ri të tyre, që nuk i bashkëngjiten ose nuk janë aktivë në protesta të tilla, pasi më duken shproporcionale. Nuk është situata e tillë që të radikalizohet krejt opozita, por vetëm segmente të caktuara. Duket sikur modeli i VV-së, në mënyrë indirekte, ndikon ose komplekson mënyrën e të bërit opozitë. VV-ja e ka bërë këtë opozitë që bën Molliqaj, kur ka qenë një lëvizje anti sistem. PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja janë parti të sistemit, pavarësisht se ka ndryshuar lidershipi. Nuk janë parti që kanë ardhur nga rruga, anarkia, protestat dhe nga sabotazhi, por kanë ardhur nga zgjedhjet dhe institucionet e Kosovës. I kanë njohur këto institucione si të tilla që nga zanafilla, por Vetëvendosje nuk i ka njohur si të tilla dhe sot është pjesë e sistemit”.

Shkullaku, në Rubikon në Klan Kosova, ka thënë që jodomosdoshmërisht mënyra sesi Vetëvendosje ka bërë opozitë mund të përkthehet sot te dy paritë e tjera [LDK dhe PDK].”

“Ne vëmë re që radikalizimin dhe konfliktin, qytetarët e Kosovës nuk e pëlqejnë dhe besoj që edhe kur VV-ja ndryshoi qasje, arriti të bindë qytetarët dhe kjo gjë komplekson LDK-në dhe PDK-në. Problem tjetër është fakti që këto dy parti, për shkak të ndryshimit të lidershipit, janë duke u konsoliduar si të tilla. LDK-ja do të kryejë në të gjithë degët e saj procesin që kreu në qendër dhe ndoshta Podujeva është shenja e fundit që po ndryshon gjithçka”.

“Ndërsa PDK-ja ka një problem tjetër jo të vogël që ndoshta në mendjen e militantëve të PDK-së ekziston një fabul që nëse Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli rikthehen të pafajshëm në Kosovë, kaq mjafton që ata të kthehen në pushtet”.

“PDK-ja është një parti e madhe dhe nëse del një parti e madhe në rrugë është e vështirë të kthehet – kthehet vetëm nëse e rrëzon qeverinë, ose shkon në shtëpi pastaj përgjithmonë”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka refuzuar…