Shkupi formon shtab krize për evakuimin e shtetasve nga Lindja e Mesme

14 prill 2024 | 16:18

Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut ka formuar një shtab për kriza, i cili do të ketë kompetenca për evakuimin e qytetarëve maqedonas nga Lindja e Mesme, nëse ka nevojë.

Ky vendim është marrë pas sulmit iranian ndaj Izraelit me dronë dhe raketa, në orët e para të 14 prillit.

Izraeli ka thënë se bashkë me aleatët i ka rrëzuar shumicën e dronëve dhe raketave, raporton Rel.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, deklaroi të dielën se evakuimi i qytetarëve të Maqedonisë së Veriut do të varet nga puna e aeroportit në Tel Aviv, i cili u rihap në mëngjes.

Rruga e dytë e mundshme për evakuim është përmes Jordanisë.

Në shtabin e krizës janë të njëjtët anëtarë që ishin në shtabin në tetor të vitit të kaluar për evakuim të shtetasve maqedonas nga Izraeli, pas sulmeve të Hamasit – grupit palestinez të shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian – në tokën izraelite, më 7 tetor.

Osmani shtoi se në Izrael janë 40 deri në 50 qytetarë, mes të cilëve edhe familjarët e personelit diplomatik në Tel Aviv.

“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut në Izrael që të jenë në komunikim të vazhdueshëm me ambasadën tonë në Tel Aviv, ndërsa në dispozicion janë edhe telefonat e shërbimit të MPJ-së në Maqedoninë e Veriut”, tha Osmani.

“Për fat të keq, paralajmërimet për përshkallëzimin e situatës në Lindjen e Mesme janë bërë të vërteta. Çdo dhunë është e dënueshme, qoftë nga Izraeli, Irani apo Hamasi. Ne i dënojmë të gjitha veprimet, siç i dënuam të mëparshmet, dhe siç do t’i dënojmë sulmet e radhës hakmarrëse që janë paralajmëruar”, u shpreh shefi i diplomacisë maqedonase.

Ai kërkoi nga presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski të thërrasë mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për shkak të rrezikut nga përshkallëzimi, dhe aktivizimin e rrugës ballkanike të migrimit.

Nga kabineti i presidentit Pendarovski thuhet se për momentin nuk ka nevojë të mblidhet Këshilli i Sigurimit.

“Presidenti Stevo Pendarovski është në komunikim me partnerët tanë në NATO. Situata po monitorohet me kujdes dhe aktualisht vlerësohet se nuk ka kërcënim për sigurinë e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në komunikatën e presidencës së Maqedonisë së Veriut.

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se krerët e…