
Shkup, qiramarrësi vret pronarin e shtëpisë, plagos djalin e tij dhe vetëvritet
Dy persona kanë humbur jetën në Volkovë të Shkupit pas një incidenti me armë zjarri mëngjesin e sotëm, konfirmon Ministria e Punëve të Brendshme.
Mediet në Maqedoninë e Veriut kanë shkruar se ngjarja ka ndodhur pasi një qiramarrës ka qëlluar disa herë pronarin e shtëpisë ku jetonte dhe ka plagosur djalin e tij të mitur.
Sipas dëshmive fillestare, menjëherë pas krimit, autori i dyshuar ka marrë jetën e vet me një plumb në kokë. Banorët e lagjes kanë thënë se janë zgjuar nga të shtënat me armë zjarri, të ndjekura nga sirenat e policisë dhe ambulancës.
Motivet që kanë quar në këtë akt të rëndë për momentin mbeten të paqarta. Policia ende nuk ka dalë me një version zyrtar për ngjarjen, por ka paralajmëruar se gjatë ditës do të japë më shumë detaje në lidhje me rrethanat dhe sfondin e kësaj tragjedie.
“Rreth orës 09:00 në SPB Shkup është denoncuar se në fshatin Vollkovë të rajonit të Shkupit ka pasur të shtëna me armë zjarri, me ç’rast janë plagosur disa persona. Në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e policisë dhe është konstatuar se R.C. dhe M.N. nga plagët e marra kanë vdekur në vendngjarje. Një mjek i urgjencës konstatoi vdekjen. I plagosur ka mbetur edhe një i mitur i cili është transportuar për mjekim në Kompleksin Klinikë ‘Nënë Tereza’. M.N. është autor i mundshëm i vrasjes”, ka njoftuar Ministria e Punëve të Brendshme.
Ndërkohë nga Klinika e Traumatologjisë, ka bërë me dije se gjendja e të lënduarit është e qëndrueshme.
Nga ana tjetër forcat policore janë ende në rrugët e Vollkovës, ndërsa policia po kryen hetim në vendin e ngjarjes.