Shkumbin Mehmeti refuzon të deklarohet në gjykimin për vrasjen e dy policëve
Dëshmitari Shkumbin Mehmeti, ka refuzuar të deklarohet në gjykimin ndaj Bedri Krasniqit dhe Alban Dezdarit, të cilët po akuzohen për vrasjen e dy zyrtarëve policorë në vitin 2004 në Podujevë. Ai ka thënë se po tërhiqet nga dëshmia pasi s’ka përkrahje nga shteti.
Të akuzuar në këtë rast për vrasjen e zyrtarëve policorë kishin qenë edhe Bajram Kiqmari dhe Faik Shaqiri, mirëpo Gjykata Supreme në shtator 2017, kishte nxjerrë aktvendim për lirimin e tyre, pasi sipas kësaj gjykate, dy të akuzuarit ishin gjykuar vite më parë rreth kësaj ngjarjeje dhe se ekziston një aktgjykim për pushimin e hetimeve kundër tyre, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në pyetjen e prokurores speciale Habibe Salihu, se a i kujtohet se sa herë ka dhënë deklaratë lidhur me këtë rast, dëshmitari Mehmeti deklaroi se më 9 dhjetor 2020 i ka dërguar asaj një shkresë duke thënë se tërhiqet prej të gjitha deklaratave të dhëna e që sipas tij prokurorja nuk është përgjigjur asnjëherë për këtë duke shtuar se dëshiron të tërhiqet nga dëshmia.
“Dëshmia ime le të tërhiqet, nuk e di qysh shkon proceduralisht, ligjërisht, nuk jam i interesuam me vazhdu, nuk kam përkrahje shtetërore andaj më duhet me u tërhiq”, tha dëshmitari Mehmeti.
Ndërsa, lidhur me këtë prokurorja speciale Salihu tha se nuk i lejohet komunikimi me dëshmitarin pas ngritjes së aktakuzës ashtu që kërkoi nga dëshmitari Mehmeti që të gjitha ato çfarë i ka thënë në atë shkresë t’i deklarojë sot para trupit gjykues.
“Unë të kam marr në pyetje para trupit gjykues, asnjëherë në zyrën time nuk je marrë në pyetje, komunikimi im me dëshmitarin pas ngritjes së aktakuzës nuk më lejohet me asnjë bazë, unë nuk muj me pas komunikim as me ty as me avokatin tënd, krejt çka ke dasht përmes asaj shkrese sot e ki mundësinë para trupit gjykues me u deklaru krejt, sepse mundësia me u tërhek prej dëshmisë tane nuk është në atë mënyrë veç te shkruj ni imell”, tha Salihu,
Pas kësaj, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Arben Hoti tha se bazuar në nenin 135 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, në rastet kur dëshmitari i thirrur me rregull refuzon të dëshmojë në gjykatë mund të dënohet deri më 250 euro gjobë e nëse edhe pas kësaj refuzon atëherë dënimi është me 1 muaj burgim, duke e pyetur dëshmitarin Mehmeti se a qëndron pranë atij qëndrimi apo dëshiron të deklarohet.
Lidhur me këtë, dëshmitari Mehmeti tha se ky dënim për të është më i lehtë, andaj zgjodhi që të mos dëshmojë.
Pas largimit të dëshmitarit nga salla, gjykatësi Hoti tha se trupi gjykues në vështrim të nenit 135 paragrafit 2 të Kodit të Procedurës Penale shqyrtoi mundësitë të cilat i parasheh kjo dispozitë duke arritur në përfundim që me shqiptimin e gjobës apo dënimit deri në 1 muaj për këtë dëshmitarë nuk arrihet qëllimi dhe efektshmëria që i njëjti të dëshmojë pasi që ashtu siç dihet nga shkresat e lëndës i njëjti është i dënuar me një dënim afatgjatë dhe gjykata nuk e sheh të arsyeshme që të shqiptojë këtë dënim.
Tutje, i pyetur nga gjykatësi Hoti se a qëndron pranë propozimit lidhur me dëshmitarët e propozuar, prokurorja Salihu tha qëndron pranë propozimit të paraqitur në aktakuzë që në cilësi të dëshmitarëve të dëgjohen Petrit Mehmeti, Besnik Mehmeti dhe Ramë Zeneli, por që sipas saj mund të vazhdohet me propozime tjera apo dëshmitarë të mbrojtjes deri sa të sigurohet kontakti apo lidhja me video link me këta dëshmitarë.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Alban Dezdari, avokati Florent Latifaj propozoi që në cilësi të dëshmitarëve të dëgjohen Imer Tahiri dhe Mentor Dreshaj, për të cilët gjykatësi Hoti tha se do të vendos jashtë seancës.
Seancat e radhës lidhur me këtë çështje penale janë caktuar më 22 shtator, më 14 tetor dhe 26 tetor.
Ish-Gjykata e Qarkut e Prishtinës, më 9 nëntor 2007, fajtor për sulmin që ishte konsideruar si terrorist e kishte shpallur vetëm Shkumbin Mehmetin, të cilin e kishte dënuar me 30 vite burgim, ndërsa i kishte liruar nga akuzat Nazim Kadriun, Arben Ahmetin, Arsim Rashitin, Jeton Sylejmanin, Osman Kelmendin, Florim Ejupin, Xhavit Kosumin, Faik Shaqirin, Nezir Kelmendin, Irfan Ademin, Xhafer Zymberajn dhe Bajram Kiqmarin.
Prokuroria e EULEX-it, më 21 korrik 2017 kishte ngritur aktakuzë kundër të akuzuarve Bedri Krasniqi, Alban Dizdari, Bajram Kiqmari, Faik Shaqiri, për shkak të kryerjes së veprave penale “Vrasje e rëndë” dhe “Vrasje në tentativë”.
Sipas aktakuzës, katër të akuzuarit më 23 mars 2004 në Podujevë, në bashkëkryerje me Agron Sylejmanin, Florim Ejupin dhe Shkumbin Mehmetin, kishin sulmuar një patrullë të UNMIK-ut, të cilët ishin duke patrulluar afër fshatit Shakovicë.
Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit kishin qëlluar me armë së paku 108 herë në drejtim të automjetit dhe katër pasagjerëve të saj, duke privuar nga jeta zyrtarin policor të UNMIK-ut, Possible Essuman dhe zyrtarin policor të Kosovës, Arsim Rrustollin, të cilët kishin qenë duke i kryer detyrat e tyre të mbrojtjes së rendi ligjor.
Lëndime nga plumbat e shkrepur kishin pësuar zyrtari i Policisë së Kosovës, Basri Mulliqi dhe përkthyesi i UNMIK-ut, Ramë Zeneli.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit qëllimisht kishin rrezikuar jetën e më shumë personave, të cilët ishin në automjete që vinin prapa veturës së UNMIK-ut, duke vepruar për motive nacionaliste dhe qëllimisht kishin kryer këto dy vrasje.